Muaji kundër kancerit të gjirit, spitali
Amerikan nismë për diagnositikimin

Muaji kundër kancerit të gjirit, spitali<br />Amerikan nismë për diagnositikimin
TIRANË - Muaji Tetor është një muaj ndërkombëtar dedikuar kancerit të gjirit. Në kuadër të këtij muaji, Spitali Amerikan në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptar në Ndihmë të Pacientit do të iniciojnë një projekt, ku do të solidarizohen me ata që janë diagnostikuar me këtë sëmundje, por dhe do të bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim për kapjen e hershme të kancerit të gjirit.

Kanceri i gjirit mbetet një sëmundje e rrezikshme, por fatmirësisht mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat, në rast se diagnostikohet herët. Ndonëse femrat shqiptare janë duke u informuar rreth mundësive që ofron sistemi shëndetësor për diagnostikim të hershëm (sidomos lidhur me mamografinë) shumica dërrmuese e kancereve të gjirit në Shqipëri kapen ende në stade të avancuara. 

Spitali Amerikan ka nisur depistimin tek femrat në kuadër edhe të muajit kundër kancerit të gjirit. Sipas të dhënave që dalin nga ky spital, rezulton se numri i të prekurve nga kjo sëmundje rritet nga viti në vit, ndaj këshillohet edhe kryerja e mamografisë apo edhe depistimet e ndryshme.

Në një konferencë për shtyp për mediat, dr. Emiljana Huti, mjeke Onkologe pranë Spitalit Amerikan theksoi se 10% e grave në të gjithë botën preken nga ky lloj tumori: “Kanceri i gjirit është kanceri më i përhapur tek gratë. Por alarmant është fakti se kjo përqindje po rritet. Në krye të listës së të prekurave janë femrat nga mosha 40 vjeç deri tek të 50-tat. Por, kanceri i gjirit fillon të godasë që në moshën 25 vjeç deri në fund të jetës. Pra, nuk do të thotë se nëse je shumë e re apo shumë e vjetër nuk mund të prekesh nga kanceri i gjirit.”

Sipas dr. Huti, nëse diagnoza bëhet herët, pacientët mund të kurohen 100 përqind. Me aparaturat si mamografia, ekografia apo rezonanca manjetike e gjoksit, mund të kapet shumë herët kanceri dhe madje të shërohet komplet. Flasim për stadin e parë të sëmundjes. Në stade më të avancuara, gjithsesi pacientët nuk rrezikojnë jetën sikurse me tumoret e tjerë sepse ky lloj kanceri reagon shumë mirë nëse fillon ta trajtosh në kohë. Nëse një paciente vdes nga kanceri i gjirit do të thotë se ajo kurrë nuk ka shkuar tek mjeku, ajo kurrë nuk është trajtuar.
Gjithashtu, përfaqësuesi i Fondacionit Shqiptar në Ndihmë të  Pacientit, Kostandin  Mato shprehet se ky fondacion do të ndihmojë të gjithë pacientët në nevojë së bashku me Spitalin Amerikan për të përfituar falas trajtimet e nevojshme.

“Qëllimi i përbashkët i këtij projekti në bashkëpunim dhe me partnerin tonë Spitalin Amerikan institucion i mirënjohur në fushën e trajtimit shëndetësor të specializuar ka qenë sensibilizimi i asaj pjese të shoqërisë (grave,vajzave) të rrezikuara nga kanceri i gjirit duke venë theksin kryesor në Kujdesin Parandalues Shëndetësor që për fat të keq, konstatoj se në vendin tonë statistikisht rezulton në nivele shumë të ulëta.

Fondacioni në Ndihmë të Pacientit, nisur dhe nga emri ka si qëllim të veprimtarisë të tij jofitimprurëse, aktivitete, projekte në fushën e shëndetësisë duke synuar/tentuar të vijë në ndihmë të pacientëve me probleme shëndetësore, në pamundsësi financiare për t’i trajtuar këto probleme.”

Sot mjekësia jep garanci të plotë se kanceri i gjirit nuk është më sëmundja që duhet të frikësojë gratë. Me pak përkushtim nga ana e tyre, ajo mund të parandalohet dhe trajtohet me sukses.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

I Ngarkuari me Punë i ambasadës së SHBA-së Wisner: Vetingu ishte i domosdoshëm, koha për hapa më të ndërlikuar

I Ngarkuari me Punë i ambasadës së SHBA-së Wisner: Vetingu ishte i domosdoshëm, koha për hapa më të ndërlikuar