Muho i LSI: Jam ende anëtar i
KQZ, s'ka vendim shkarkimi

Muho i LSI: Jam ende anëtar i <br />KQZ, s'ka vendim shkarkimi
TIRANE - Në një intervistë për Shqiptarja.com, anëtari i propozuar nga LSI në KQZ e quan antikushtetuese nismën që është ndërmarrë nga e djathta parlamentare për ta zëvendësuar atë me një anëtar të propozuar nga PR. Sipas tij kodi ka përcaktuar qartë afatin e mbarimit të mandatit të anëtarëve të KQZ dhe rastet e shkarkimit të tyre nga ky post.

Si e gjykoni ju kërkesën e bërë nga grupi parlamentar i PD dhe a është ajo ligjore ?
Jam njohur këto ditë me kërkesën që ka bërë grupi parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Realisht kam mbetur shumë i befasuar kur kam marrë vesh një nismë të tillë edhe për faktin se në dijeninë time KQZ nuk ka depozituar asnjë kërkesë për shkarkimin tim.

Rastet për shkarkimin e një anëtari janë të përcaktuara në mënyrë eksplicite në Kodin Zgjedhor dhe në dijeninë time KQZ, i cili është autoriteti që konstaton rastet e shkarkimit të një anëtari të këtij institucioni, nuk është mbledhur për të gjykuar apo edhe për të marrë një vendim që të kërkojë shkarkimin tim. Përsa kohë kjo procedurë nuk është ndjekur dhe nuk është zbatuar mua nuk më intereson se çfarë veprimesh bëhen jashtë kodit.

Pra ju thoni që duhet më parë të ketë një vendim nga KQZ që të kërkojë shkarkimi tuaj?
Këtë nuk e them vetëm unë, e thotë ligji. E thotë Kodi Zgjedhor, të cilin partitë politike e kanë miratuar me konsensus të plotë. Unë si anëtar i KQZ kam detyrimin që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin.

PR ka bërë një kërkesë pranë KQZ përveçse ka propozuar edhe dy emra për anëtar në KQZ, kërkon përfaqësimin e saj në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta pas KQZ. E lejon kodi këtë?
Lidhur me kërkesën që ka bërë PR për të fituar ajo tashmë të drejtën për të propozuar komisionerë të nivelit të dytë dhe të tretë kam parasysh këtu Komisonet zonale të administrimit zgjedhor dhe qendrat e votimit, ne jemi në dijeni për këtë, por KQZ nuk mund të vlerësojë në këtë moment pa u formalizuar juridikisht ajo ç`ka kërkon kodi. Nëse flitet për koalicione të mundshme parazgjedhore, ne nuk mund të mbetemi thjesht në kuadër të udhëheqësve të partive politike. Kjo gjë duhet të formalizohet dhe afati i fundit i regjistrimit të kërkesave është 23 prilli.

Edhe pse KZAZ janë konstituuar?
KZAZ janë konstituuar, pritet dhe KQV të ndërtohen, por ruajtja e balancave politike mbetet për tu parë pas regjistrimit të koalicioneve të KQZ. Për sa kohë nuk është ezauruar afati i dorëzimit të kërkesave, KQZ nuk ka asnjë tager të merret me këtë çështje, pasi do të krijohej një kauzë. Për të ruajtur një qëndrim korrekt KQZ duhet të presë realisht dhe juridikisht formimin e këtyre koalicioneve në komision.

Pritet që seancën plenare të së hënës të votohet kërkesa e PD për zëvendësimin tuaj me një të propozuar nga PR. Nëse miratohet?
Nuk me intereson se çfarë do bëjë politika në këtë rast. Unë mund të them se në këtë pozicion tim se jam nga LSI është një spekulim. Që në momentin e formatimit të zgjedhjeve unë jam propozuar jo vetëm nga LSI Kuvendit, kjo e drejtë sipas kodit. Kandidatura ime pati edhe një konensus, ku edhe shumë deputetë të PS votuan pro emrit tim. Në punën time unë jam i udhëhequr nga parimi i zbatimit të ligjit pa paragjykuar apo pa menduar kërkesat apo dëshirat që mund të kenë partitë politike.

Sjell në vëmendjen tuaj rastin e ndarjeve të mandateve, ku unë kam votuar pro projektaktit të sjellë nga administrata, ku qarkut të Beratit i caktohej një numër mandati 7 ndërkohë që LSI i interesonte që të kishte 8 mandate. Kjo tregon që unë në veprimtarinë time nuk kam qenë dhe nuk kam ndjekur vullnetin që kanë pasur partitë politike.

Përsa kohë që unë dhe kolegët e mi jemi betuar para Kuvendit se do të zbatojmë ligjin me paanshmëri, me profesionalizëm për të garantuar zgjedhje të lira e me standarde si dhe të pakontestueshme. Ky ka qenë parimi që më ka udhëhequr dhe do të më udhëheq.

Nëse kjo miratohet cila do jetë rruga ligjore që do ndjekë LSI apo grupi parlamentar i opozitës?
Nuk mund të flas tani se çfarë do të bëj pasi në dijeninë time KQZ nuk e ka marrë një vendim për t`ia dorëzuar Kuvendit. Kjo është procedura që duhet të ndiqet. Nuk më intereson se çfarë do të bëjë parlamenti. Kjo mbetet për tu parë.

Kemi dhe një apel nga ndërkombëtarët lidhur me mosprekien e KQZ nga politika. Si e vlerësoni ju këtë apel?
Nuk dua të bëj koment me qëndrimin e tyre. Këto janë çështje, të cilat kanë një natyrë politike. Unë jam anëtar i KQZ dhe nuk besoj se është me vend komenti im mbi to, por në një moment të caktuar veprimtaria jonë gjen mbështetje te kërkesat ose të sugjerimet e ndërkombëtarëve.

Në thelb në KQZ kërkohet se puna e çdo anëtari duhet të jetë e paanshme. Kjo është ajo që ne kemi dashur të bëjmë, jemi të prirur për ta bërë. Fakti tregon se KQZ në gjithë vendimmarrjen e tij ka pasur një konsensus të plotë, përveç një apo dy akteve që nuk janë miratuar me konsensus.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohen tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, Range Rover-i fluturon në karburant

Aksidentohen tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, Range Rover-i fluturon në karburant