Spitali COVID 4 është gati dhe mund të hapet gjatë javës në rast se do të ezaurohen kapacitetet në spitalet e tjera që janë aktualisht në punë për të trajtuar pacientët e infektuar me virus.
Pikërisht me pamjet e COVID 4, e ka nisur mëngjesin e sotëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se spitali është gati me gjithçka duhet në "vijën e zjarrit", por nga ana tjetër u bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm duke theksuar se kjo luftë mund të fitohen nëse secili zbaton masat për të frenuar përhapjen e virusit.
"Spitali COVID 4 është gati me gjithçka duhet në vijën e zjarrit, por ju lutem kujdesuni për veten e të tjerët, sepse kjo luftë ku ne s'do të lemë asgjë mangut, deri në fund, fitohet vetëm duke bërë secili të vetën. Dhe mbi të gjitha, të shmangim çdo dalje nga shtëpia që nuk është e domosdoshme", shkruan Rama.
Për shkak të rritjes së fluksit të pacientëve me COVID, të dielën (22 nëntor) është hapur pavioni i tretë i spitalit COVID-3, i cili ka në dispozicion rreth 35-50 shtretër. Pas tij, sapo të ezaurohen kapacitetet, do të hapet COVID-4. COVID-4 do të ketë kapacitet për 100-110 pacientë fillimisht, dhe më pas në varësi të situatës mund të përballojë deri në 140.