Interpelanca e katërt është zhvilluar sot në Kuvend për dëmtimet serioze të sipërfaqeve të mëdha pyjore halore nga procesionarja, shkatërruesja e tyre e pamëshirshme, e cila sipas deputetit të opozitës Ligoraq Karamelo ka tharë me mijëra pisha dhe rrezikon mijëra të tjera. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh në foltoren e Kuvendit se kjo sëmundje ka prekur në Shqipëri jo pak por, 150 mijë hektarë pyje. Klosi tha se rrugët për ta luftuar janë tre, por më efikasja është duke prodhuar një insekt që e vret dhe e eliminon atë fenomen. Pikërisht për këtë insekt, tha Klosi, institucionet shqiptare janë duke bashkëpunuar me Turqinë për të sjellë për të luftuar këtë fenomen në muajt e pranverës. Megjithatë në fjalën e tij, Klosi tha se pyjet janë në përgjegjësinë e bashkive dhe se Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka vetëm 16% duke u kaluar përgjegjësinë.
"Pronarë të pyjeve janë bashkitë, vetëm 16% u takojnë AZM-ve. Ky është problem i pronarit të pyjeve, por ka të bëjë me menaxhimin se konsideron si lopë për t'u mjelë vetëm për dru. Sot pyjet janë nën pushtetin lokal por vetëm për të ngrohur popullatën. Por duhet ti largohemi këtij fenomeni, ngrohjes me dru. Sektori ka nevojë për mirëmbajtje. Rikthehemi te procesionarja. Në 1960 ka hyrë si sëmundje në Shqipëri. Ky fenomen nuk është shqiptar, nuk është që ndodh vetëm te ne, por janë të infektuara me këtë të gjitha zonat e rajonit. Duhet ta kemi të qartë, që kjo është një situatë e cila vazhdon dhe ka një cikël biologjik që po e kurojmë. Ka tre mënyrë për ta evidentuar këtë problem. Sot kemi një shfaqje më agresive edhe si pasojë e ngrohjes globale.
Edhe sot kemi 150 mijë hektarë pyje që ka aktivitet ky fenomen, por 45% e kësaj sipërfaqe, 50 mijë hektarë në zonat e Pukës, Shkodrës, Korë, Pogradec, Librazhd, Gramsh, Berat, Peshkopi. Ky dëmton halat e pishave, por nuk e zhduk. Mund të luftohet mekanikisht, nuk sugjerohet shumë, pasi bëhet përmes prerjes së degëve dhe do të dëmtonte pemën. Luftimi biologjik apo kimikate, por do të kishte efekte anësore. Më efikase është luftimi duke prodhuar një insekt që e vret dhe e eliminon atë fenomen. Jemi duke bashkëpunuar me Turqinë për të sjellë këtë insekt për të luftuar këtë fenomen në muajt e pranverës. Vitin tjetër do jetë më pak, por pastaj do të ringjallet pas 5-6 vitesh" tha Klosi.
Por Ligoraq Karamelo nuk mbeti i kënaqur nga përgjigja e ministrit Klosi. Ai shkoi më tej duke ngritur alarmin se përveç pyetjeve, ky virus, pra procesionarja, prek alergjikët, gjendja e të cilëve nëse acarohet mund të verbohen. 'Sot qindra hektarë me pyje janë duke u shkatërruar dhe po përhapet me shpejtësi të madhe, po bën kërdinë. Jo vetëm që pishat, por infekton edhe sipërfaqen tjetër që është në rrezik shkatërrimi. Po të shikosh pyjet duket sikur ka rënë zjarr. Jemi të shqetësuar në disa drejtime. Së pari po i shkaktohet dëm i madh vendit ngë ato pyetje që janë prekur.
Ky invesktion prek të gjithë alergjikët, sa më shumë u afrohet qendrave të banuara, shtohen alergjikët, mjaft alergjikë verbohen nëse acarohet infeksioni. Gjithashtu kjo sëmundje dëmton edhe turizmin duke tharë pishat. Sot nuk folët për fonde, nuk treguat sa kini dhe a do të përdoren, kjo është fatkeqësi natyore, duhen gonde për ta përballuar, por nuk ka sepse nuk janë programuar. Në bashki të thonë nuk merremi ne, në ministri thonë e ka bashkia'. Mua më dhimbsen edhe për faktin se unë kam mbjellë pisha shumë kohë më parë. Sëmundja nëse goditet vazhdimisht mund të asgjësohet.Ju duhet të kërkoni asistencë teknike nga BE-ja, të vijnë të shikojnë gjendjen. Unë kam besim tek aftësia juaj që nëse do të angazhoheni seriozisht jo vetëm si ministër por edhe përvojës të kontribuoni që kjo dukuri duhet të ndryshojë. Njerëzit duan të shohin rezultate konkrete" tha Karamelo.
Por Klosi qetësoi deputetin duke thënë se pyjet në pranverë do të jenë sërish të gjelbra, pasi kjo sëmundje i dëmton, por nuk i thanë. "E vlerësoj të gjithë atë që tha deputeti, e vlerësoj se u tregua shumë i mirë me mua. Problemet e pyjeve janë shumë të mëdha dhe kjo nuk mjafton. Por problemi është ndjekur që në ditën e parë. Është një cikël jete, por nuk do të thotë se kjo të dëmtojë pyetjet. Në pranverë ato pyje do të jenë sërish të gjelbra, nuk do të shuhen masivet. Presim që të vijnë ato larvat nga Turqia" përfundoi ai. Report TV prej kohësh ka ndjekur nga afër këtë shqetësim duke raportuar nga mali i Moravës se si kjo sëmundje vrastare për pishta dhe pyjet e zonës janë duke dëmtuar ekosistemin, sipërfaqen e gjelbër dhe kurorën e pyjeve që përveçse vlerave ekologjike kanë vlerë të lartë turistike, jo vetëm nga vendasit por edhe të huajt.
Lajmi kryesor: