Katër interpelanca në Kuvend! Dëbimi i Gylenistit, Lleshaj: Turku firmosi vetë! Nuk kërkoi as azil

TIRANE-Prej orës 10:00 po vijon seanca e radhës së Kuvendit të Shqipërisë, ku janë zhvilluar katër interpelanca. E para u kërkua nga deputeti Artur Roshi me ministrin e Brendshëm në lidhje me ekstradimin e mësuesit turk që dyshohet se ishte i lidhur me lëvizjen Gylen, Harun Çelik, por edhe cështje të tjera, përfshirë kanabisin. Interpelanca e dytë u kërkua nga një grup deputetësh me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për situatën në burgje, emërimet shkarkimet, por edhe rastin e fundit të furtunës në institucionin e vuajtjes së dënimit në Peqin pas 'shëtitjes' së Dritan Dajtit në Bllok.

Interpelanca e tretë u kërkua nga socialistët me ministren e Shëndetësisë për masat pas alarmit nga virusi kinez. Interpelanca e fundit ishte thirrur nga deputetët e opozitës së re me ministrin Klosi për dëmtimet serioze të sipërfaqeve të mëdha pyjore halore në rrethin e Korçës, Kolonjës, Pukës, Mirditës, Peshkopisë nga procesionaria, shkatërruesja e tyre e pamëshirshme, e cila sipsa tyre ka tharë me mijëra pisha dhe rrezikon mijëra të tjera. Në rendin e ditës janë edhe shumë cështje të tjera, teksa në orën 15:00 do të mbajë një fjalim Presidenti i Parlamentit Europian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:41
Anti-KÇK-ja/ Hajdari: Fillojeni nga deputetët! Balla: Një pjesë e pasurisë së sekuestruar të shkojë për rindërtimin

Ligji special anti-KÇK-së 'zbriti' sot edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetarja e grupit demokrat Rudina Hajdari akuzoi qeverinë dhe shumicën për paketën. Ajo tha se akti normativ që tashmë është miratuar ka pësuar shumë ndryshime nga ajo që u pompua në fund të vitit. Megjithatë prapë, Hajdari kishte një sugjerim për qeverinë, duke i kërkuar që ligji të fillonte nga deputetët dhe zyrtarët që nuk e justifikojnë pasurinë.

"Nuk e di kush u ka ndaluar për të luftuar krimin. Ai ligj është parë dhe riparë, pasi ishte anti-kushtetues, dhe ishte gati të luftonte cdokënd për të mbrojtur disa persona të caktuar. Ju e dini kush janë ata që nuk e justiifkojnë pasurinë, duke filluar nga deputeti, disa nga ata që janë në sallë apo qeveritarë, pasurinë e tyre? Pse nuk flisni nëse doni të luftoni krimin. Pse nuk e filloni me këta njerëz që kanë pasuri të jashtëzakonshme dhe nuk i justifikojnë në asnjë sekond. Ne do të vijojmë të luftojmë propagandën dhe sjelljen e shëmtuar që ju bëni" tha ajo.

Ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha se po mbron kriminelët duke dalë kundër anti-KÇK-së. E ndërsa kryeministri Rama deklaroi dje se pasuria e kriminelëve që do të sekuestrohet do të shkojë në favor të policisë së shtetit, Taulant Balla propozoi që një pjesë të shkojë për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit.

"Para se të thoni është anti-kushtetuese, në asnjë nen nuk keni për të gjetur asnjë shkelje kushtetuese. Edhe pse këta maskarenj i nxinë faqen këtij vendi me pasuri pafund, që duhen verifikuar. Të sekuestrohen dhe të konfiskohen dhe të shkojnë për policinë e shtetit pse jo edhe për buxhetin e rindërtimit për familjet që sot janë pa shtëpi për shkak të tërmeteve të 21 shtatorit apo 26 nëntorit. Unë e kuptoj Bashën që po qan sepse qeveria Rama në betejë pa kompromis me krimin miratoi një akt normativ dhe Luli nuk e do, por ju (opozita e re) jo, se pjesa juaj më e madhe e ka mbështetur reformën në drejtësi.

Ju ftoj që sapo akti normativ të ketë përmbyllur procedurën normale të shqyrtimit në komisione. T'ua nximë jetën të fortëve të lagjeve me paratë nga bota e krimit, kanë pasuri që nuk i justifikojnë. Nuk është gjetje allashqiptarçe, Italia e ka bërë shumë vite më parë. Që të ketë opozitë në një vend të botës dhe të thotë po shkelen të drejtat e krimit të organizuar. Këtë përgjigje e kisha për Lulëzim rrugëhumburin, jo për ju se ju e keni gjetur rrugën" tha Balla.

Ora 13:11
Kujtim Gjuzi rebelohet me Lleshajn: Mos më thuaj mua pusho! Këtë herë je i falur, por kujdes! (VIDEO)

Deputeti Kujtim Gjuzi është rebeluar me Sandër Lleshaj, që sipas tij i tha pusho, gjatë kohës që ministri po fliste në foltore. Në fund ai kishte edhe një paralajmërim për ministrin. "Zoti ministër ju jeni ushtarak, nuk jeni në statusin e deputetit, nuk mund të më thuash mua 'pusho'. Këtë mund ta thotë vetëm kryetari i Kuvendit. Ti duhet të dish që në baret dhe restorantet shqiptare, patrulla e policisë dhe dy raste ti kam flagrante. Ndoshta nuk e ke situatën në dorë për kanabisin, por nuk mund ta anashkalosh skafin me emigrantë që kërkoi ndihmë në mes të detit. Nuk mund të them kërko ndjesë, se ndjesa kërkohet me ndërmjetës, këtë herë je i falur, por kujdes herën tjetër" tha ai.

Ora 12:34
'Mund të verbojë njerëzit'! Opozita i kërkon llogari për vrasësin e pishave, Klosi: 150 mijë hektarë të prekur, do sjellim ilaçin nga Turqia (VIDEO)

Interpelanca e katërt është zhvilluar sot në Kuvend për dëmtimet serioze të sipërfaqeve të mëdha pyjore halore nga procesionarja, shkatërruesja e tyre e pamëshirshme, e cila sipas deputetit të opozitës Ligoraq Karamelo ka tharë me mijëra pisha dhe rrezikon mijëra të tjera. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh në foltoren e Kuvendit se kjo sëmundje ka prekur në Shqipëri jo pak por, 150 mijë hektarë pyje. Klosi tha se rrugët për ta luftuar janë tre, por më efikasja është duke prodhuar një insekt që e vret dhe e eliminon atë fenomen. Pikërisht për këtë insekt, tha Klosi, institucionet shqiptare janë duke bashkëpunuar me Turqinë për të sjellë për të luftuar këtë fenomen në muajt e pranverës. Megjithatë në fjalën e tij, Klosi tha se pyjet janë në përgjegjësinë e bashkive dhe se Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka vetëm 16% duke u kaluar përgjegjësinë.

"Pronarë të pyjeve janë bashkitë, vetëm 16% u takojnë AZM-ve. Ky është problem i pronarit të pyjeve, por ka të bëjë me menaxhimin se konsideron si lopë për t'u mjelë vetëm për dru. Sot pyjet janë nën pushtetin lokal por vetëm për të ngrohur popullatën. Por duhet ti largohemi këtij fenomeni, ngrohjes me dru. Sektori ka nevojë për mirëmbajtje. Rikthehemi te procesionarja. Në 1960 ka hyrë si sëmundje në Shqipëri. Ky fenomen nuk është shqiptar, nuk është që ndodh vetëm te ne, por janë të infektuara me këtë të gjitha zonat e rajonit. Duhet ta kemi të qartë, që kjo është një situatë e cila vazhdon dhe ka një cikël biologjik që po e kurojmë. Ka tre mënyrë për ta evidentuar këtë problem. Sot kemi një shfaqje më agresive edhe si pasojë e ngrohjes globale.

Edhe sot kemi 150 mijë hektarë pyje që ka aktivitet ky fenomen, por 45% e kësaj sipërfaqe, 50 mijë hektarë në zonat e Pukës, Shkodrës, Korë, Pogradec, Librazhd, Gramsh, Berat, Peshkopi. Ky dëmton halat e pishave, por nuk e zhduk. Mund të luftohet mekanikisht, nuk sugjerohet shumë, pasi bëhet përmes prerjes së degëve dhe do të dëmtonte pemën. Luftimi biologjik apo kimikate, por do të kishte efekte anësore. Më efikase është luftimi duke prodhuar një insekt që e vret dhe e eliminon atë fenomen. Jemi duke bashkëpunuar me Turqinë për të sjellë këtë insekt për të luftuar këtë fenomen në muajt e pranverës. Vitin tjetër do jetë më pak, por pastaj do të ringjallet pas 5-6 vitesh" tha Klosi.

Por Ligoraq Karamelo nuk mbeti i kënaqur nga përgjigja e ministrit Klosi. Ai shkoi më tej duke ngritur alarmin se përveç pyetjeve, ky virus, pra procesionarja, prek alergjikët, gjendja e të cilëve nëse acarohet mund të verbohen. 'Sot qindra hektarë me pyje janë duke u shkatërruar dhe po përhapet me shpejtësi të madhe, po bën kërdinë. Jo vetëm që pishat, por infekton edhe sipërfaqen tjetër që është në rrezik shkatërrimi. Po të shikosh pyjet duket sikur ka rënë zjarr. Jemi të shqetësuar në disa drejtime. Së pari po i shkaktohet dëm i madh vendit ngë ato pyetje që janë prekur.

Ky invesktion prek të gjithë alergjikët, sa më shumë u afrohet qendrave të banuara, shtohen alergjikët, mjaft alergjikë verbohen nëse acarohet infeksioni. Gjithashtu kjo sëmundje dëmton edhe turizmin duke tharë pishat. Sot nuk folët për fonde, nuk treguat sa kini dhe a do të përdoren, kjo është fatkeqësi natyore, duhen gonde për ta përballuar, por nuk ka sepse nuk janë programuar. Në bashki të thonë nuk merremi ne, në ministri thonë e ka bashkia'. Mua më dhimbsen edhe për faktin se unë kam mbjellë pisha shumë kohë më parë. Sëmundja nëse goditet vazhdimisht mund të asgjësohet.Ju duhet të kërkoni asistencë teknike nga BE-ja, të vijnë të shikojnë gjendjen. Unë kam besim tek aftësia juaj që nëse do të angazhoheni seriozisht jo vetëm si ministër por edhe përvojës të kontribuoni që kjo dukuri duhet të ndryshojë. Njerëzit duan të shohin rezultate konkrete" tha Karamelo.

Por Klosi qetësoi deputetin duke thënë se pyjet në pranverë do të jenë sërish të gjelbra, pasi kjo sëmundje i dëmton, por nuk i thanë. "E vlerësoj të gjithë atë që tha deputeti, e vlerësoj se u tregua shumë i mirë me mua. Problemet e pyjeve janë shumë të mëdha dhe kjo nuk mjafton. Por problemi është ndjekur që në ditën e parë. Është një cikël jete, por nuk do të thotë se kjo të dëmtojë pyetjet. Në pranverë ato pyje do të jenë sërish të gjelbra, nuk do të shuhen masivet. Presim që të vijnë ato larvat nga Turqia" përfundoi ai. Report TV prej kohësh ka ndjekur nga afër këtë shqetësim duke raportuar nga mali i Moravës se si kjo sëmundje vrastare për pishta dhe pyjet e zonës janë duke dëmtuar ekosistemin, sipërfaqen e gjelbër dhe kurorën e pyjeve që përveçse vlerave ekologjike kanë vlerë të lartë turistike, jo vetëm nga vendasit por edhe të huajt.

Ora 12:09
Virusi kinez, Manastirliu: Kontrolle të rrepta në kufi! Risku është i ulët, por kemi bërë gati karantinën (VIDEO)

Në seancën e sotme plenare socialistët kërkuan një interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë për masat që janë marrë  nga Shqipëria për virusin që ka shkaktuar deri tani mbi 360 të vdekur dhe mijëra të infektuar. Ministrja Manstirliu u shpreh se janë marrë masat në cdo pikë hyrëse të vendit, po ashtu edhe për përgatitjen e karantinës nëse do të ketë raste. Ajo qetësoi opinionin kur tha se Shqipëria është me risk të ulët për t'u prekur.

"Kam ngritur Task Forcës me 24 ekspertë. Kam ngritur Komitetin Teknik për përgatitjen për marrjen e masave. Kemi formuar survejancën, të rasteve me vështirësi respiratore. Kemi trajtuar mbi 100 punonjës për ndjekjen e kontakteve, në nivel kufitar, për parandalimin e infeksionit. Janë përforcuar masat në kufi me kontrolle. Është hartuar protokolli për rastet e dyshuara, po ashtu algoritmi i pritjes. Kemi përcaktuar strukturën që do të shërbejë si karantinë, është gati edhe ekipet që do të shërbejnë në këto struktura, ndërkohë që po kryejnë trajnimet përkatëse.

Janë përgatitur dhoma të veçanta për qëndrimin e të dyshuarve nëse do të të ketë. Rastet nëse ka do të menaxhohen nga QSUT-ja, janë përcaktuar bosket. Shqipëria ka risk të ulët për infektim. Ka risk të moderuar për transmetimin e rasteve për importim. Karantina, është një strukturë që do ta vendosim në dispozicion nëse do të gjykohet e nevojshme. Apeloj për mbështetjen për mbështetjen e qeverisë nga parlamenti. Përsa i përket medieve, OBSH-ja na ka paraprirë duke na vendosur një element të rëndësishëm. Është e mira t'i referohemi vetëm të dhënave zyrtare" tha ministrja.

Ora 11:47
Skandali/ Gjonaj: Një i burgosur zhvilloi 850 takime në vit! Maliqi: Ismaili e dinte për Dajtin! Kërcënimi? E bën kastile, që të ruhet me policë (VIDEO)

Interpelanca e dytë e kërkuar nga deputeti Lefter Maliqi që është zhvilluar në Kuvend ka qenë në lidhje me situatën në burgje. Ministrja e Drejtësisë Gjonaj u shpreh se pas ngjarjeve të fundit, referuar lirimit të Endrit Dokles anëtarit të bandës së Durrësit, ka kërkuar informimin për të gjitha praktikat që shkojnë në gjykatë për të gjithë të dënuarit me mbi 15 vite heqje lirie. "Unë në fillim të 2020 kam lëshuar një urdhër për informimin e të gjitha praktikave që shkojnë në gjykatë për të gjithë të dënuarit me mbi 15 vite heqje lirie dhe një sërë masash janë marrë ndaj drejtuesve të burgjeve që janë shkarkuar apo kallëzuar më pas" tha ministrja.

Gjithashtu ministrja theksoi se tashmë masat janë forcuar, teksa deklaroi se më parë ka pasur raste kur një i burgosur ka zhvilluar 850 takime në vit, ose kur kanë dalë me leje kanë drekuar me deputetë. "Ka pasur të burgosur që kanë pasur 850 takime në vit kur në fakt u lejohet vetëm 45. 172 aparate celular të kapur gjatë 2019 në burgje. Ka patur raste kur të burgosur të dalë me leje kanë drekuar me deputetë madje kanë shkuar jashtë shtetit për t'u marrë me aktivitete kriminale".

Ndërkohë që Maliqi akuzoi kryeministrin dhe ministren për emërimin e drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili. Një tjetër cështje që ngriti ishte edhe shkarkimet pas 'shëtitjes' në Bllok të Dritan Dajtit. Maliqi tha se drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ka qenë në dijeni të kërkesës së tij që është pranuar për të shkuar për t'u mjekuar në një klinikë në Bllok. Kërcënimin e Ismailit ai e cilësoi si "Kastile, që të ruhet me policë, është i paaftë".

Interpelanca në Kuvend
Lefter Maliqi: Unë kam qenë zv/ drejtor i burgjeve, ato të meta që konstatova ua kam thënë. Të nderuar drejtuar KÇK-së, pavarësisht se keni emëruar një drejtoj burgjesh, i cili kërkonte që zv. drejtori të largonte njerëzit e Sandër Lleshaj. Ai emëroi disa drejtorë burgjesh ushtarakë për të zbatuar ligjin dhe detyrat. Kush janë oligarkët pranë kryeministrit që e propozuan emrin e drejtorit të përgjithshëm, ti se komandon atë, por ai ty. Drejtori ka qenë liruar si agjent i SHIK-ut në 1997, ka qenë liruar nga komisariati nr. 3 për shkak të ngjarjes së Sokol Koçiut. Ka qenë i shkarkuar për abuzim me detyrën?

Etilda Gjonaj: Kemi ndërmarrë një sërë propozimesh për ligj të ligj për të dënuarit, paraburgosurit dhe policinë e burgjeve, që do të ndryshojnë që të mos ndodhin në të ardhmen. Por më duhet të them që një progres ka shënuar trajtimi i punonjësve të policisë së burgjeve, uniformat dhe transporti. Nuk mund të transferohen larg banesave të tyre. 650 punonjës janë rekrutuar me trajnime. Nuk ka më emërime nepotike. Unë në fillim të 2020 kam lëshuar një urdhër për informimin e të gjitha praktikave që shkojnë në gjykatë për të gjithë të dënuarit me mbi 15 vite heqje lirie dhe një sërë masash janë marrë ndaj drejtuesve të burgjeve që janë shkarkuar apo kallëzuar më pas. Në 2019, 373 ngjarje janë referuar në prokurori. Lejet për të dënuarit kalojnë në komision. Është mbyllur historia e dërgimit me leje të veçantë në mënyrë abuzive, që darkonin me deputetë, apo dilnin jashtë për të kryer të tjera vepra. Edhe për rastin e fundit që i keni veshur vetes cilësinë e gjyqtarit, për shkarkimin, nuk e kuptova cili ishte shqetësimi juaj. Ka ikur koha kur drejtuesit e lartë bënin sikur nuk shikonin shkeljet që ndodhnin, sot është koha e zbatimit të regjimit të posaçëm '41-bis'. Zoti Maliqi nuk kam parë ndonjë rezultat kur keni qenë zv/ drejtor i Burgjeve.

Lefter Maliqi: Bëre një konferencë shtypi këtu, shoë. Kam nxjerrë një urdhër tha për transferimet e punonjësve mbi 40, por nuk zbatohet dhe është thyer. Premtoi se do të rrisë pagat 20-30% mezi ua rriti 7%. Premtoi njohjen e vjetërsisë në punë, por nuk njihet vjetërsia e punonjësve të policisë në burgje. Mbi 32 mjete i ka pa asnjë letër, siguracion, kolaudim, etj. Testimet janë shoë. Nxore një urdhër kur isha zv/ drejtor, hoqe 130 veta brenda një jave dhe futi të Rilindjes. Ndërhyri politika. I thashë si ka mundësi, që dolën rezultat kur sapo mbaroi testimi. U anulua lista dhe nxori një tjetër, listë pritje që nuk u zbatua nga drejtori i tyre i KÇK-së. Miqtë e Lleshajt, ushtarakët që shkarkoi po fitojnë gjyqet një nga një. Tani ky drejtori i KCK-së. Me 10425, i akuzuar edhe për favorizim pesticidesh kur ishte drejtor i AKU-së, denoncime edhe nga biznesmenë të tjerë. E bënë n/ drejtor të pastrimit të parave. DEA amerikan i kërkoi kryeministrit ta largonte, por klanet nuk e lanë, e emëroi drejtor të AKU-së, ku bëri abuzime. E vërteta është se shntazhonte dhe kryeministrin dhe ai e coi te Burgjet. Më thoni zonja ministre, a lejohen drejtorët të komanduar mbi tre muaj ushtarakë. Auditi i Burgjeve është 10 muaj i mbyllur, ky drejtori e shkarkoi me presione, gjykata e riktheu, ky nuk e lejon shefin e auditit. Kërcënohet? E bën kastile, që të ruhet me policë, është i paaftë. Për rastin e Dritan Dajtit, ju i ngritët kurth drejtorit të policisë së burgjeve. Të burgosurit, se këta nuk kanë as mjekë, dhe kur duan të vizitohen me lekët e tyre kërkesa ciklohet nga drejtori i burgjeve dhe ai ishte sipas rregullave. Ky që bën shoë që kandidon për drejtor të BKH-së. Krimi largoi Çukon, Çipën dhe afron krimin.

Etilda Gjonaj: Unë kam ardhur institucionin me përmirësimet e bëra dukshëm dhe për të bërë transparente masat. Nuk jam këtu për t'iu përgjigjur mllefeve apo inateve tuaja personale, apo persona specifikë dhe drejtuesit. Unë nuk po e kuptoj merakun tuaj, një panoramë me emra, pse ishin më shumë persona të dënuar që u përmendën këtu? Unë nuk i jap rëndësi emrave, nëse ka shkelje evidentohet, cohet në prokurori dhe këtu mbaron. Nuk kuptoj merakun tuaj. Nuk është mirë që qytetarët dëgjojnë që një deputeti i vjen inat se ministrja ka marrë masa. Për rastin që thatë janë marrë masa disiplinore, por prokuroria ka nisur hetimet. Informacion e keni ose të vjetëruar, ose do u sugjeroja që të mos merrni informacion në kafene, ju japin të dhëna dhe jo fakte, ju ngatërrojnë.

Lefter Maliqi: Interpelanca bëhet për shqiptarët. Faktet janë kokëfortë. Mos më trego kafenenë mua, informacionin e ke nga shoferi jot, se piva kafe me zotin Kacorri. Po përgjegjësitë për këta që fitojnë gjyqet kush do ta mbajë? Më vjen keq për ty nuk ka gjë personale, por kjo është një e vërtetë e zeza mbi të bardhë se cfarë ndodh në burgje. Pse 8 të burgosur me rrezikshmëri kanë dalë tani vetëm me këtë drejtor. Si ka mundësi që SHKB dhe policia e burgjeve nuk dinte gjë për atë të Krujës. Ju mendoni se të 'fortët' në burg punojnë, jo more jo, por ata që janë hallexhi.

Ora 10:53
Lleshaj: Në 2019 asgjësuam 90 mijë bimë kanabisi, në Itali u kapën vetëm 1448 kg kanabis, këtu çmimi në maksimum (VIDEO)

Deputeti opozitar Artur Roshi akuzoi se nuk ka një plan masash nga Policia e Shtetit për aksionet anti-kanabis. "Nuk është anoncuar ende një plan masash për aksionet ndaj kanabisit. Kanabisi gjenden lehtësisht në gjimnazet e Tiranës, ku prindërit mendojnë se është vendi i dijes, apo pranë rajoneve të policisë. Përdoruesit e drogës janë shkaktarë aksidentesh. Policia nuk kryen kontrolle për dhënie makine në efektin e lëndëve narkotike" tha ai.

Por ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mohoi akuza duke dhënë edhe shifra, bazuar te autoritetet italiane, por edhe ato shqiptare që sipas tij tregojnë se kultivimi është minimum historik. "Në 2019 kemi minimum historik të kultivimit të kanabisit. Përgjithësisht kanabisi është prodhuar për trafikim dhe 'klienti' kryesor në qenë Italia.

Nga burime italiane në 2019 janë trafikuar, janë kapur 1448 kg kanabis, nga 6586 një vit më parë, apo mijëra e mijëra në historinë tonë. Kjo sipas italianëve. Në tregun e brendshëm sipas të dhënave të policisë, çmimi i shitjes së kanabisit, në tregon e zi, është maksimumi historik prej rreth 800 euro për kg" tha ai.   

Ministri i Brendshëm tregoi edhe bilancin e vitit 2019 në luftën me kanabisin. "Në vitin 2019 janë asgjësuar rreth 90 mijë bimë kanabisi. Kjo është një shifër shumë e ulët" tha ai.

Ora 10:33
Interpelanca për dëbimin e Gylenistit, Lleshaj: Turku firmosi vetë! Nuk kërkoi as azil (VIDEO)

Kuvendi ka nisur me interpelancën e parë kërkuar nga deputeti Artur Roshi me ministrin e Brendshëm në lidhje me ekstradimin e mësuesit turk që dyshohet se ishte i lidhur me lëvizjen Gylen, Harun Çelik, por edhe cështje të tjera, përfshirë kanabisin. Lleshaj u shpreh se kjo është cështje administrative dhe nuk është rasti i vetëm, pasi ka shumë persona të dëbuar jashtë, ose që janë kthyer në Shqipëri nga vendet e BE-së. Për rastin, Lleshaj tha se në momentin e dëbimit turku nuk ka ngritur pretendime, gjë që vërtetohet se ka firmosur urdhrin, gjithashtu nuk kërkoi azil dhe kjo sipas tij mbyll cdo diskutim.

"Nëse para 7 vitesh kishim 130 vrasje në vit, tani kemi 50 vrasje në vit. Jemi në shifrat më minimale historike për kanabisin. Rendi është në ditët më të mira historike, por jo ajo që duam. Ju sfidoj të jepni shifra dhe jo konkluzione në ajër. Unë jam krenar që kam sakrifikuar lirinë time dhe një pjesë të rinisë për të shërbyer ndaj vendit tim, kjo më bën krenar, me këtë nuk më kompleksoni. Interpelanca i ndaj një teksti të një interviste, unë erdha për të diskutuar për shtetasin turk, ju pyesni sa të rrezikshëm janë ushtarakët për lirinë e individit.

Por shteti dhe individi përfaqësojnë të njëjtën gjë, është produkt i zgjedhjes së individit. Sa i përket rastit të turkut, dëbimi i të huajve që nuk disponojnë dokumente të rregullta është praktikë e rëndomtë e përditshme, nuk merret vendimi nga ministri, pasi ministri  merret me drejtimin politik, dëbimi është vendim administrativ. Përgjegjës janë drejtoritë vendore të kufirit dhe emigracionit, cdo vit dëbohen mijëra qytetarë të huaj që janë të parregullt. Ka dy rrugë, ose largim vullnetar ose detyrim. Me detyrim për vitin e kalkuar u larguan 45 të huaj. Në 2018 janë larguar ose dëbuar nga vendet e BE-së 99345 qytetarë të këtij vendi dhe në 2019, 7180. Ju keni pikasur një turk. Do të ishte e rëndësishme se përpara se ti japim një status politik, të ishin ezauruar hapat e tjerë ligjorë. Mund të kërkonit hetim administrativ ose nëse ka pasur dyshime se rasti është cenuar, shkelje penale, mund të ishte inicuar hetim penal.

Rasti është i tillë, Harun Çelik është ndaluar pasi u kap me vizë kanadeze të falsifikuar, nuk ka qenë rezident në Shqipëri, hyri vetëm në 5 korrik 2019 dhe doli pas disa orësh dhe erdhi në datën 8 për t'u ndaluar në dalje të kufirit. Policia për emigracionin ka zbatuar detyrimet për të huajt. Cfarë ligji është zbatuar? Është zbatuar ligji për të huajt, që thotë se dëbimi i të huajve është masë administrative që merret për largimin në bazë të vlerësimeve rast pas rast ku rezulton se ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka të dhëna se do të kalojë ilegalisht në vendet e tjera. Ky qytetar ka hyrë ilegalisht dhe do e përdorë për të kaluar në vende të tjera.

Në Shqipëri janë rreth 2 mijë turq. Masa të tilla merren edhe ndaj shqiptarëve nëse kalojnë ilegalisht kufirin. Në momentin e dëbimit nuk ka ngritur pretendime, gjë që vërtetohet se ka firmosur urdhrin dhe kjo e mbyll cdo diskutim. Dëbimi është bërë nga autoritetet përkatëse të policisë për në aeroport deri në momentin që është imbarkuar në bordin e avionit. Atij iu ofruan të gjitha të drejtat e kushtetutës për të huajt, mundësitë për të kundërshtuar aktin apo kërkimit të azilit, por ai nuk ka preferuar që të shfrytëzojë këto të drejta" tha ai.

Por deputeti Roshi, referuar faktit që mësuesi turk ishte i akuzuar në vendin e tij si pjesë e lëvizjes Gylen, armik i Erdoganit, kërkoi nga Lleshaj që Shqipëria të mos bëhet fushëbetejë e vendeve të tjera. "Mësuesi turk nuk kishte hyrë në mënyrë të paligjshme. Varësit tuaj i dhanë një urdhër dëbimi menjëherë dhe të drejtën për ankesë në ditë pushimi. Të gjithë pamë miqtë e tij që e ndiqnin pa shpresë, teksa dërgohej me urgjencë drejt Rinasit. Kjo tregonte se liria dhe jeta e tij vihej në rrezik. U shkel karta e të drejtave të njeriut.

Nuk duam që vendi ynë të bëhet fushëbetejë e vendeve të tjera. Ky gjest krijon përshtypjen se Tirana është kthyer në fushën e ideve dhe influencave të huaja për të punuar dhe investuar në vendin tonë. Ky ekstradim me të gjitha prapaskenat është hap pas për integrimin tonë në Europë.  Po sillni një debat politik të një vendi të tretë, gjë që unë e refuzoj. Kemi të bëjmë me një rast administrativsht, u kam sfiduar, që të shkoni në gjykatë nëse rasti është i atakueshëm. Vendimin për këtë e merr një nëpunës i policisë. Ata janë bijët e këtij vendi, që dinë të lexojnë vendimet e gjykatave" tha ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fati: 03/02/2020 11:17

    Nuk je per kete pune zoteri duhet tja lesh vendin dikujt tjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim