Partia e Lirisë kërkon që në seancën e së enjtes të futet në rendin e ditës edhe një interpelancë me ministren e Shëndetësisë Evis Sala. Zëvendëspresidentja e partisë, Erisa Xhixho, tha se situate me mungesën e barnave onkologjike dhe orientimi i shërbimeve për te privati, është kthyer në një shqetësim që kërkon llogaridhënie.
“Që në muajin dhjetor e kam ngritur këtë shqetësim përpara Ministres së Shëndetësisë dhe përgjigjja ka qenë “do ta zgjidhim”. Kam kërkuar interpelancë, por Kuvendi nuk funksionon si institucion i llogaridhënies, por si një zgjatim i qeverisë që refuzon përballjen me të vërtetën. Kërkoj me urgjencë që interpelanca e kërkuar me Ministren e Shëndetësisë të futet në rendin e ditës. Duhet llogaridhënie. Duhet transparencë. Boll më me propagandë!”, shprehet Xhixho në deklaratën e saj.
Ajo rendit një sërë barnash që mungojnë të cilat përdoren për lloje të ndryshme kanceresh, tumore e kimioterapi. Njëkohësisht mungojnë shërbime si brakiterapia, trombektomia dhe PET-scan, thotë Xhixho duke rikujtuar edhe ndërprerjen e kryerjes së analizave pas datës 20 të çdo muaji.
“Qytetarët detyrohen të marrin kredi, të shesin pasuritë apo të kërkojnë ndihmë për të përballuar trajtimet në spitale private apo jashtë vendit. Dhe kjo ndodh ndërkohë që shqiptarët paguajnë nga xhepi rreth 60% të shpenzimeve mjekësore, pavarësisht se paguajnë rregullisht taksa dhe sigurime shëndetësore. Apo kur propagandohet shëndetësia FALAS. Pra, paguajnë dy herë: një herë shtetit dhe një herë për të mbijetuar”, shprehet Xhixho.
Zv/presidentja e PL thotë se nuk është realizuar as premtimi i 15 milionë eurove për barnat e Onkologjikut, ndërsa çdo shërbim i është deleguar privatit dhe sistemi shëndetësor e pacientët janë braktisur.
Komente











