Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale u mblodh këtë të mërkurë nw një seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive Dibër, Tiranë dhe Vlorë, por mungesa e kryebashkiakes së qytetit bregdetar, Brunilda Mersini, shkaktoi përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cilësoi të papranueshme mungesën e Mersinit, duke e lidhur atë me zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe protestën e së shtunës, ku sipas saj një qytetar u dhunua nga punonjës të sigurisë private.

“Për mua është e papranueshme që kryetarja e Bashkisë Vlorë nuk denjon të paraqitet në ditën e lajmëruar në Komisionin Parlamentar. E kam parë zonjën Mersini që nuk denjon të takojë tregtarët e Vlorës, operatorët turistikë. E kam parë që dalin qytetarët në protestë dhe ajo nuk i takon. Këtu, ku është detyrim të vijë dhe të flasë për Reformën Territoriale, përsëri fshihet”, deklaroi Zhupa.

Deputetja demokrate tha se mungesa e kryebashkiakes lidhet me frikën për t’u përballur me pyetje mbi situatën në Zvërnec dhe menaxhimin e fondeve publike.

“Frika ka qenë e madhe për shkak të sjelljes që bëjnë me qytetarët, duke i marrë para syve të policisë bashkiake dhe asaj të shtetit, duke i rrëmbyer banditë me uniforma të zeza. Zonja patjetër që ka pasur frikë të vijë e të pyetet këtu edhe për situatën. Ka pasur frikë t’i japë llogari Komisionit se si përdoren lekët e taksapaguesve të Vlorës, si ndahet buxheti i Vlorës. Për dy dronë janë shpenzuar 74 milionë lekë në Bashkinë e Vlorës”, u shpreh ajo.

Zhupa kërkoi që Komisioni të caktojë një tjetër datë për dëgjimin e kryebashkiakes së Vlorës.

“Uroj që bashkëkryetarët ta vendosin me detyrim që dëgjesat me kryetarët e bashkive të mos mbyllen pa dëgjuar ata që zgjedhin të kenë një punë tjetër ditën kur janë thirrur. Kërkoj nga ju të vendosni një datë tjetër që ajo të paraqitet në Komision. Të vijë më shpejt këtu para se të shkojë te SPAK-u, se e di që do të ketë punë atje”, tha Zhupa.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, i cili theksoi se Komisioni për Reformën Territoriale nuk është komision hetimor dhe nuk ka si qëllim marrjen në pyetje të kryetarëve të bashkive.

“Jam dakord që të gjithë kryetarët që për arsye të caktuara nuk e kanë pasur të mundur të jenë të pranishëm, të kenë një mundësi tjetër për të marrë pjesë. Por dua të sqaroj se ky është një komision dëgjimor, jo hetimor. Nuk e ka tagrin të thërrasë me detyrim kryetarët e bashkive”, deklaroi Mazniku.

Sipas tij, kryetarët e bashkive janë institucione të pushtetit vendor të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët dhe Komisioni mund t’i ftojë vetëm për të dhënë mendimet e tyre mbi reformën.

“Nuk jemi këtu për t’u bërë gjyqin kryetarëve të bashkive. Kryetarëve të bashkive ua bëjnë gjyqin qytetarët që i votojnë. Komisioni fton palët e interesit për të dhënë opinionet e tyre dhe jo për të kërkuar llogari në kuptimin hetimor të fjalës”, u shpreh ai.