Mungesa e mjeteve zjarrfikëse është kthyer në shqetësim për banorët e Patosit.
 
Ata thonë se shpesh po përballen me problematikën e zjarreve, por mungesa e zjarrfikëseve ka bërë që shumë vatra zjarri të përhapen dhe për pasojë të rrezikohet edhe jeta e qytetarëve.

Në ndihmë qytetarëve të Patosit për fikjen e zjarreve ka ardhur zjarrfikësja nga Albetroli ose zjarrfikëse nga qyteti i Fierit.

Sipas Kryebashkiakes së Patosit, Rajmonda Balili, reparti zjarrfikës i Patosit ka një marrëveshje me Albpetrolin, ku në rast zjarri ajo të vihet në dispozicion të menjëhershëm të efektivit.

“Ne kemi filluar të bëjmë kërkesat që herët që kur kemi konstatuar gjendjen e infrastrukturë paefektshme e cila i është transferuar bashkive. Ne i kemi venë në dispozicion një mjet me të cilin lëviz ekipi. Kemi rregulluar këtë marrëdhënie me Albpetrolin i cili ka qen disponibël në të gjitha rastet, por shpenzimet e bazës materiale janë tonat”, tha Balili.

Gjithashtu, edhe drejtori i repartit zjarrfikës në Patos, Alket Halimi, shprehet se në Repart është i domosdoshëm një mjet zjarrfikës për ti shërbyer në kohë komunitetit të Patosit.

“Automjetet zjarrfikës të cilat janë jashtë përdorimit, janë të viteve ‘70 dhe janë të amortizuara si dhe nuk kryejnë asnjë lloj funksioni. Neve na nevojite një automjet zjarrfikës për ti shërbyer në kohë qytetarëve të Patosit”, tha Halimi.

Pas kërkesave të shpeshta për të siguruar një mjet zjarrfikës, ata thanë se na është premtuar dhe shumë shpejt me ndihmë edhe të Bashkisë, Reparti i Patosit do të ketë një të tillë.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com