'Muri i Kaltër' përcaktoi zgjedhjet presidenciale amerikane! Ja si fitoi Donald Trump

'Muri i Kaltër' përcaktoi zgjedhjet presidenciale amerikane! Ja si fitoi Donald Trump

Donald Trump

“Muri i Kaltër” doli në pah teksa ish-presidenti Donald Trump triumfoi në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ekspertët thanë se shqetësimet për imigracionin dhe kostot e larta të jetesës qenë faktorë përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve.

Sfidueses demokratike të tij, nënpresidentes në largim Kamala Harris, i duhej të fitonte shtetet kyç të luhatshme, Miçiganin, Uiskonsinin dhe Pensilvaninë, të njohura si shtete të “Murit të Kaltër”, sepse janë bastione tradicionalisht “të kaltra” apo demokratike.

Por, brenda pak orësh, kanali televiziv amerikan Fox News u bë i pari që shpalli Trumpin fitues në Pensilvani dhe në Uiskonsin, që nënkuptonte se ai kishte vota të mjaftueshme elektorale për të shpallur fitoren në mbarë vendin. Harris, e cila duhej të fitonte në të tri shtetet e “Murit të Kaltër” për të siguruar presidencën, ishte në disavantazh dhe në Miçigan.

“Duket se, për të tretat zgjedhje rresht, sondazhet e kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trumpin”, ka thënë profesori i Kolegjit Juridik të Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Brian Kalt, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, para se rezultatet të diheshin.

Disa ekspertë lanë hapësirë për një proces të zgjatur në rast se ndonjëra palë kërkon rinumërim apo hetime për vlefshmërinë e votave të hershme, disa prej të cilave ende po mbërrijnë me postë.

Peter Skerry, profesor i shkencave politike në Kolegjin e Bostonit, ka thënë se të dyja palët – demokratët dhe republikanët – janë të përgatitura për të kontestuar një rezultat që s’është në favorin e tyre, dhe se “ka shumë mundësi që këto [zgjedhje] do të zvarriten”.

Shpallja e rezultateve në disa shtete të luhatshme, si shteti perëndimor Nevada, pritet të vonohet. Rebecca Gill, profesoreshë e asociuar e Shkencave Politike në Universitetin e Nevadës, në Las Vegas, ka thënë, para se mediat të fillonin të raportonin se Trump ishte drejt fitores, se fletëvotimet e dërguara me postë pritet të monitorohen me kujdes të shtuar.

“Në zgjedhjet e mëhershme, kjo nuk ka pasur shumë rëndësi, sepse margjina e fitores ishte më e madhe sesa numri i fletëvotimeve me postë”, ka thënë Gill. “Nuk dihet nëse kështu do të ndodhë edhe këtë herë”.

Në fund, votuesit amerikanë u dukën më të brengosur nga çështjet e brendshme, pavarësisht sugjerimeve para zgjedhjeve se qëndrimet e kandidatëve karshi konflikteve në Lindjen e Mesme, luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe marrëdhënieve të Uashingtonit me Kinën mund të ishin faktorë të mëdhenj në përcaktimin e fituesit.

Politika e jashtme “nuk ishte fare temë e rëndësishme”, ka thënë Skerry, duke theksuar se kjo është e zakonshme në zgjedhjet presidenciale amerikane. “Ajo që ka rëndësi është imigracioni dhe kostoja e jetesës”.

Gill ka thënë se çështja e të drejtave riprodhuese, teksa votuesit në 10 shtete vendosën për të futur të drejtat për abort në kushtetutat e shteteve të tyre, ishte motivues i madh për gratë për të votuar, pavarësisht përcaktimit partiak

Para zgjedhjeve, shumë votues dhe politikanë shprehën frikën e tyre se mund të ketë dhunë politike pas përfundimit të procesit të votimit, veçanërisht në rast të një gare të ngushtë.

Skerry ka thënë se të dyja palët janë “të përgatitura” për dhunë të mundshme, dhe se Shtetet e Bashkuara po përjetojnë “një periudhë të tensionuar dhe të rrezikshme, pa dyshim”.

Gill ka thënë se situata “ka qenë shumë e tensionuar” dhe ka theksuar se autoritetet në disa shtete, përfshirë shtetet e luhatshme Xhorxhia dhe Miçigan, kanë raportuar për kërcënime me bomba, që iu faturuan Rusisë.

Por, Gill ka thënë se ajo “nuk është në dijeni për incidente të shumta dhune” gjatë votimeve, dhe se opsionet alternative të votimit, si votimi i hershëm, kanë reduktuar radhët e gjata në vendvotime, të cilat mund të kishin rritur mundësinë e konfliktit. /Përgatiti për Rel Tritan Haliti/

 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja