PRISHTINË, 8 Dhjetor/ATSH-Behlul Jashari/- Kandidati për kryeministër të Kosovës Isa Mustafa para Kuvendit të Kosovës ka shpalosur pikat kryesore të programit të tij qeverisës. I mandatuari për Kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa në seancën e Kuvendit thekson projektin për lidhje hekurudhore me Shqipërinë, duke paraqitur vizionin e tij për qeverisjen në katër vitet e ardhshme, Në fjalimin e tij para deputetëve, Isa Mustafa premtoi një qeverise stabile, efikase të përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe në kultivimin e partneritetit me faktorin ndërkombëtar.
Mustafa u zotua për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Po ashtu, ai u zotua për krijimin e një ambienti të sigurt të sundimit të rendit dhe ligjit. Në pika të përgjithshme, Mustafa veçoi edhe angazhimet në fushën e arsimit e shëndetësisë. Programi qeverisës, sipas kryeministrit tashmë të zgjedhur bazohet në katër parime kryesore. "Programi qeverisës përqëndrohet në këto shtylla... sundimi i ligjit, arsimi, shëndetësia moderne,punësimi, ekonomia. Shtylla e parë e programit do të jetë zhvillimi ekonomik", tha ai. Mustafa ka premtuar edhe ndryshimin e politikave tatimore si dhe lehtësime në raport me investimet e jashtme. "Sundimi i ligjit është përcaktues për qeverisjen e mirë. Qeveria do të punojë kundër krimit, terrorizimit korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative", tha Mustafa, duke iu adresuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
/y.pa/











