PRISHTINË, 16 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Pak orë para seancës së nesërme konstituive të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, i propozuari për kryeparlamentar i koalicionit paszgjedhor, lideri i LDK-së dhe opozitës, Isa Mustafa, shprehet i sigurt se bashkë me AAK-në e Nisma-n kanë grupin më të madh parlamentar.
Ai thekson se, "me marrëveshjen paszgjedhore kemi siguruar grupin më të madh parlamentar, na takon ta propozojmë Kryetarin e Kuvendit dhe do të sigurojmë votat që ta zgjedhim Kryeministrin".
Mustafa siguron se, "Kosovën do ta ndërtojmë me thellimin e partneritetit me vendet e BE-së dhe SHBA-së, si dhe me vende të tjera që kanë përkrahur Kosovën në proceset e pavarësisë dhe shtetëndërtimit".
"Këto vende kërkojnë të vazhdohet me dialogun dhe Kosova të implementojë marrëveshjet nga dialogu. Dialogu i ka dhënë rezultatet e tij, janë mbajtur për herë të parë zgjedhjet në tërë territorin e Kosovës; përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore sot janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ata po integrohen. Fondet që i jep Serbia për serbet e Kosovës do të kalojnë përmes thesarit të buxhetit të Kosovës, ato nuk do t'u shërbejnë më grupeve kriminele serbe e shqiptare. Kjo është e arritur. Kosova dëshiron reciprocitet dhe dialogu zhvillohet mbi baza të reciprocitetit dhe me subjekte reciproke", shkruan lideri i LDK-së në Facebook.
Ai përkujton edhe se, në Kosovë është në përfundim e sipër procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.
"Ka pasur dhe ka shumë vërejtje për këtë proces, por konsideroj se ky proces është i pakthyeshëm ashtu siç është e pakthyeshme prona shoqërore dhe sistemi të cilit i ka shërbyer kjo pronë. Prandaj, vërejtjet për kërkesat që kanë të bëjnë me hetimin e procesit të privatizimit ose për vlerësimin e privatizimit nuk kanë të bëjnë me faktin se aty nuk ka pasur lëshime. Lëshimet le t'i ndjekin organet që kanë përgjegjësi ligjore ta bëjnë këtë punë, ndërkaq qeverisja e ardhshme duhet të krijojë mekanizma që këto firma dhe prona të privatizuara të aktivizohet dhe të shndërrohen në asete ekonomike, në vende të punës dhe zhvillim", shprehet më tej lideri i LDK-së, pjesë e koalicionit paszgjedhor me AAK-në e Nisma-n, që pret edhe marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka deklaruar përkrahje të kushtëzuar.
"Konsideroj se do ta kemi të lehtë ta gjejmë interesin e marrëveshjes sonë, nëse e qartësojmë se a dëshirojmë të shikojmë mbrapa apo përpara. Unë jam që të gjejmë këtë interes për të shikuar përpara, për ta nxjerrë këtë vend nga kapja e shtetit, nga krimi dhe nga gjendja e rëndë ekonomike. Për të zgjidhur problemet e së kaluarës, kontributi më i madh i yni do të ishte që të mos interferohemi dhe të depolitizohet sistemi gjyqësor, që ky sistem në mënyrë të pavarur ta bëjë punën e vet", përfundon Mustafa.
Ndërsa fillimisht, kryetari i LDK-së, është shprehur se, "qeverisjen e mirë e siguron platforma e qartë që përcakton programin qeverisës, pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë e partnerëve në qeverisje dhe mekanizmat që rregullojnë këto raporte. Por unë jam ithtar edhe i besimit reciprok si një parakusht themelor, sepse në këtë vend janë nënshkruar dokumente të rëndësishme por më vonë nuk janë zbatuar"./k.s/./a.g/