Mustafa e Thaçi në SHBA kërkojnë
mbështetje për UNESCO e Interpol

Mustafa e Thaçi në SHBA kërkojnë<br />mbështetje për UNESCO e Interpol
Të dielën, kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, si dhe shefin e delegacionit të Norvegjisë në punimet e AP të KB-ve, ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende.

Siç thuhet në një njoftim të Kryeministrisë, gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për prioritetet e Programit Qeveritar për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Duke vlerësuar përkrahjen që Luksemburgu dhe Norvegjia kanë dhënë deri më tani, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejshme për zhvillimin ekonomik si dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, me prioritet të veçantë në UNESCO dhe INTERPOL, si dhe agjendën integruese evropiane”.

“Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për proceset integruese evropiane, duke bërë të ditur se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe se pret finalizimin e këtyre proceseve”.

“Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimeve, po ashtu ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral me Luksemburgun dhe me Norvegjinë”.

“Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Republikën e Kosovës. Kryeministri Bettel po ashtu theksoi përkrahjen e Luksemburgut për proceset integruese të Kosovës si dhe ka shprehur vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”.

“Edhe ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Borge Brende, gjatë takimit ka theksuar përkrahjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Kryeministri Isa Mustafa, po qëndron në Nju Jork, ku është ftuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, që të marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të mbahet më 29 shtator.

Kryeministri Mustafa, me delegacionin qeveritar, do të zhvillojë takime me liderë të shteteve të ndryshme të botës si dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e rajonale. /Telegrafi/

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'I fali 6 milje det, në fund donte t'i falte Himarën' Kreshnik Spahiu: Berisha edhe në aleancë me Athinën nuk fitoi dot

'I fali 6 milje det, në fund donte t'i falte Himarën' Kreshnik Spahiu: Berisha edhe në aleancë me Athinën nuk fitoi dot