Mustafa Kruja: Lëvizjet që
çuan Zogun në Pushtet

Mustafa Kruja: Lëvizjet që<br />çuan Zogun në Pushtet
Parlament’i vjetër qe mbledhur n’Elbasan me kushtrimin që i lëshoi kryetar’i tij Eshref Frashëri e me përkrahjen e leader-it të vërtetë të... partisë përparimtare, Shefqet Vërlacit! Ç’e bëri Vërlacin të përkrahë kundërshtarët e partisë së tij, klikën e njerëzvet që deshën të vrasin në Gjirokastër njërin nga eksponentat më të shquarët të klasës së tij dhe Ahmet Zogun që me zêmër e urrente? Vetëm frika? Frika po, por nga kush? Frika e diktatorit ngadhnjimtar qi po marshonte mbi Tiranë, kjo ësht e sigurtë; por edhe frika e një kryeministri që kishte treguar tendenca diktatorjale me trimrin’e energjin’e tij të pashoqe në luftën e Vlorës, e një kryeministri që kishte nxjerrë nga list’e qeverisë së tij një Hasan Prishtinë vetëm pse thirrej Hasan Bej, e një kryeministri që pëshpritej se kishte vrarë Sirri Be Vlorën. Kështu mund të spjegohet qëndrim’i Vërlacit n’atë rasë. Dyshonte ndofta edhe se rival’i tij n’Elbasan Aqif Pashai, që ishte Kryetar i K. të Naltë, kishte sjellë Koculin për ndonjë djallzi kundra atij personalisht. Sido qoftë, ai gjest, që ishte dhe një vëndim për t’ardhshmen e shpejtë, qe grusht’i parë e vëndimtar i asgjësimit të partisë përparimtare.

            Me dorheqjen e Koculit, na gjashtë deputetët që kishim bashkpunuar me K. e Naltë u tërhoqëm. Ai thirri e i a ngarkoi kryesin’e qeverisë Hasan Prishtinës, i cili mbajti po ata shokë që kishte parardhs’i tij tuke marrë brënda edhe Dakon. Qeverij’e Prishtinës ishte përplitj’e një situate tashmë kokprerë e pa shpresë. Ngjati tri dit e u shtrëngua të hiqet nga grev’e nëpunësve të gjith’administratës qëndrore me nxitjen e Rauf Ficos, zogist. K. i Naltë u bind atëherë se Klika dhe Zogu, të lidhur dorpërdorë në një blok të patundshëm, i kishin lëshuar rrënjët tepër thellë n’administratën e Shtetit e ndër politikanët, të mëdhaj e të vegjël, të Shqiprisë, sidomos të Jugës. Bejlerët, me Vërlacin në krye, aty e tutje do të rivalizojshin me klikën për të fituar një vênd më t’afër te diktator’i ri. Prandaj, K. i Naltë vëndosi të presë atë për t’a formuar qeverinë.

Po them vëndosi t’a priste, se jo që e thirri; thërritur e kishin: 1) klika, qy ditën që e kishte emruar komandar, vetrritur pastaj kryekomandar; 2) pazotsij’e kundrështarve të tij; 3) miopij’e demokratet popullorë, vegla vullnetare të binomit Eshref – Zog. Ai po vinte vetë, po bënte atë që kishte bërë Mussolini nja dy muaj më parë: la marcia su Tirana! Mos qe frymzuar vallë prej veprës së diktatorit të Romës? Po e priste, pra, K. i Naltë e gjer sa t’arrinte, thirri Idhomenë Kosturin, atë patrijot të shquar që atentatorët komunista vranë në Durrës, e e emroi kryeministër të përkohshëm që të kujdesohej për administratën e Shtetit me kryesekretarët e ministrivet për shokë.

            Pas nja dý javësh, Zogu arriu në Tiranë me nja 4000 Matjanë, Lumjanë e Dibranë dhe dy bataljonat e rregullt që pat hequr me vete, siç e kam thënë më parë. Zbriti në komandën e përgjithëshme të gjëndarmërisë. Menjëherë nisi të nxjerrë dekrete si kryekomandar i Shqiprisë. Ftoi parlamentin nga Elbasani (por shumë deputetë kundrështarë, natyrisht s’kishin vajtur n’Elbasan) në kryeqytet ku tashmë “mbretronte qetsija”. Nuk deshi të bëhet vetë kryeministër dorpërdorë, vazhdoi taktikën e gjeratëhershme si demokrat modest e model, shënoi n’atë vênd një nga veglat e tija, Xhafer Ypin. Pastaj nisën hetimet parlamentare kundra kolegve të komprometuar e antarve të K. të Naltë, et. et. et.

            Partí më në realitet s’ka në parlamentin shqiptar. Përparimtares s’i ka mbetur më as emri. Popullorët dal’e nga dalë nisin të zgjohen nga gjumi. Shumë prej Populloret vullnet mirë të dehur nga formul’e Eshref Frashërit popull e fise, të trëmbur nga diktatura imagjinare e Mustafa Krujës sepse qe tuke shtypur e qëruar esadizmën dhe nga ajo e Luigj Gurakuqit sepse “me një fjalë goje mund të zbresë poshtë tërë malsorët e Shkodrës”, të cilët mb’anë tjetër përgjëroheshin, të gjorët një herë, mbi shpirtin demokratik të Zogut, ata popullorë zunë tashti të bërtasin kundra diktaturës që kishin përpara syve të tyre me të tërë peshën e saj e që kishin përgatitur vetë me duart e veta. Siç e kam thënë më lart, kur Zogu s’kishte më nevojë për ta e kur ata s’kishin më ç’i bëjshin veçse të derdhshin lumej rhetorike në parlament, atëherë u ngritën peshë për t’a kundrështuar. Ai tallej me rhetorikën e tyre.

Kjo vetëm një gjë bëri, një gjë të cilën historjani mbase do t’a quaj më shumë dëm se dobí: krijoi frymën e atentatit të parlamentit me dorën e Beqir Valterit, efekt’i të cilit atentat qe vrasj’e Avniut, nga e cila vrasje lindi lëvizj’e qershorit e nga e cila lëvizje erdhi republika e pastaj monarqia zogiste. Un vetë sot jam me mish e me shpirt partizan i ksaj monarqije, në qoftë se një ditë do të kemi prap një Shqiprí të lirë, dhe me aqë bindje sa kisha kur luftoja kundra saj: kanë ndryshuar kohrat e rrethanat, kam ndryshuar dhe un. Kjo, entre parenthèses;   se Juve s’po Ju intereson as bindja e persona e ime as koha e tashme, por vetëm e shkuara, historija.

  Qy nga mars’i 1923-shit gjer në qershorin e ’24-s un isha i ikur jashtë. Prandaj hollsirat e ngjarjeve t’asaj perjode: grindjet në mes të Popullorvet e Zogut, atentatin e Valterit, vrasjen e Avniut dhe lëvizjen e qershorit, i dij vetëm me të ndëgjuar. Por hollsirat s’kanë rëndsí. Faktet esencjale janë të njohura fare mirë. Zogu, si mbaroi të gjitha punët që i duheshin me parlamentin e vjetër të paligjshëm, sepse i shpërndarë legalisht prej qeverisë së P. Evangjelit me dekret të K. të Naltë, vendosi të bënte zgjedhje të reja për një kuvênd kushtetues (Assemblée Constituante). Në Shkodër fitoi prap antizogizma me Gurakuqin në krye. Siç Ju kam thënë, Përparimtare s’kishte më; por as Popullore jo, se Zogu n’ato zgjedhje dolli para popullit si Zog, me një listë të tijën, dhe fitoi shumicën e deputetëvet e u bë kryeministër.

Nga ish - Popullorët kishin mbetur me të vetëm Eshref Frashëri me pak elementa të klikës së tij, tjerët bashkë me Shkodranët aty e tutje formojshin Opositën; me kët’emër luftuan për disa muaj në parlamentin e Shqiprisë kundra qeverisë së Zogut elokvencat më të shquarat që ka pasur: Gurakuqi, Fan Noli, Ali Klisura, Stavro Vinjau. E tërë Shqiprija e mësoi këtë fjalë të huaj: oposita; e mësoi aqë sa dhe emrin e Zogut. Pas vrasjes s’Avniut oposita u trondit, por s’u trêmb. Përkundrazi vëndosi t’a transformojë luftën legale parlamentare në luftë të vërtetë me armë. Dhe këtë jo me komplote, por sheshit. Gjithë deputetët e opositës ikën e vajtën në Vlorë. Atje, i vetmi kundër të gjithve që u përpoq t’a ndalonte një lëvizje kryengritëse qe Luigj Gurakuqi.

U përmêndi ish - kundrështare të tij se kishin tri vjet që ishin çjerrë tue i thënë popullit se Zogu ishte një fatos i kombit e i demokratisë: se vetëm tre muaj e tëhu kishte nisur ky popull të ndëgjonte me çudí nga goj’e tyre se ai ishte një diktator; se nuk ishte gjë e lehtë të ngrihej një popull mbë këmbë me armë në dorë kundra një qeverije që ka të tëra format legale sepse u vra një njeri, të cilin populli s’e shikon me atë sy që e shikon një pakicë e zgjedhur, dhe nuk duhej harruar se para asaj vrasjeje kishte ngjarë mû në ndërtesën e parlamentit një plagosje jo më pak e rëndë ndër sy të popullit. Gurakuqi ishte i bindur se populli nuk do të lëvizte.

Mund të bëhej një kryengritje me ushtrí, por me popull jo. E kryengritjet me anën e ushtrisë s’kishin dhënë kurrë përfundime të mira. Fuqija do të biente ndër duar të komandarve t’ushtrisë e këta, si Kasem Qafzezi ashtu dhe Rexhep Shala, s’kishin asnjë farë kapaciteti. Do të krijohej një anarqí që nuk dihej se ku do t’a shpiente vëndin. Këto e tjera foli i gjori Gurakuq në Vlorë me djalektikën e tij të pashoqe, por nuk bindi dot asnjeri. S’kishte askush më gjykim, mëndjet ishin turbulluar e Zogu duhej të shkonte me çdo kusht.

   Të dy kolonelat që komandojshin grupin ushtarak të Jugës (Qafzezi) dhe atë të Veriut (Shala) u radhosën me revolucjonarët, ndër të cilët ishte dhe vetë Gurakuqi tuke i u shtruar vullnetit të shumicës. Populli, siç e kishte paraparë Gurakuqi, s’tregoi askund enthusjazëm. Pak çeta djelmsh të rij aty - këtu dhe disa qindra malsorësh të Shkodrës zbritur pas Gurakuqit e Xhemal Bushatit. Me sa dij un vetëm në prefekturën e Shkodrës u derdh pakëz gjak, ku qe mbyllur me një pjesë të gjëndarmërisë për të qëndruar (resistuar) Kap. Ferid Frashëri, një oficer militant e fanatik i klikës dhe besnik i Zogut, i cili u vra atje edhe vetë. Të dý pjesët e ushtrisë u bashkuan në kryeqytet, kur Zogu kishte dalë e ishte nisur qetsisht për Jugoslaví.

  Përgjegja për sa më keni pyetur Ju, Z. Profesor, këtu merr fund. Authenticiteti historik i faktevet që Ju kam përshkruar ësht i garantuar. Mund të më ketë tradhtuar kujtesa për ndonjë datë, ndonjë emër sekondar a ndonjë hollsí tjetër. Por n’esencë Ju kam shkruar për historí, për vërtetsin’e së cilës kam një nderim që vete gjer në kult. Politika ësht tjetër gjë, propaganda e interesuar, personale a partizane, fare tjetër. Këto mua s’m’interesojnë. Kam pasur solicitime, përgjërime, presjone miqsore prej shum’anësh që të shkruaj kujtimet e mija. Nga një herë edhe tëndime të brêndshme. Të gjithave u kam qëndruar. Se un, po të shkruaj dua të shkruaj historí, jo politikë, jo propagandë personale. E historija duhet të jetë e vërteta vetë, po e vërteta ësht për shumë kênd e hidhur e nga një herë edhe e dëmshme.

Kështu si Juve më ka takuar t’i shkruaj mbi ndonjë pjesë të kujtimeve të mija edhe ndonjë studjozi tjetër shqiptar. Kam ruajtur kopjet e atyre shkrimeve, siç do të ruaj edhe të këtij t’Uajit. Sikur të kisha ngatrruar historinë me politikën, një pjesë të madhe të këtij shkrimi do të Ju a kisha treguar në një tjetër dritë, do të Ju a kisha përshkruar me ata sy që e shoh sot. E do të kishte qênë shtrëmbrim’i historisë. Ase do të Ju kisha kërkuar ndjesë e s’do t’a kisha shkruar fare. Por s’Ju njoh aspak e Ju kam shkruar sikur të Ju kisha njohur qy së vogli. As un s’e dij se nga më vjen ky çëmim e besim për juve. Këndim’i një konference e i një letre ësht tepër pak për t’a ligjuar (justifikuar).
Thema e tendencavet politike që paskeni zgjedhur për titull dorpërdorë për veprën t’Uaj ësht tepër e vështirë, tepër e mërzitshme dhe, franchement,  tepër miserable  në historinë e hershme dhe të vonë të popullit t’onë. Prandaj, si titull një herë Ju kshilloj që t’a ndryshoni me doemos. Në fund të fundit, sipas planit që këndova, s’përbën as pjesën esencjale a qëndrore të veprës. Asaj duhet t’i bieni nëpër tê aqë sa do të jetë nevoja për të lidhur kohët e ngjarjet shoqe me shoqe pa i thelluar gjer atje ku zë t’errtohet ase të bjerë erë të keqe.

            Un kam botuar në të përmuajshmen politike ALBANIE LIBRE (për fat të keq s’kemi një rivistë) ca studime historike: I. Mbi emnat Arbën, Arbnesh e Shqiptar. – II. Mbi dynastin’e Kastrijotvet. – III. Mbi Arbreshët e Greqisë. Secili ësht botuar në 3 - 4 numra me radhë. Duket se nuk e merrni atë gazetë e prandaj s’i keni kënduar ato studime të mija.
            Këtë shkrim do të Ju a dërgoj të porositur si manuskript. Pasi ësht i gjatë e pastaj edhe shqip, prap se prap kam frikë se mos t’a marrë censura e t’a hjedhë në ndonjë pus pa fund. prandaj, për të më qetsuar, me t’a marrë Ju lutem të më lajmëroni.
            Mbetem me shumë të fala, Z. Profesor.
                                                                                                                        Mustafai
 
 
 Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Kalendari/ Superliga me 'fotofinish', vendi i katërt përcaktohet javën e fundit! Raundi i 35-të të mërkurën në një orar

Kalendari/ Superliga me 'fotofinish', vendi i katërt përcaktohet javën e fundit! Raundi i 35-të të mërkurën në një orar