“Ka shpenzime të mëdhaja për me mbajtun dekorin e vet, për me ushqye nja 50 shpirtë e me sigurue familjen për nji t’ardhëshme sod për sod ende krejt të panjohun për tê...”, i shkruan Kruja Margjokës, ndërsa përmend se edhe pronën e shumëpërfolur në Amerikë e kishte marrë duke lënë peng në një bankë amerikane bizhuteritë e mbretëreshës Geraldinë dhe të princeshave, motrave të tij. Kruja ia parashtron këtë gjendje të mbretit, duke i lënë të kuptojë atit françeskan që të mos vari shpresat për ndihmë financiare nga mbreti Zog.
Pas kësaj Kruja nis ti përgjigjet siç ndodh në çdo letër të tij me Margjokën, për çështjet historike që ky i fundit e pyet. Ai përgjigjet shkurtazi për tre çështjet e para, ndërsa i lë hapësirën më të madhe çështjes së Kongresit të Lushnjes, një temë e gjatë të cilën ne do tua ofrojmë lexuesve në ditët në vijim. Ky pasazh i kësaj letre të gjatë është shkëputur nga vëllimi i katërt i letërkëmbimeve të Krujës, me At Paulin Margjokajn, botuar para pak ditësh nga shtëpia botuese “OMSCA-1”.
Letra e Mustafa Krujës
Ramleh (Aleksandrí), 15. I. 1952
I dashuni mik,
Deri tash herë T’a kam sjellë fjalën tue të thirrë Atë e herë mik.Tash e mbrapa ndër letra kam me të quejtun kurdoherë vetëm mik, tue i dhânë ksaj fjale kuptimin e vërtetë qi ka për Shqiptarin (e, kujtoj, edhe për Gjermanin) e jo atë formalin qi i epet kujdo kur i shkruhet. Atë, jam i detyruem me i thánë çdo rregulltari të njohun po të më duhet me i shkrue nji letër. E kur të jetë shkrue me na pjekun Zoti gojë me gojë, ke me qênë Pater Paulin. Madje ai intimitet qi ndiej në zêmër me Tý, dalkadalë ka me më bâmë pa dashun me harrue edhe t-n e madhe të premnit alla tedesca.
Para se me hŷmë në zhvillimin e programës s’eme historike qi kam vizatue në mênd, do të flas pikë së pari për çashtjet private e së dyti do T’ap ato sqarime qi po më lyp në letrën t’Ânde.
Nuk dij a i a ke shkrue Mbretit letrën e shkurtën qi kishe lânë për mbas Krishtlindjesh. Un e kam pamë shi pardje e s’më zûni asgjâ me gojë. Me 29 dhetuer qi shkoi, kishem prap nji bisedim me tê, qi largas mund t’i a kishte kujtue punën t’ânde. As atëherë s’më pat thânë gjâ. Nuk dij ç’me të thânë. Me Të thânë qi ai kapitull tashmâ duhet zânë i mbyllun e mos me e mendue mâ, drue se gaboj; por as me u pështetun mbë tê për planet e systemimit t’ând privat nuk guxoj me Të kshillue. Në fund të fundit rruga mâ e urta âsht ajo qi paske caktue vetë.
Mbandej n’ardhtë e mira, mirse të vijë : sigurisht e padobishme s’jet se s’jet. Por disa konsiderata të Tuja rreth ksaj çâshtjeje, s’po i lâ pa i shoshitun pakëz, se më duket qi kanë mbrenda mjaft miell, por edhe krunde. Më kanë thânë ose kam këndue kushdi se kur e se ku, se gjyqtarët n’Anglí përpiqen me i kufizue sa mâ fort qi munden miqsít e tyne. Edhe historjani mund të krahasohet shumë mirë me gjyqtarët, se edhe ai âsht nji gjyqtar, sidomos ky krahasim vlén aqë mâ tepër po qe se marrim me shkrue historín e kohës s’onë. Ka, veç, edhe kjo rregull - nëse po e quejmë kështu - përjashtimet e veta. Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta. A s’âsht kjo qëllimi përfundimtar i krejt filozofís? E kush mundet me na qortue atbotë nëse na kemi atë forcë karakteri me e vûmë këtê te ka vêndin, dmth. përmbi çdo lidhní personale?
Do t’a kesh kuptue prej shkrimeve të mija se sa ngusht kam qênë lidhun un personalisht me Esat Toptanin. Me gjithë këtê, për të gjallë të tij ende, sŷ ndër sŷ, gojë me gojë, s’e ndala veten pa i a thânë të vërtetën e pa veprue kundra tij ashtu si më urdhnoi ndërgjegj’ e ime. Nji herë pata votun me i bâmë nji vizitë në shtëpí të tij në Tiranë. Se detyrimet private qi m’impononte miqsija s’i lêjshem kurrë mângut kundrejt tij. Ishte tue ndêjtun me të nipin, Xhemil Be Vlorën. Por sa hŷna mbrênda e i përshëndeta, i tha Xhemil Beut: “Ky âsht mâ i madhi kundrështar i im, ky qi kam pasë kujtue se s’do t’i a pritonte edhe pushkë me qitun për mue, si axha i vet!” I u përgjegja flakë për flakë e me gjak të ftohtë: “Pashë, hiq dorë prej këtyne punëve qi ke nisun për dâm të Shqipnís e provomë atëherë a qes a s’qes pushkë për tý!”
Në 1913, po udhtojshem prej Elbasani, ku ishem drejtuer arsimi, për Krujë për me u martue. Ai porsa kishte shpallë në Durrës qeverín e tij shqizmatike kundra Ismail Kemalit (tetuer). Shkova me e vizitue. Qiti prej sŷthit të tryezës së tij nji fletë të shkrueme e m’a dha me e këndue. Ishte shpallj’e tij e hartueme prej Faik Konicës, mikut të madh të P. Gjergj Fishtës! E mbarova së kënduemi e i a vûna me respekt mbi tryezën qi kishte përpara. “Eh, më pyeti, si të duket?” “Nji akt tradhtije, pashë”, i u përgjegja. Ka qênë tejet gjakftohtë. Menjiherë e ktheu dramën në komedí, në nji komedí sympathike, tekembramja. M’u kërcnue se tash po më ndalte në Durrës e nusja po rrinte në shtëpí të vet. Natyrisht, jo veç qi s’e bâni këtê, por ditën e martesës i dërgoi t’im et edhe nji telegrafë urimi. S’po shkoj mâ gjatë me këtê themë, por ndish po due me thânë se edhe Ti do të mujshe me shkrue të vërtetën historike edhe kur kjo mund t’i biente ndesh ndienjave të Tuja personale.
Edhe diçka tjetër due me shtue, e vetëm për hir të së vërtetës: Mbreti, sikurse më ke pasë shkrue, u ka pasë ndihmue françeskanvet, institutevet kulturore, vezhgimevet historike gjuhsore. Por kur? Kur ishte njimend mbret dhe kishte në dorë Shtetin e kasën e këtij. Ndërsa sod... e din luga ça ka vekshi. Shumë shfaqje të përjashtme, shumë të thâna, ku rrêna e ku të vërteta, na shtyjnë me besue se Mbreti do të jetë fare mirë në gjêndje me shpenzue për nji interesë kombtare 1200 dollarë. Ç’kishin me qênë kaqë pare për atê, qi shpenzon njiqindmijë dollarë për nji pronë n’Amerikë? Mb’anë tjetër, veç, gjithnji gazetat amerikane janë qi kanë shkrue se për atë shumë i ka lânë peng bankës xhevahirnat e së shoqes e së motravet. Më qiti rryma tepër thellë për nji akt të Mbretit pa karakter politik.
E s’jam tue dashun aspak me u bâmë avokat i tij në këtë pikë. Por m’erdh në gojë nji proverb shqiptar, qi ka vênd edhe për Mbretin, se edhe ky gjindet ka 13 vjet në mërgim, ka shpenzime të mëdhaja për me mbajtun dekorin e vet, për me ushqye nja 50 shpirtë e me sigurue familjen për nji t’ardhëshme sod për sod ende krejt të panjohun për tê. Shpesh herë - e këtê e kam konstatue vetë - vullnet’ i mirë e çon me premtue lehtas e mbrapa, kur vjen puna me nxjerrë, i vijnë para sŷsh gjith’ato realitete qi numrova un dhe... bân se ka harrue. Âsht nji ves edhe ky, e dënohet; por gjykues’ i drejtë s’mund t’i a mohojë edhe shkaqet lehtuese. E me kaq po i apim fund edhe ksaj theme.
Tash përgjegje pyetjeve Tuja :
1) Qeverij e Turkhan Pashës ishte qeverí e përkohshme e s’kishte regjencë ; prandej Bumçi në këtë qeverí ishte vetëm mis e delegat si të gjithë tjerët. Ka kryesue dërgatën në Paris për pak kohë mbasi u rrëzue qeverij’ e Turkhanit prej kongresit të Lushnjes, pra në fillim të vjetës 1920. U emnue regjent po prej këtij kongresi : në të vërtetë, regjenca e asaj kohe qe quejtun Kshill i Naltë, si shkruen Ti, e përbâhej prej katër misash: Bumçi, Turtulli, Aqif Pasha e Avdi Beu.
2) Âsht e vërtetë se Bumçin e pat çue dërgat’e jonë me misjon te Papa e shi n’atë fasë deshprimi qi të kam përshkrue, e qe kthye me fjalë të mira e premtime qi Papa do t’interesohej për çâshtjen shqiptare. Se deri ku ka shërbye Papa për shpëtimin e kufîjve të 1913-s e sa rrethanat tjera, këta mund të merret vesht me sigurí vetëm prej dokumentavet diplomatikë t’asaj kohe : në Vatikan, Romë, Paris, Londër e Ëashington.
3) E thân’e Jorgës për gishtin e Portës së Naltë në lëvizjen shqiptare për tansín e Shqipnís kundra fqinjve të favorizueme në kurriz t’onë prej Kongresit të Berlinit, i referohet Lidhjes së Prizrenit. Historij’e ksaj lidhjeje âsht bâmë aso kohe e mbrapa objekt polemikash të gjata e t’ashpra ndërmjet albanofilve e antishqiptarve, të shoshituna në nji kapitull mjeshtruer të Ippen-it në veprën e Thallocy-it ILLYRISCH-ALBANISCHE FORSCHUNGEN I. Band qi kam përkthye vetë e e kam këtu të daktilografueme; nji monografije të Mehdi Frashërit dhe nji tjetre të Xhafer Belegut. Bindjen t’eme përsa i përket ksaj lëvizjeje, mund t’a synthetizoj me këto fjalë:
Lëvizja leu themelisht prej instinktit të konservacjonit racjal qi e ka veçue popullin t’onë prej ndëkimit mirbâmës të qytenimit greko-romak tue e mbajtun si nji muzore (museum) të gjallë të racës thrako-ilire (vroj fiset e malsivet) qi e ka ruejtun prej asimilimit të plotë t’atyne dý kombeve, njani përbrí me kulturën e tij sŷmarrse e të dy, njani mbas tjetrit, zotnues të vêndit me shekuj; qi e ka shpëtue prej zhdukjes së plotë nën valët e furishme nji herë t’invadimit qeltik, e mâ vonë t’oqeanit slav.
Fanatizma myslimane te Kosovarët, n’atë rasë, s’ka qênë veçse nji zâ i deformuem i atij instinkti e ndoshta nji aljate spontane e tij. Të dy këta faktorë s’do të kishin mujtun ndoshta me hŷmë në veprim në kohë të dobishme te nji popull i padijshëm qi e sheh rrezikun vetëm kur t’i ketë mbërrimë në derë, tepër vonë, sikur mos të kishte qênë edhe Pushteti othoman me e zgjue e nxitun për at’arsye e qëllim qi shkruen Jorga e kanë shkrue sa tjerë. Mâ në funt, Lidhj’e Prizrenit, e leme prej instinktit racjal, e forcueme prej ndjenjës fetare, e nxitun prej Pushtetit tyrk, merr rrymën kombtare prej patrijotizmës së pak prinjësve të zgjuetë, në krye të të cilvet duhet me vûmë Abdyl Frashërin.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)