Iranianët paralajmërojnë Shqipërinë se rrezikohet nga sulmet terroriste për shkak se ka strehuar muxhahedinët. Presidenti i Komitetit ndërkombëtar në kërkim të Drejtësisë, Alejo Vidal-Quadras deklaron se regjimi iranian ka nisur një fushatë që mund të rrezikojë sigurinë e muxhahedinëve në Shqipëri.
Vidal-Quadras kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme në mënyrë që fushata e Republikës Islamike kundër disidentëve të ndalohet. Ai thekson se regjimi iranian ka vënë në shënjestër grupin kryesor të opozitës MEK. Gjithashtu në shkrim theksohet se në Shqipëri pak ditë më parë u arrestuan dy iranianë, që sipas tyre erdhën për të mbledhur informacione dhe për të spiunuar MEK.
"Eksperienca e mëparshme tregon se të tillë veprime janë preludi i akteve terroriste, ndërkohë që përgatiten njëkohësisht aksione edhe në Parlamentin Europian me ndihmën e disa deputetëve pro-Iran" tha ai. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi mbrëmë në emisionin 'Repolitix' në Report Tv se grupe brenda dhe jashtë vendit po tentojnë të destabilizojnë vendin.
Ai tha se policia shqiptare në bashkëpunim me Shërbimin Informativ dhe agjencitë partnere kanë parandaluar ngjarje të cilat sipas tij nëse do realizoheshin do kishin pasoja të rënda. Por nuk dihet nëse deklarata e ministrit ka lidhje me paralajmërimet e fundit.