Kristëll Stafa, ka studiuar për drejtësi, profesion të cilin zgjodhi ta linte pas, për të ndjekur pasionin e saj. 29-vjeçarja nga Elbasani është stiliste. Asnjë nga punimet e saj nuk është i ngjashëm. Në një kohë kur moda kërkon gjithnjë e më shumë identitet, stilistja e re në moshë, sjell jo vetëm tendenca të reja, por edhe punë të personalizuara dhe autentike.
Në çdo krijim, shpesh, xhaketa xhins, lëkure, bluza apo çanta, ka gjithmonë një histori personale.
“Puna më e veçantë që kam realizuar ka qenë një foto e një vajze me nënën e saj, e cila nuk jetonte më. Ishte fotografia e fundit që kishin bashkë dhe e di që i ka mbetur një kujtim shumë i mirë.”, tha për “Report TV” stilistja Kristëll Stafa.
Kristëll Stafa spikat mes dhjetëra brendeve shqiptare në “Muza Fashion Fair”, panairin e modës që u mbajt për herë të parë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
“Unë merrem me pikturimin e xhaketave për t’i sjellë njerëzve një gjë më të veçantë dhe për të qenë unik në mënyrën e tyre. Realizoj çdo gjë që ata më kërkojnë dhe këtë e kam filluar para tetë vitesh. E duan sepse është një gjë unike dhe e ke vetëm ti. Është diçka që nuk e hedh dot nga dollapi edhe pas shumë vitesh.”
Për klientët shqiptarë jashtë vendit, kërkesat lidhen shpesh me identitetin kombëtar
“Kryesisht klientët që janë jashtë Shqipërisë kërkojnë dizajne për të treguar dashurinë për atdheun. Kemi sjellë edhe dizajne me shqiponjën dhe elementë të ADN-së shqiptare.”
“Muza Fashion Fair” u mbajt për tre ditë në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, ku iu bashkuan gati 50 biznese nga industria e modës. Panairi synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për stilistët shqiptarë dhe t’i hapë rrugë bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke e kthyer modën shqiptare në një industri me identitet dhe zë të vetin.
Komente



