Një grup ekspertësh arkitektë, historianë e artistë kishin nisur projektimin e këtij muzeu, sipas një porosie të dhënë direkt nga Enver Hoxha. Mes grupit projektues ishte edhe vetë vajza e numrit nji të regjimit Pranvera Hoxha. Mbase pikërisht për këtë fakt kësaj vepre i jepej një rëndësi dhe vëmendje e jashtëzakonshme.
Dokumenti prej afro 17 faqesh, që sjellim sot për lexuesit, parashtron projektidenë e Muzeut të Skënderbeut në Krujë hartuar nga grupi i punës, prej 7 vetësh: Pirro Vaso, Panvera Hoxha, Gjon Kroqi, Ferit Stermasi, Kujtim Meka, Gjergj Çaçani dhe Luiza Goshi, ndërsa është firmosur në fund nga arkitekti Sokrat Mosko. Të gjtihë detajet e këtij projekti, si një vizitë imagjinare në muzeun e pandërtuart ende parashtroheshin në këtë dokument të 21 nëntorit 1977 përgatitur në Ministrinë e Ndërtimit së bashku me fotografitë e skicave.
Pjesën e parë të këtij dokumenti shoqëruar edhe me skicat e muzeut dhe faksimilet e dokumentit i sjellim sot, për të vijuar me pjesnë e dytë numrin e ardhshëm.
MINISTRIA E NDËRTIMIT
ISP Nr. 1
PARASHTRESË MBI PROJEKT-IDENË E MUZEUT TË SKËNDERBEUT NË KRUJË
Në konceptimin tërësor arkitektonik, për të 4 variantet e hartuara të Muzeut të Skënderbeut në Krujë, jemi mbështetur në porositë e veçanta që ka dhënë shoku Enver posaçërisht për këtë vepër. Ato kanë qenë burim frymëzimi që na kanë udhëhequr në tërë punën tonë për të arritur një vepër të denjë për heroin tonë të madh dhe Partinë e popullin që ia kushton. Jemi mbështetur gjithashtu, në vlerësimet e larta që i ka bërë populli, për pesë shekuj me radhë dhe Partia figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij, si dhe në rolin edukativ dhe rëndësinë aktuale që ka ai sot për popullin dhe veçanërisht për brezin e ri të vendit tonë. Kemi pasur parasysh historinë e vendit tonë dhe sidomos historinë e lavdishme të Kalasë së Krujës, që është historia e Shqipërisë së shekullit të 15-të, historia e sakrificave të mëdha që bëri populli ynë për lirinë, pavarësinë dhe kulturën e tij, të cilat i shërbyen edhe qytetërimit e kulturës evropiane si barrikadë përballë barbarisë turke dhe i shpëtuan ato nga shkatërrimi.
Për zgjidhjen funksionale të përmbajtjes, projekt-ideja është mbështetur në platformën ideore dhe programin e projektimit, hartuar nga grupi i punës i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë dhe dërguar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në fund të vitit 1976.
Në hartimin e platformës ideore dhe të përmbajtjes, grupi i punës është nisur nga zbërthimi i fjalëve të shokut Enver më 1968 për muzeun e vjetër dhe sidomos nga orientimet e dhëna në fillim të vitit 1976.
Duke u nisur nga këto orientime, grupi ka arritur në përfundimin se “për zgjidhjen e kësaj detyre nuk mjafton të ngremë një ndërtesë dhe një ekspozitë si për një muze të zakonshëm. Muzeu i Skënderbeut duhet të ketë karakterin e një “Memoriali”, e një ndërtese përmendore, që do të ushtrojë misionin e vet edukativ instruktiv jo vetëm nëpërmes njohurive që do të japë me anën të eksponateve, ai duhet të veprojë me tërësinë e arkitekturës së jashtme, të brendshme dhe të ekspozitës. Brendinë e muzeut nuk do ta përbëjnë pra salla me karakter thjesht funksional, por ambiente me karakter historik e cilësi artistike, të cilave do t’u nënrenditjen objektet e ekspozuara, duke krijuar me disa akorde madhore, efekte emocioni të lartë”.
Gjithashtu grupi i punës i Akademisë së Shkencave në platformën e tij ideore thekson se “materiali që disponojmë ka një karakter tepër të njëanshëm, ai përbëhet në shumicën më të madhe nga dokumente të shkruara, që nuk i kemi veçse në kopje të fotografuara të origjinalit, bile në shumicën e rasteve nuk janë veçse kopje të shkruara me dorë. Rrjedhimisht duket hequr dorë nga rreshtimi i thjeshtë sallash të mbushura me vitrina me materiale të tilla që do të krijonin përshtypjen e një ekspozite me stenda grafike dhe duhen krijuar një varg ambientesh të kompozuara me kriter artistik, të cilat duhet të japin përshtypjen se mund të kenë qenë dikur ambiente jetësore historike të shekullit të 15-të. Është e qartë se duke vepruar kështu, nuk do të hiqet dorë nga kriteri historik”.
Më tej grupi i punës sugjeron që “në ndërtimin e brendshëm do të përdoren trarë të mëdhenj, mure guri masiv dhe elemente karakteristike të artit të aplikuar, metali e druri, në porta, mure, korniza dhe do të veprohet me dimensione të mëdha të objekteve e materiale që të kenë një farë “patina historike”.
A. Përmbajtja e Muzeut:
Në Muzeun e Skënderbeut do të trajtohen gjashtë tema të mëdha:
1. Trashëgimi: Ç’ka kishte arritur populli ynë deri në pragun e invazionit osman në rrugën e zhvillimit ekonomiko-shoqëror e politiko-kulturor. Ideja themelore e kësaj teme është: Shqipëria është tokë e lashtë kulture dhe shqiptarët një popull që kishte për të mbrojtur një shkallë të lartë zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politiko-kulturor.
Materialet që parashikohen për të pasqyruar këtë temë janë:
- Hartë në reliev ku të jepen trevat shqiptare në konfiguracionin e tyre natyror.
- Riprodhimi në shkallë të zmadhuar, i një harte mesjetare të Ptolemeut, që paraqet tokat shqiptare.
- Vitrina murale me objekte arkeologjike antike e mesjetare me përpjesëtime të vogla (objektet me dimensione të mëdha mund të vendosen edhe jashtë në oborr).
- Fotografi të mëdha të monumenteve arkitektonike mesjetare civile, ushtarake e kishtare si kalatë e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Beratit Peshkopisë etj., riprodhime të disa pikturave mesjetare si dhe të pamjeve mesjetare të qyteteve Ulqin, Shkodër, Durrës, Vlorë.
- Grup materialesh që u përkasin shteteve feudale shqiptare të shekujve të 12-14-të, si gurët e Gezhiqit, stema e Balshajve, mbishkrimet e stema e Karl Topisë, të Andrea Gropës, pikturat e Karl Topisë e të familjes së Qezar Novakut, hartat e stilizuara që paraqesin shtrirjen e këtyre principatave si dhe citate autorësh të shekullit të 14-të që ilustrojnë karakterin liridashës e luftarak të shqiptarëve mesjetarë.
2. Invazioni:
Etapat e pushtimit osman të Ballkanit e të Shqipërisë dhe qëndresa e popullit tonë deri në kthesën e vitit 1443. Përmbajtjen themelore të historisë së kësaj periudhe e përbëjnë këto ide: invazioni osman është një rrezik që përfshin gjithë Ballkanin dhe Evropën, në përpjekjet për ta ndalur atë qysh në hapat e para në Ballkan marrin pjesë edhe shqiptarët, si në betejën e koalicionit ballkanik në Kosovë më 1389 e më tej; invazioni osman has në Shqipëri qëndresë në baza të organizuara shtetërore, dinamika e pushtimeve osmane është e kushtëzuar nga qëndresa popullore, çka shihet veçanërisht në vitet 30 të shekullit të 15-të. Materialet që parashikohen për pasqyrimin e kësaj teme janë:
- Hartë në reliev ku të paraqitet shtrirja e invazionit osman në Ballkan, pikat që ka arritur ai në fund të shekullit të 14-të në vendet fqinje, në portat e Shqipërisë dhe drejtimet e sulmeve të tij përtej, në drejtim të Danubit e të vendeve të tjera të pavarura të Ballkanit e të Evropës. Sfondi i hartës do të jetë figura e një akinxhiu turk me veshjet dhe armët e tij karakteristike. I gjithë ky kompozim do të shoqërohet edhe me një citat nga Dukas dhe një nga Marksi.
- Figura e një shqiptari që punon tokën duke pasur me vete edhe armën, e shoqëruar me një citat nga Barleti.
- Skema në reliev e betejës së Kosovës midis forcave të koalicionit të feudalëve ballkanas dhe turqve, më 1389.
- Hartë në reliev me principatat shqiptare dhe kështjellat kryesore të vendit.
- Grup me dokumentet e Kastriotëve mbi kufijtë e zotërimeve dhe veprimeve politike të tyre në vitet 20 të shekullit të 15-të dhe mbi kryengritjet e viteve 1428-1430.
- Hartë në reliev, ku të shënohen vatrat e kryengritjeve gjatë viteve 30 të shekullit të 15-të, vendet e zhvillimit të betejave dhe zonat e çliruara.
- Dy skema betejash: ajo e Buzurshekut, në grykën e Shkumbinit, më 1432 dhe rrethimi i Gjirokastrës më 1433.
- Të dhëna për rrezatimin ndërkombëtar të kryengritjeve popullore shqiptare dhe të veprimtarisë së udhëheqësve të tyre.
- Riprodhime armësh të thjeshta të kryengritësve shqiptarë, si harqe prej druri, shigjeta, mburoja etj.
- Citate të ndryshme të autorëve të kohës, që do të shoqërojnë materialet e ndryshme.
3. Bashkimi e përballimi (1448-1478):
Bashkimi politik i vendit tonë dhe mobilizimi luftarak i masave. Lufta popullore dhe arti luftarak në format e ndryshme. Përballimi me armikun në betejat masive fushore, në ndeshjet para kalave dhe në format e luftës guerile. Tema e bashkimit politik të popullit dhe përballimi luftarak fitimtar kundër vërshimit armiqësor përbën qendrën e tematikës së muzeut dhe rrjedhimisht duhet të zërë edhe vendin kryesor. Por gjithashtu, kjo temë përbën një unitet me temën pasuese, që ka në qendër masat dhe udhëheqësit. Materialet përbërëse të kësaj teme parashikohen të jenë:
- Gravura që paraqesin kthimin e Skënderbeut, të shoqëruara me citate nga Barleti dhe Muzaka.
- Kompozim artistik për Besëlidhjen e Lezhës.
Këto do të përbëjnë temën e bashkimit.
Tema e përballimit do të përbëhet nga:
- Gravura të kohës, të zmadhuara që paraqesin 3 tipa luftimesh.
- Hartë përmbledhëse, e skalitur në gur, e të gjithë veprimeve luftarake prej vitit 1444 deri në vitin 1478, që do të shoqërohet me citate dhe dokumente bashkëkohore për luftimet.
- Armë e armatura të shqiptarëve, kambana e mortaja, si objekte lufte të kohës.
- Figura e luftëtarit shqiptar.
- Citate të K. Marksit që vlerësojnë lart luftën e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu.
4. Masat dhe udhëheqësit:
Roli i masave popullore dhe i udhëheqësve. Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij në gërshetimin e veprimtarisë së tyre. Kjo temë përbën një sintezë të përmbajtjes së temës së mëparshme.
Materialet përbërëse parashikohen të jenë:
- Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut dhe mbi to i shpalosur e i madh flamuri i Kastriotëve.
- Dy pllaka të mëdha bronzi me emrat e udhëheqësve bashkëluftëtarë të Skënderbeut.
- Citate nga Barleti dhe Ibn Kemal mbi mobilizimin total të të gjithë popullit shqiptar në luftë.
- Të dhëna mbi numrin e banorëve, numrin e ushtrisë së Skënderbeut, numrin e dëshmorëve për të treguar kontributin e popullit në luftën çlirimtare.
5. Skënderbeu dhe bota:
Rëndësia ndërkombëtare e luftës shqiptare për mbrojtjen e Ballkanit e të Evropës. Vlerësimi e jehona e kësaj lufte te bashkëkohësit dhe gjatë shekujve. Tema “Skënderbeu dhe bota” ka dy aspekte: njëri ka të bëjë me lidhjet e rolin që ka pasur lufta e popullit shqiptar në planin ndërkombëtar dhe tjetri ka të bëjë me jehonën e vlerësimin që gjeti kjo luftë ndër bashkëkohësit dhe gjatë shekujve të pastajmë në njerëzit e letërsisë, arteve, shkencës dhe artit ushtarak.
Materialet që do të jenë kopje ose riprodhime dokumentesh, do të ekspozohen në mënyra të ndryshme: në formë pergamenash të vendosura në mur, ose të vendosura në tryeza-vitrina ose në rafte, sikur të ishin në një kancelari.
- Hartë gjeografike, në formën e një mapamonuo mesjetare, do të paraqesë qendrat me të cilat Shqipëria pati marrëdhënie që nga Perëndimi deri në Azinë e Vogël.
- Riprodhime pikturash historike të Skënderbeut prej vendesh e kohësh të ndryshme deri në ditët tona.
- Libra kushtuar luftës shqiptaro-turke, qysh nga mesjeta deri në ditët tona.
- Fjalët e Skënderbeut drejtuar princit të Tarantos, ku del krenaria e tij mbi origjinën e lashtë e fisnike të popullit shqiptar.
- Mendime vlerësuese të luftës së udhëhequr nga Skënderbeu, të shprehura nga filozofë, letrarë, historianë të shquar.
6. Skënderbeu dhe populli shqiptar:
Skënderbeu dhe lufta e udhëhequr prej tij mbetën të gjalla dhe shërbyen si flamur beteje gjatë gjithë shekujve të historisë së popullit shqiptar deri në ditët tona.
Kjo temë e fundit kërkon një ngritje të tonit, në mënyrë që muzeu të mbarojë me një apoteozë. Në krye të sallës duhet të qëndrojë flamuri historik i Kastriotëve dhe vula e Skënderbeut me shqiponjë e yll si “Dominus Albanie”.
Nëpërmjet një harte do të bëhet e qartë se për herë të parë nën Skënderbeun u bashkua ushtarakisht e politikisht populli shqiptar edhe pse jo të gjitha tokat shqiptare u përfshinë në principatën e Kastriotëve. Lufta e përbashkët për liri farkëtoi nga popullsitë e krahinave të ndryshme një unitet kombëtar, i cili nuk humbi edhe në kushtet e robërisë shekullore. Ideja e kësaj lufte vigane, ideja e njësisë dhe e shtetit të pavarur të mishëruara në figurën e Skënderbeut u bënë flamur i luftës popullore në etapat më kulminante të historisë së popullit tonë. Kjo ide do të mishërohet nga fjalët e N. Frashërit: “Po të jemi të bashkuar – është e bërë Shqipëria”.
Materialet:
- Fotografi, me përpjesëtime të mëdha, të vendeve ku populli ka ruajtur kujtimin e Skënderbeut dhe të ngjarjeve të lidhura me të (shkëmbi i Skënderbeut, mali i Skënderbeut, masa e Skënderbeut, shkëmbi i Vajës, kolonitë arbëreshe etj.).
- Dokumente nga kryengritjet fshatare të shekujve të 16-17-të.
- Dokumente, manifeste dhe vepra madhore të letërsisë dhe artit të periudhës së Rilindjes.
- Dokumente madhore për vlerësimin që i bëri Partia dhe shoku Enver, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shembullit mobilizues të luftës së udhëhequr nga Skenderbeu
Vijon.............
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)