Muzgu i opozitës

Muzgu i opozitës

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Kur Sali Berisha thoshte se do të rrinte në pushtet derisa të bëhej 100 vjeç, shumëkush kishte frikë dhunën e tij. Një njeri i cili kishte vrarë pa iu dridhur syri në mes të bulevardit dhe që e kishte strukur çdo institucion ose nën sqetull ose nën thembër, nuk ishte çudi. Por ajo që nuk e bënte të besueshëm ishte prania e një opozite si PS-ja, e cila kishte numrat, por mbi të gjitha unitetin dhe agresivitetin në reagimin e saj. Rama ia doli që për çdo veprim të Berishës, edhe atëherë kur ai nuk shkelte rregulla apo ligj, të fuste në lojë mekanizma jo vetëm të politikës, por edhe shoqërisë civile. Reagim për ligje, reagim për rrugë, reagim për prishje muresh apo shatërvanësh, gjithçka që bënte Berisha ishte nën zjarrin e artilerisë së Ramës. Makina e propagandës e Berishës nuk ia dilte dot të krahasohej me efiçencën e asaj të Ramës, e cila në radhët e saj kishte interesaxhinj dhe idealistë.

Dhjetë vite pas ardhjes në pushtet Rama deklaron se projektet dhe vizioni i tij duan kohë deri në vitin 2030 të vihen në jetë. Dhe shumëkush e beson, jo aq shumë për shkak të punëve që ka bërë Rama sesa për një lloj realizëm të elektoratit.

Opozita shqiptare është copë copë. Ata që kanë mendim politik dhe që e dinë si funksionon politika, Berisha dhe Meta, janë të stërkonsumuar nga koha në politikë dhe pavarësisht premtimeve, elektorati e di që asgjë nuk do ndryshojë. Fjalët e Berishës për revolucione dhe përmbysje, janë të vjetërsuara dhe të tejkaluara nga koha. Vetëm Berisha nuk e kupton këtë.

Pjesa debutuese për të marrë stafetën e Berishës, nën flamurin e tij apo nën flamurë të rinj, çuditërisht nuk ka fantazi fare. Ligjërojnë njësoj si Berisha qëmoti duke treguar se shkolla politike e tij mbetet mbizotëruese në opozitë, por që tashmë prodhon ngelësa në klasë. Më tepër sesa shpresëndjellës janë bezdisës në ligjëratat e tyre. Disa prej tyre duket sikur kanë qenë në hibernacion nga viti ‘90-të dhe janë shkrirë kur u hap Foltorja.
Fraksioni i PD-së që ka trashëguar edhe emrin zyrtar nuk u lejua të rritej. Sulmet e hapura të Berishës dhe uji nën rrogoz i Ramës, e bëjnë PD-në e Bashës më shumë një projekt sesa alternativë.
Votuesi shqiptar e di se tashmë nuk ka revolucione dhe as reforma që mund ta ndryshojnë gjendjen e tij. Oligarkët kanë çelësat e të dy shtëpive, pozitë dhe opozitë. Ajo që presin votuesit është disa rrugë më shumë, disa taksa më pak, çmim më të lirë benzine dhe do Zoti edhe një çikë më shumë rend. Një administratë më efiçente do të ishte e mirëpritur, por askënd nuk e gënjen mendja se do ta sjellë Berisha. Kaq gjë mund t’ua bëjë edhe Rama, ndaj vështirë se në të ardhmen do ketë radhë te kutitë e votimit.

Pavarësisht se propaganda e Berishës mundohet ta paraqesë statusin “non-grata” të liderit si jodomethënëse, ata që votojnë e dinë që kjo punë ka marrë fund dhe askush nuk do ta lejojë Berishën të marrë pushtet.
Një alternativë e cila do të mundte ta trondiste Ramën do të ishte ajo që fliste kundër monopoleve që po ia marrin frymën biznesit të vogël; kundër përqendrimit në tre-katër duar të aktiviteteve që shkojnë nga prodhimi i shisheve të ujit e deri te minierat, portet, aeroportet, tenderët. Por tashmë jemi në fazën që ata që dinë s’duan dhe ata që duan s’dinë. Ndaj të gjithë i kanë sytë te SPAK-u, me shpresën që ky përveçse të merret me politikanët, të merret edhe me ata që ndajnë paranë me politikën.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndoci: 13/09/2023 06:07

    Vrasjet e bulevardit kane disa autore. Dhe Sala eshte nder ta, por me kryesoret, organizatoret jane Edi Rama dhe Tome Doshi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur