TIRANË- Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka shpjeguar në Report Tv se kodimi është një projekt pilot që fillimisht do të implementohet në 100 shkolla dhe më pas do bëhet një analizë e thelluar për ta shtrirë në nivel kombëtar. Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, ministrja tha se në 100 shkollat që do përzgjidhen për këtë projekt do të ndërtohen laboratorë të rinj posaçërisht për kodimin, ndërsa mësuesit do të trajnohen.

Muzhaqi ka qetësuar të gjithë prindërit, duke thënë se kodimi për fëmijët do jetë më shumë si një lojë për të zhvilluar aftësitë e tyre. Ajo theksoi se kodimi do jetë një kurrikul plus që nuk do të vlerësohet me notë. Ndërkaq për të rinjtë që kanë dëshirë të mësojnë kodimin, ministrja tha se po punohet me një program që synon ngritjen e  qendrave të kodimit, ku çdo i ri mund të bëjë kurs falas.

“Jemi duke punuar për një program që do jetë koduesit e të rinj, çdo i ri që ka dëshirë të, do përfitojë nga mbështetja e qeverisë për të ndjekur kurse në akademitë e kodimit. Do ta  pilotojmë në shtator të këtij viti, për 100 shkolla, pas shtatorit ne do bëjmë analizat dhe do e kuptojmë sesa e thjeshtë do ishte shtrirja në nivel kombëtar. Do bëhen laboratorë teknologjikë të rinj. Duket sikur kodimi, për ata që nuk merren më jetën e përditshme, janë ato script të gjata me numra, ky nuk është kodimi që po flasim, në gjuhen teknike quhet kodim me blloqe, është njësoj siç luan një fëmije me lego. Sensi është ai, sens loje, aventurat e kodimit, fëmija nuk mëson vetëm kodimin, por logjikën, mendimin kritik, një sërë aftësish. Lënde me zgjedhje, nuk do marrë notë për këtë lëndë. Të gjithë mësuesit do trajnohen, në tre faza, si për TIK, edhe platformën do kenë edhe vazhdimësi mbështetje për të kuptuar sesa efecient do jetë. Program që kemi ngritur një grup pune me ekspertë, të huaj, kemi bërë analizë të gjithë vendeve”, tha Muzhaqi në Report Tv.

Në turin që ka bërë në të gjitha qytetet e vendit ku ka takuar 1200 të rinj, Muzhaqi tha se problemet kryesore të të rinjve ishin mungesa e këshillimit të karrierës si edhe mungesa e aktiviteteve argëtuese. Ministrja tha se për këtë po punohet me programin “Strategjia e të rinjve” që do publikohet në tremujorin e fundit të këtij viti dhe është i ndërtuar i gjithi në bazë të problematikave të rinjve.

"Strategjia kombëtare e të rinjve pas takimit me 1200 të rinj është hartuar nga komentet që kanë ardhur nga të rinjtë. Do përfundojë në tremujor e tretë të këtij vitit, po punojmë edhe me një plan veprimi, do përfundojë në shtator, kemi filluar me disa elementet e strategjisë që po aplikohen”, tha ministrja.

Përveç të rinjve, ministrja tha se do të fokusohen edhe tek fëmijët, ku nga shtatori në ambientet e brendshme të shkollave do hapen kurse për artin e për zejet. Ministrja tha se synohet që në shkolla të ngrihen hapësira të gjelbra ku fëmijët të mësojnë të mbjellin bimë e të korrin, në mënyrë që të mësohen me natyrën.

“Me një program jashtëshkollor, brenda ambiente të shkollës do ndjekin kurse nga arti zejet dhe tek, do krijojmë kopshte të gjelbrta, do mbjellin bimë, ti korrin ata që të jenë më afër me natyrën. Do jetë falas dhe i aksesueshëm që ta ndjekin”, u shpreh Muzhaqi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:53
Lapsuse apo gafa në daljet publike? Përgjigjet ministrja Bora Muzhaqi në Report Tv

 

Ministrja Bora Muzhaqi ka komentuar në Report Tv edhe lajmet mbi disa lapsuese të saj.

“Për të qenë e sinqertë edhe gazetarët edhe ata që komentojnë në rrjetet sociale i kuptoj, ndonjëherë është për të qeshur, edhe mua më vjen për të qeshur kur i dëgjoj ato lapsuset që mund të kem bërë më përpara. Unë nuk kam pasur eksperiencë më përpara që më është dashur ta prezantoj veten time në aspektin mediatik, kjo është eksperiencë që fitohet me kohën dhe duke qenë s enuk e kam pasur, ndonjëherë përpiqem as fort kur më vijën ato gazetarët me mikrofonin përpara që të mos bëj gabime sa përfundoj duke bërë gabime. Siç themi dhe ne shqip sa të rrosh do mësosh, shpresoj që do ta marr atë eksperiencën. Nëse duhet t’iu them një fjali një gjë është e sigurt bëj lapsuse e gafe në televizione por në punë time nuk bëj as lapsuse as gafa”, tha Muzhaqi në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj.

Ora 17:45
Si është të punosh me Ramën? Rrëfehet Bora Muzhaqi në Report Tv: Sfiduese, por pranon edhe mendimet kritike

 

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka rrëfyer në Report Tv sesi është të punosh me kryeministrin Edi Rama. Muzhaqi thotë se është tepër e sfiduese të punosh me Ramën. Por, Muzhaqi thotë se Rama është ndryshe nga çfarë shfaqet në ekran, pasi i pranon edhe mendimet kritike që i vijnë nga bashkëpunëtorët e tij.

“Është sfiduese, e vështirë, duhet të jesh gjithë kohën gati për të kthyer përgjigje për çdo punë që ke marrë në ngarkim. Për mua është si proces mësimi, çdo ditë mësoj diçka të re. Një surprizë, të paktën për mua që më parë e shihja nga ekrani, është i hapur ndaj mendimeve kritike që i vijnë nga bashkëpunëtorët e tij. Kjo gjë mua më ka habitur. Është ndryshe nga çfarë mund të kesh parë në Tv”, tha Muzhaqi në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj.