Pronarët e lokaleve të Lungomares në Vlorë organizuan të dielën në mbrëmje një protestë të pa precedentë, duke transmetuar Himnin Kombëtar me volum të lartë pas orës 22.00, orari limit i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për të transmetuar muzikën në lokalet publike në kuadër të masave anticovid. Protesta të tilla priten të zhvillohen në të gjitha zonat turistike nga ku, duke nisur nga ora 22.00, është e ndaluar të transmetohet muzikë në lokalet publike. Një masë që duket se nuk vlen për Tiranën, ku muzika transmetohet në Sheshin Skënderbej përtej orës 22.00, e kjo gjë që në fillim të kampionatit europian, ku mijëra të rinj u grumbulluan duke festuar pa maska, e duke injoruar çdo formë kujdesi anti-Covid.

Në të vërtetë, nuk kuptohet nëse ndalimi i muzikës pas orës 22.00 është i lidhur me frikën e përhapjes së Covid, siç është shpjeguar deri tani, apo nga frika e shqetësimit të pushuesve, siç kuptohet nga Twitteri i kryeministrit Edi Rama. Sot Rama, duke lajmëruar ndalimin e muzikës nisur nga 20 korriku, spostuar në orën 23.00, shkruan:

''E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit. Kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri - si në tërë botën e civilizuar turistike".

Qeveria duhet të sqarojë nëse kufizimi i orarit të përdorimit të muzikës pas orës 23.00 është vendosur për të parandaluar COVID apo për të garantuar gjumin e qetë pushuesve pensionistë. Ndryshimi është thelbësor: COVID nuk përhapet përmes muzikës (siç pretendoi të shpjegonte minsitri Blendi Klosi në një intervistë tashmë historike të pak muajve më parë), por përhapet duke lejuar mijëra njerëz të grumbullohen pa asnjë distancë siç ndodhi për shembull për një muaj rresht në Sheshin Skënderbej në Tiranë, apo evente të tjera të ngjashme nëpër Shqipëri, nga të cilat Ministria e Shëndetësisë nuk është alarmuar. Por nëse muzika do të shuhet në orën 23.00 jo për të parandaluar përhapjen e COVID, por për të garantuar një gjumë të qetë pushuesve, atëherë duhet të heqim dorë për të shndërruar Shqipërinë në një super destinacion turistik siç ka premtuar deri tani qeveria. Për qetësinë në qytet dhe në zonat e banuara mund të përpunohet fare mirë një urdhëresë që rregullon nivelin e muzikës dhe orarin, si në gjithë botën e qytetëruar.

Turistët nuk zgjedhin një vend pushimesh vetëm për t’u çlodhur, por edhe për t’u argëtuar gjatë natës dhe të imponosh një orë policore për të garantuar qetësi në kulmin e sezonit turistik, nuk ndihmon askënd. Pra, ka një logjikë nëse vendosen kufizime oraresh “normale” në zonat e banuara “si në tërë botën e civilizuar turistike” (në vende turistike si Rimini dhe Riçione muzika dëgjohet kudo deri në 1.00 pas mesnate) dhe në këtë pikë nuk ka kuptim të ruhet ora policore pas mesnatës edhe larg zonave të banuara, siç ndodh sot. Për të pranuar kufizimet, gjëja e parë që shërben të kuptohet është se përse po sakrifikohemi.