Muzika popullore tiranase, si vlerë e shtuar e trashëgimisë shpirtërore kombëtare rrëfehet në studimin e shoqëruar me CD “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë” prej akademikut dhe muzikologut Vasil Tole, që prej krijimit e deri në ditët e sotme. Një copëz e vyer e kulturës dhe identitetit që mbart me vete emra me peshë Fitnete Rexha, Marie Kraja e Tefta Tashko,  instrumentistët e zellin krijues e interpretues të qyteteve të tjera, si Shkodra apo Elbasani, por edhe përpjekjet e familjeve të mëdha tiranase, që edhe falë politikave përkrahëse të mbretit Zog, të pasuronin kopshtin e trashëgimisë muzikore vendase me këngët popullore kryeqytetase.

“Gjatë marrjes me këtë subjekt, sa më rezulton mua, muzika popullore e Tiranës nuk ka një histori tipike, siç jemi mësuar kur studiojmë Polifoninë apo Eposin e Kreshnikëve, që gjithçka është brenda habitatit të vet. Ka ndodh diçka e çuditshme me studimin e muzikës së Tiranës, pasi mënyra se si Tirana u urbanizua si qytet reflektoi dhe fazat e zhvillimit të muzikës popullore qytetare të Tiranës. Rrethanat që bën që Tirana të ishte kryeqytet ndikuan, që të përshpejtohej procesi i konsolidimit të muzikës popullore tiranase, ku vëmë re që veglat e temperuara të bëhen bashkë dhe bashkëshoqërojnë muzikën tradicionale të atij qyteti apo rrethinave.  Po ashtu vitet ’30 janë vitet e konsolidimit të plotë të muzikës së Tiranës. Prandaj, mendoj se është muzika më e pandikuar në Shqipëri në pikëpamje të muzikës orientale.. Kemi një gjest unikal, ku këngëtaret më të mira të Shqipërisë, si Tefta Tashko regjistrojnë këngët qytetare të Tiranës. E rëndësishëm është edhe prezenca e familjeve më të rëndësishme të muzikës së Jugut në Tiranë, si familja e Hafize Leskofikut me vëllezërit e saj, që vijnë për të interpretuar muzikë live në kafen “Parisi”. Këto provohen dhe nga çifti i ‘bredharakeve” Gordon, që pohojnë se në vitet ‘25 interpretonin formacione të përbëra nga klarineta, violina, që provonin se tashmë se formacioni i artë i muzikës popullore të Tiranës ishte tashmë i krijuar”, rrëfen muzikologu Vasil Tole.

Shtratin identitar komunizmi, me indologjitë kundërshtare ndaj ndikimeve të huaja duket se e ruajti të paprekur, ndërsa disqet e para e RTSh-ja e afroi drejt një publiku më të gjerë.

“Pas viteve ’44 ndryshon diçka. Futja e politikës shtetërore në promovimin e kulturës etnike, u përdor dhe për të kufizuar ndikimet nga artet dhe kulturat e tjera, që lidheshin me parimet e ideologjisë komuniste. Është e rëndësishme, se pas viteve ‘44 nis procesi që është i njëjtë me digjitalizimin e sotëm. Nisi interesi publik i Radio Tiranës për këngë të RTSH-së. Pasi deri në atë vit fondi i RTSh-s ishte me disqe të viteve ‘30. Ndërkohë që tregu kishte nevojë për disqe të rinovuar. Në këto momente shfaqet puna e Ramadan Sokolit dhe Muharrem Gurrës në Pallatin e Kulturës, që evidentuan talente femra, si Fitnete Rexha etj. Në këto momente këngët popullore të Tiranës u bënë fenomen zyrtar. Pas sa mund të flasim për një lloj barazie të paraqitjes së muzikës së Tiranës në skenën kombëtare. Luajtën rol aktivitetet që shteti krijoi, jo të gjithë e dinë se festivalet e para janë bërë në Tiranë, në stadium, ku konkurronin formacione nga të gjitha rrethet”, tregon Tole.

Ndonëse pas 90-ës prurjet e reja mbeten të diskutueshme, e më shume i mëshohet përpunimit të këngëve të vjetra, përfaqësueset më të denja mbeten sipas Toles, Parashqevi Simaku dhe Merita Halili. Për këngëtaret e krijuesit e pas 90-ës Tole nuk kursen as sugjerimet, që kënga popullore tiranase të vijojë kultivimin e vlerave.

“Nuk e kam bërë objekt të librit atë që ndodh pas viteve ‘90, por kam përmend emrat që e mbajnë gjallë edhe e këndojnë mirë këngën popullore tiranase. Mendoj se çështja e trajtimit të muzikës popullore tiranase lidhet me profesionalizmin e saj. Të gjithë pasojnë njëri-tjetrin, duke konfirmuar paraardhësin edhe duke shtuar diçka për pasardhësin. Sfida e tyre është kjo, që të njohin historinë e kësaj kënge, që nga vitet ‘20, për të ardhur deri në këto vite, ku veçohet Merita Halili apo Parashqevi Simaku. Sfida e këngëtarëve të sotëm është të njohin eksperiencat e paraardhësve edhe nëse i studiojnë, kësaj muzike nuk i avitet asnjë rrezik. Pjesa e këngëtarëve serioz e njohin këtë pjesë”, përfundon Tole.