Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari thotë se pamjet e përmbytjes në Xhaminë e Plumbit janë të frikshme. Në një reagim uron që të mos përsëritet historia e vitit 2010 kur njerëzit ishin izoluar dhe mbetën pa bukë e ujë për disa ditë prej përmbytjeve.
“Kjo është pamja e frikshme e përmbytjes që ka ndodhur në këto 24 orët e fundit në Xhaminë e Plumbit. Por nuk është çështje thjesht te përmbytja e Xhamisë. Është problematike situata për njerëzit dhe këto pamje më kujtojmë përmbytjet e vitit 2010, ku vinim me mjete të larta dhe nuk mund të lëvizej në këto zona dhe njerëzit ishin të izoluar dhe nuk kishin bukë e ujë për disa ditë.
Uroj që të mos përsëritet ajo situatë. Por pamja më duket e tillë, më kujton atë periudhë disaditore vuajtjesh për qytetarët. Edhe pse jemi në 2022 nuk u zgjidh akoma problemi i përmbytjes së tokave të tyre. Ky është një alarm për institucionet që duhet ta shohin me përgjegjësi këtë punë. Sepse është plotësisht e mundur për t’u evituar këtë përmbytje, për t’u pastruar Buna, për t’u thelluar Buna, për t’u rregulluar argjinaturat e Drinit”, u shpreh myftiu i Shkodrës.