Një problem shumë i përhapur, por shpesh i neglizhuar, është infeksioni mykotik i thonjve, i njohur ndryshe si onikomikoza. Cilat janë shkaqet që favorizojnë shfaqjen e tij? Si mund ta dallojmë në fazat e para? Dhe, mbi të gjitha, a ekzistojnë kura natyrale që ndihmojnë në trajtimin dhe parandalimin e këtij problemi?
I ftuar në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, shpjegon faktorët që ndikojnë në shfaqjen e mykut të thonjve, rëndësinë e diagnostikimit në kohë, si edhe ndan disa këshilla mbi përdorimin e bimëve mjekësore dhe kurave natyrale që mund të ndihmojnë në trajtimin e tij.
“Infeksioni i thoit shkaktohet nga kërpudhat dermatofite, por edhe nga myqe të tjerë, si Candida. Ai prek si thonjtë e duarve ashtu edhe ata të këmbëve, megjithëse më shpesh shfaqet te thonjtë e këmbëve”, thekson Merja në fillim të bisedës.
Simptomat e mykut të thonjve
- Trashja e thoit dhe ndryshimi i ngjyrës nga e verdhë në kafe.
- Humbja e shkëlqimit natyror të thoit.
- Ngritja e thoit dhe fillimi i dëmtimit të tij.
- Dhimbje gjatë ecjes.
- Erë e rëndë e këmbëve.
Faktorët që favorizojnë shfaqjen e mykut të thonjve
- Prania e sporeve të kërpudhave.
- Lagështira dhe djersitja e tepërt e këmbëve.
- Përdorimi i këpucëve të mbyllura, që krijojnë nxehtësi dhe lagështi.
- Ecja zbathur në pishina, palestra apo ambiente publike.
- Dëmtimet dhe traumat e thonjve.
- Mosha e avancuar, kur rritja e thonjve ngadalësohet.
- Imuniteti i dobësuar.
- Sëmundje të tjera, si infeksionet mykotike të lëkurës apo psoriaza.
Si zhvillohet myku i thonjve?
Thoi është i ndërtuar kryesisht nga keratina, një proteinë e fortë që i jep rezistencë dhe qëndrueshmëri. Pllaka e thoit përbëhet nga tri shtresa: shtresa sipërfaqësore, e hollë dhe e fortë; shtresa e mesme, që përbën rreth 70–80% të trashësisë së thoit dhe përmban keratinë shumë të dendur; si dhe shtresa e poshtme, e cila lidhet ngushtë me shtratin e thoit.
“Shtrati i thoit është indi mbi të cilin mbështetet pllaka e thoit dhe është i pasur me enë gjaku. Matriksi i thoit është qendra ku prodhohen qelizat e reja dhe, nëse ai dëmtohet, thoi do të rritet gjithmonë i deformuar. Ndërsa kutikula, shtresa e hollë e lëkurës në bazën e thoit, mbron hapësirën mes lëkurës dhe thoit, duke penguar depërtimin e mikrobeve”, shpjegon Merja.
Ku fillon infeksioni?
Infeksioni zakonisht nis nga lëkura e këmbës dhe depërton në pjesën e poshtme të shtratit të thoit. Më pas kalon në shtresën ventrale, duke e shkëputur gradualisht thoin nga shtrati i tij. Me kalimin e kohës, kërpudha dëmton keratinën, ndërsa në hapësirën mes thoit dhe shtratit grumbullohen mbetje keratine dhe masa mykotike. Si pasojë, thoi trashet dhe ndryshon ngjyrë, nga e verdhë në kafe të errët.
Kura natyrale për mykun e thonjve
- Shpëlani këmbët me çajin antimyk me rigon e borzilok, ku shtohen 1–2 lugë gjelle uthull molle dhe 1 lugë çaji kripë e zezë në 200 ml ujë.
- Pasi këmbët të jenë tharë, hidhni mbi shtratin e thoit 3–4 pika propolis me rigon. Ky veprim përsëritet 2–3 herë.
- Pasi propolisi të thahet, aplikoni kremin kundër mykut. Kjo procedurë rekomandohet të kryhet 2 herë në ditë. Gjatë ditëve kur bëhet shpëlarja me çajin antimykotik, uthullën e mollës dhe kripën e zezë, pastroni me kujdes mbetjet e grumbulluara mes pllakës dhe shtratit të thoit. Gjithashtu, me një limë thonjsh, hiqni lehtë pjesët e fortësuara të thoit.
- Kujdes! Nëse thoi është shumë i fortësuar, përdorni 1–2 pika vaj rigoni. Nëse shtresat e mykura bien dhe thoi bëhet më i hollë ose i dobët, përdorini çaj menteje ose pak vaj menteje.
Komente










