Myzafer Korkuti: Arkeologjia në Kosovë nuk duhet të lihet pas dore

Myzafer Korkuti: Arkeologjia në Kosovë nuk duhet të lihet pas dore

Varrezat dardane të zbuluara në Ulpianë, Kosovë

Akademiku Myzafer Korkuti, specialist i prehistorisë dhe i arkeologjisë prehistorike shqiptare, në një intervistë për “Shqiptarja.com", ka shprehur shqetësimin e tij për lënien pas dore të arkeologjisë në Kosovë. Sipas arkeologut të njohur në vitet '50–'70 të shekullit XX janë bërë gërmime të rëndësishme në qytetet antike të Ulpianës e në Soçanicë, si dhe në disa varreza tumulare në Rrafshin e Dukagjinit etj, të cilat në vitet ’80 janë kurorëzuar me bashkëpunimin me arkeologët shqiptarë, ku nga shteti komunist u dha edhe një leje për të bërë një ekspeditë të përbashkët.

Por shqetësimi i arkeologut është ndërprerja tashmë e kërkimeve arkeologjike në Kosovë, ku bëhet më i dukshëm në rastin e studimeve përmbledhëse për historinë e ilirëve dhe identitetin tonë. Korkuti është një nga autorët e tekstit “Historia e Kosovës” që po përgatitet për botim nga Instituti i Historisë së Kosovës.

I pyetur për rreth këtij botimi, Korkuti u shpreh se sapo ka mbaruar një pjesë të këtij vëllimi, që titullohet "Origjina dhe territori i Dardanisë". Akademiku Korkuti krahas korpusit të veprave shkencore njihet për veprën e tij madhore “Etnogjeneza e ilirëve”, ku ndriçohet një proces historik me rrjedhoja tejet të rëndësishme për historinë e lashtë të Ballkanit Perëndimor: origjinën dhe shfaqjen e ilirëve. Arkeologu nuk mund ta quajë të shkëputur vazhdimësinë iliro-shqiptare nga kërkimet arkeologjike në Kosovë, ndaj bën apel që të mos lihet pas dore arkeologjia në Kosovë. Myzafer Korkuti para një muaji është nderuar me çmimin "Aleksandër Stipçeviç" për vitin 2018, me motivimin "Për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor shumëvjeçar në shkencat historike si specialist i prehistorisë dhe i arkeologjisë prehistorike shqiptare".

Kur keni qenë për herë të parë në Kosovë e cilat ishin arsyet, mbresat dhe kujtimet e 45 viteve më parë?

 Në vitet '70 të shekullit XX marrëdhëniet midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës njohën një zhvillim të jashtëzakonshëm. Profesorë e pedagogë nga Tirana shkuan për të zhvilluar cikle të plota ligjëratash për lëndë të veçanta sipas nevojave të fakulteteve e katedrave të ndryshme. Studiues e specialistë të fushave të ngushta u bënë pjesëmarrës, kontribuues në konferenca e simpoziume etj. Unë pata nderin e kënaqësinë që të zhvilloja ciklin e plotë të ligjëratave për lëndën e arkeologjisë në degën e historisë të Fakultetit Filologjik gjatë viteve 1973–1976, të cilat zhvilloheshin në një javë me orë të zgjatura në një semestër e një javë në semestrin tjetër. Në sesionin e provimeve paraqiteshin edhe arsimtarë, të cilët vazhdonin studimet me korrespondencë. Gjatë katër viteve kanë dhënë provimin e arkeologjisë rreth 930 studentë, të cilët për mungesë të teksteve kishin vështirësi në përgatitjen e lëndës dhe në shumë raste provimi kthehej në një bashkëbisedim.

Me profesor Ali Hadrin në Varrezat dardane të zbuluara në Ulpianë Kosovë Manastirin e Deçanit, Kosovë, 1980

Keni shkuar shumë herë në Kosovë për ligjërata, por edhe për t'u njohur konkretisht me monumentet e pasuritë e shumta arkeologjike të Dardanisë, si edhe me rezultatet e gërmimeve e studimeve të bëra nga shumë arkeologë të ish-Jugosllavisë.

Në vitet '50–'70 të shekullit XX janë bërë gërmime të rëndësishme në qytetet antike të Ulpianës e në Soçanicë, në shumë vendbanime të epokës së neolitit, bronzit, si dhe në disa varreza tumulare në Rrafshin e Dukagjinit etj. Sipas pikëpamjes së arkeologut J. Glishiq, territori i Dardanisë antike përbëhej nga dy krahina gjeografike, por me përbërje të ndryshme etnike. Rrafshi i Dukagjinit, sipas tij, në epokën e hekurit ka qenë e banuar nga dardanët ilirë, kurse Fushë-Kosova ka qenë e banuar nga një popullsi tjetër, e cila në pikëpamje etnike nuk ka qenë ilire. Në verë të 1980, për herë të parë u krijua mundësia, u dha leja për të bërë një ekspeditë të përbashkët të Institutit Arkeologjik të Tiranës në Muzeun e Kosovës në Kosovë, por çështja më e vështirë ishte caktimi i vendit të gërmimit, do të gërmohej në Fushë-Kosovë apo në Rrafshin e Dukagjinit.

Pas shumë debatesh u vendos, me gjithë rrezikun që ekzistonte, të gërmohej në tumat e Llashticës, afër qytetit të Gjilanit, në ekstremin lindor të Fushë-Kosovës. Rezultati ishte me shumë vlerë. Riti i varrimit dhe inventari i varreve të zbuluara ishte i njëjtë me ato që ishte zbuluar në tumat e Rrafshit të Dukagjinit (Tumat e Romajt) dhe me atë të zbuluar në tumat e Kukësit e në tumat e Matit në Shqipëri. Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë dhe keqësimi i marrëdhënieve midis dy shteteve, ndërprenë edhe bashkëpunimin midis Universitetit të Tiranës me Universitetin e Prishtinës.

Me çlirimin e Kosovës në vitin 1999, sigurisht u krijuan kushte tërësisht të reja, si vazhdoi puna kërkimore arkeologjike pas 20 viteve ndërhyrjesh?

Gjatë viteve 2000–2005 një ekspozitë e gjerë e Institutit tonë Arkeologjik dhe e Muzeut të Kosovës  ndërmori gjurmime sipërfaqësore intensive në territorin e pellgut të Drinit të Bardhë, përkatësisht në territorin e komunës së Pejës, të Deçanit, të Klinës, të Rahovecit e të Prizrenit. Një pjesë e stafit bëri sondazhe e gërmime në disa tuma e vendbanime, kështu që gjatë 6 viteve (verave) të kërkimeve e gjurmimeve në terren u evidentuan, u fiksuan e u dokumentuan 264 pika e qendra arkeologjike, shumica e të cilave janë zbulime të reja.

Pas kaq vitesh me njohjen e studimin e vlerave arkeologjike e historike të Kosovës, me çfarë po merreni aktualisht?

Si një nga autorët e tekstit "Historia e Kosovës" që po përgatitet për botim nga Instituti i Historisë i Kosovës, në fund të vitit 2018, unë përfundova një syth të këtij vëllimi, por jo të lehtë, "Origjina dhe territori i Dardanisë". Gjithashtu në fund të vitit që lamë pas, kolegji "Iliria" në Prishtinë më nderoi me çmimin "Aleksandër Stipçeviç" për vitin 2018, me motivimin "Për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor shumëvjeçar në shkencat historike si specialist i prehistorisë dhe i arkeologjisë prehistorike shqiptare".

Profesor është e nevojshme që për lexuesin e gjerë të na thoni disa njohuri bazë për origjinën dhe territorin e Dardanisë. Deri ku shtrihej fisi ilir i Dardanëve?

-Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.s., në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeostrategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qendrore të Mbretërisë Dardane.

Çfarë zhvillimi kishte qytetërimi dardan?

Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkruar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi. Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit, fushave pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës së përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria dardane në shek. IV p.e.s. njohu lulëzimin më të madh. Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire. Në epokën e hekurit, ata formuan një kulturë me veçori lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta me kulturën ilire. Vendbanimet në këtë kohë janë ngritur në kodra gjeostrategjike, pranë burimeve përforcohen me gjerdhe apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat gradina, gadisha e gradisha, disa prej tyre që banuan edhe në antikitetin e vonë e në mesjetë, njihen me toponimet gjytet dhe kala. Riti kryesor i varrimit, si në tërë trevën ilire, ishte varrimi në tuma.

Çfarë  mund të na thoni për etnogjenezën e dardanëve?

-Origjina e dardanëve dhe e përkatësisë së tyre etnike është pjesë tërësore e procesit të etnogjenezës së ilirëve, si dhe e kushteve dhe e veçorive të procesit etnik të tyre. Të dhënat arkeologjike të epokës së bronzit e të epokës së hekurit dëshmojnë për një vijimësi kulturore dhe etnike të banesave të territorit të Dardanisë gjatë mijëvjeçarit të parë p.e.s. Ky përfundim mbështetet edhe nga burimet e shkruara të autorëve antikë, të cilat ndonëse të kufizuara, dëshmojnë pjesëmarrjen e Dardanisë në ngjarjet historike të kohës antike. Dardania pararomake kufizohej me Peoninë e Maqedonisë në jug, ndërsa kufiri jugperëndimor i saj ishte mali i Sharrit (Skardi), rrjedhimisht rrëza jugore e Sharrit dhe e Korabit. Kufirin veriperëndimor e formonte lugina e sipërme dhe e mesme e lumit Ibër, kurse kufirin perëndimor e formonin territoret që shtriheshin më në perëndim të rrjedhjes së Drinit të Bardhë. Përcaktimi i kufijve veriorë e lindorë të Dardanisë është më i vështirë e kërkon gjurmime më të thelluara.

Nga sa mund të gjykohet mbi dëshmitë arkeologjike, rezulton se kufiri verior i Dardanisë shtrihej tej vijës kufitare të Kosovës së sotme dhe me shumë përafërsi shkonte deri në Nish. Edhe përcaktimi i kufirit lindor të Dardanisë pararomake është vështirë të përcaktohet, megjithatë duke u mbështetur në të dhënat e kufizuara, lugina e Moravës Jugore duhet të formonte kufirin lindor të Dardanisë pararomake. Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë, lidhet me glosën indoevropiane dardh-a, shqip dardha, pra vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si: Naissus – Nish, Scupi – Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani, si: Scardus mons (Mali Sharr), Drinus (Drini) etj. Emrin Dardani ia vunë pushtuesit osmanë, duke u nisur nga emri sllavisht "Kosovopolje" (Fusha e Kosovës, që do të thotë Fusha e Mëllenjave).

Delegacioni i Universitetit të Prishtinës që mori pjesë në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Tiranë, 1968: (nga e majta) D.Rozhaj, M.Korkuti, S.Pupovci, B.Hoxha, I.Ajeti, F.Agani

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare