TIRANE- Janë më shumë, por në të paktën 12 atentate të regjistruara në gjysmën e parë të vitit, fshihet pas dora e mafias dhe e krimit të organizuar. Të gjitha janë pa autor, dhe mënyra e ekzekutimit konsiderohet perfekte duke mos lënë asnjë provë të dobishme për policinë. 
 
E para u regjistrua në 16 janar, dhe autorët kishin siguruar më parë informacionin konfidencial se Astrit Gjepali kishte marrë 5 ditë leje për të dalë nga burgu ku shlyente dënimin me 25 vite burg për vrasje. E kanë ndjekur makinën në kthim dhe e kanë ekzekutuar në afërsi të Bishtit të Zhurit. I vetmi gabim ishte vrasja e një personi tjetër që ndodhej në makinë me të.  
 
Një javë më pas në rrugën e Plazhit në Durrës i realizohet një atentat me eksploziv në makinë biznesmenit të ndërtimeve Xhemal Çela, i cili ndërroi jetë disa ditë më vonë në spitalin e Traumës. E vetmja provë që ka policia janë filmimet e makinës së përfshirë nga flakët pas shpërthimit.
 
Në 19 shkurt ekzekutohen në automjetin e tyre në një pritë në Milot, Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi.
 
Dhe një javë pas këtij atentati, në Tiranë ekzekutohet biznesmeni i ndërtimit Armando Ceka. Ekzekutimi i Cekës është realizuar me eksploziv në lokalin e tij në rrugën “Besa”, ku mbeti i plagosur badigardi.
 
Të nesërmen në Vorë, po me eksploziv, por këtë herë në makinë ekzekutohet Baki Xhabafti. Policia deklaroi se dyshohet për sulm hakmarrës, por askush nuk është vënë në akuzë për këtë krim.
 
Në 20 mars, në afërsi të “Urës së Thive” në Shkodër, dy persona me motoçikletë i bëjnë atentat biznesmenit të duhanit Ndue Cini. 48-vjeçari ndërroi jetë 8 ditë më pas spitalin e Traumës në Tiranë.
 
Në 25 mars, me dashje apo jo, por mosvendosja e djegores ka bërë që goditja me antitank të mos shpërthente në vilën e Kryetarit të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Nga sulmi nuk pati lëndime në njerëz, veç dëmeve materiale.
 
Në 4 prill, që rezulton një muaj pas lirimit nga paraburgimi i të arrestuarit si i dyshuar për një vrasje që ka lidhjen me konfliktet në bizneset e kromit,dhe 1 javë pasi i shpëton një tjetër arrestimi nga policia, Gjin Nika, ekzekutohet në një pritë në fshatin Tapizë në Fushë-Krujë. Në pritë u vra edhe Fabio (Ersild) Xhunga, 34 vjeç që ishte me Nikën.
 
Ndërsa në 9 maj në Berat, në një tjetër atentat këtë herë në Berat ekzekutohet biznesmeni Adriatik Mustafaraj, 52 vjeç, i cili kishte shërbyer edhe si shef i policisë rrugore.
 
Për të ardhur në 1 qershor tek atentati i dytë ndaj ish-drejtorit të CEZ për Kurbinin, Viktor Skeja, i cili u ekzekutua brenda automjetit të tij në rrugën “Riza Cerova” në Tiranë. Një vit më parë Skeja ishte plagosur në një tjetër atentat ndaj tij. Të dyja këto atentate mbeten të pazbardhura për policinë.
 
Dy javë më pas, në 14 qershor në Durrës, dy persona me motor ekzekutojnë me armë zjarri teksa hipte në automjetin e tij biznesmenin Kujtim Dervishi, i cili kishte qenë ortak me biznesmenin Xhemal Çela që u ekzekutua me eksploziv në janar.
 
Për të ardhur tek ekzekutimi i të enjtes, kur bankieri Artan Santo, u ekzekutua në një atentat tipik mafioz, teksa shkonte nga banesa për në bankën e tij, në zonën e ish-“Bllokut”, në Tiranë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)