Askush nuk mund t’ja heqë Sali Berishës atributet e liderit të Partisë Demokratike. As ata që sot qajnë për të, duke nisur nga militantë të thjeshtë, deri tek ministrat, as ata që dje e gjuanin me gurë e sot janë brenda një kostumi firmato për shkak “ të kthesës” që bënë,  as ata që i kanë ndarë “lakrat” prej vitesh me Berishën, e as ata që po i ndajnë lakrat tani që Berisha është vetëm kryeministër kujdestar e kryetar i dorëhequr. Duke folur për PD-në, dhe jo për qeverisjen e tij si President dhe kryeministër ku ai mund të ketë me dhjetëra mëkate, të bëra e të pabëra, të justifikueshme e të paparanueshme, të gjithë demokratët, të djathtët në përgjithësi, ndonjëherë edhe të majtët, janë sjellë për 23 vjet rrotull këtij njeriu.

Edhe i fundit qëndrestar, Dashamir Shehi, ish-zv/kryeministër në kohën kur Berisha ishte president, sot është deputet i listave të PD-së, pavarësisht se drejton një tjetër parti. Pra realisht të flasim, Partia Demokratike ka marrë frymë në gjithë këto vite me mushkëritë e një njeriu dhe ai është Sali Berisha. Të tjerë eksponentë të saj, janë ngritur, apo janë ulur me pëlqim, apo mosakordim të Sali Berishës, duke nisur prej Genc Pollos e Ferdinand Xhaferrit, deri tek Spartak Ngjela e Lulzim Basha.

Sot sërish gjithçka e ka në dorë vetëm Berisha. Nëse zgjedhjet brenda PD-së do të jenë vërtetë reale dhe pa ndikimin e tij, apo nëse mijëra anëtarët demokratë do të votojnë njeriun e vetëm me të cilin Berisha u shfaq në Presidencë pas mësimit të humbjes së pakthyeshme, Lulzim Bashën. Ky nuk është paragjykim, por aksiomë. Berisha ka shansin e tij të tregohet vërtetë një lider i madh, siç nuk është treguar askush deri më sot në Shqipëri. Brenda një jave, ai theu të gjitha parashikimet, të gjitha dyshimet dhe rrëzoi të gjitha pritshmëritë e sjelljes “alla Berisha”.

U realizuan zgjedhje më normale se asnjëherë, rezultati brenda 2 ditësh me më pak se 5 ankesa (!!!), shpallja e humbjes tre ditë pas zgjedhjeve, urimi i kundërshtarit dhe brenda të njëjtit fjalim dorëheqje nga funksionet brenda partisë.  Kjo sjellje e Berishës duhet në fakt të kthejë analizën e analizuesve politikë në të gjitha ankimimet e tij për zgjedhjet, ashtu si humbja duhet analizuar nga strukturat e PD-së jo vetëm si humbja e tij; në 1997 Berisha dhe jo PD u votua me rreth 27 përqind, në 2013, Berisha dhe PD u votuan me rreth 30 përqind.

Liderit historik të PD-së i mbetet edhe një punë e fundit për “të kryer”. Ta lerë Lulzim Bashën të përballet pa ndihmën e tij. Rivali, Sokol Olldashi, vërtetë nuk duket një peshë e lehtë, një Maqo Lakror. Të dy kanë gati vijë të njëjtë karriere, veçse me vendosje të ndryshme, Ministra Transporti, Ministra të Brendshëm, përballje me Ramën, akuza për korrupsion. Një përballje e vërtetë dhe reale mes këtyre të dyve do të ishte edhe risia e parë, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për gjithë partitë e tjera politike, ndoshta duke përjashtuar në një farë mënyre rivalitetin Nano-Majko në 1999.

Duket gati e pamundur që këto zgjedhje në PD, në do jenë reale, apo të stisura, të mos jenë në dorë të Sali Berishës. Pavarësisht deklarimeve të tij të herëpashershme, vetëm drejtimi i kryesisë nga e njëjta karrige ku ka drejtuar për kaq vjet, nuk ta lëkund dyshimin se Berisha e ka dhënë dorëheqjen vetëm me fjalë. Ka lloj lloj mënyrash për ta drejtuar një parti të cilën e zotëron për mbi dy dekada, edhe pse zyrtarisht nuk je më kryetar i saj. Ashtu siç ka lloj lloj mënyrash për të ndikuar tek vota e anëtarësisë në krah të njërit, apo tjetrit.

Natyrshëm që Berisha i ka dhënë aq shumë mbështetje dhe përkrahje Lulzim Bashës, saqë edhe nëse ai do të fitojë realisht, ajo do të komentohet si fitore e Berishës, dhe kjo jo për faj të komentuesve. Por nëse Berisha nuk do të ndërhyjë, të paktën një grup njerëzish në PD do të jenë në dijeni të kësaj. Dhe atëherë nuk do të flitet më vetëm për ndërgjegjen e qetë të Berishës, por për një epokë të re në Partinë Demokratike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)