Në fushën e kujt qenka topi?

Në fushën e kujt qenka topi?
Është i njohur fakti, sipas të cilit, vendet në zhvillim e kalojnë jetën përmes kontradiktash dhe keqkuptimesh të shumta, derisa fillojnë t’u nënshtrohen disa kritereve të vlerave në procesin politik, të cilat dallohen thelbësisht nga zakonet ose konceptet e pakuptimta, që ndonëse herë pas here të ndryshueshme, mbeten gjendje e pavlerë e formësimit empirik të shoqërisë. Në të kundërt, vlerat vërtet që synojnë të ankorohen edhe ato në mënyrë empirike në shoqëri, por nuk mund të ndahen nga kërkesat që gjallojnë gjithnjë e më shumë brenda saj.

Sepse vlerat besohen, zbulohen dhe pranohen nga njerëzit si të mirënjohura. Dhe, në trajtimin e tyre, në konsideratë vijnë jo vetëm fuqia e efikasitetit dhe fakticiteti pozitiv i të tillave vlera, por edhe rëndësia normative e tyre, që ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë dhe njëherësh në konsolidimin e shtetit.

Këtë rrugë ka përshkuar dhe përshkon edhe Shqipëria. Në zemër të Evropës, por si pjesë e një rajoni vendesh me konflikte të panumërta, shoqëria e saj më së fundmi arriti më 2013-n të bënte të kapshme dhe të prekshme një nga parimin bazë të demokracisë funksionale: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndërkohë, me qeverisjen e re u duk aftësia për të hedhur hapa më të shpejtë dhe të duhur në rrugëtimin e integrimit evropian, çka ndikoi që Brukseli t’i akordonte Shqipërisë statusin e Shtetit Kandidat për në BE.

Në këtë kuadër, meqë njerëzit në përgjithësi nuk i lejojnë vetes të grinden mbi vlerat e këtij rrugëtimi, çdo papajtueshmëri nga nakari, zilia apo pakënaqësia ndaj rotacionit të pushtetit, do të duhej të sheshohej konkretisht, duke u orientuar nga rezultatet. Dhe kjo është dilema e çdo shoqërie. Por ky sheshim nuk mund të lejohet që të mbështetet në diktatin e dhunshëm të një “kanuni” vlerash të kërcyera mbi kurriz të atyre të reja që na afrohen.

Nga ky vështrim mund të analizohet edhe kriza politike 6 mujore në vendin tonë, e cila pritet që fundi i vitit t’i japë fund edhe asaj. Përkohësisht apo pëgjithnjë? Një përgjigjia e prerë, ndoshta do të ishte e nxituar. E nxituar, sidomos po të kihet parasysh se, një interpretim i përgjithshëm mbi rregullat bazë të mirëkuptimit është vërtet kusht i domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie moderne, edhe pas shuarjes së sherreve politike brenda rradhëve të saj, por jo i mjaftueshëm.

Sepse diskursi i vlerave, që nuk i shërben vetëm përpjekjes për të vërtetën, me gjithë mend i shërben në shumë fusha edhe rendit të bashkëjetesës, konkretisht hartimit dhe zbatimit të rregullave. Por këtu mbetet për t’u dalluar ndryshimi midis vlerave private të disa individëve “me ndikim”, që nuk kërkojnë ujdi apo marrëveshje, dhe vlerave kolektive publike, që mbartin në vetvete kërkesën për ecuri të përgjithshme shoqërore.

Ndonëse ndryshimi i theksuar midis këtyre dy lloj vlerash, që prodhoi edhe krizën e fundit politike, ndjehej fare qartë në jetën dhe aktivitetet e përditshme, mbase është e nevojshme të  shpjegohemi më shkoqur. Në të vërtetë, divergjencat midis dy krahëve politikë filluan më parë se sa kur nga një korridor i Kuvendit po dëgjoheshin tingujt që shkaktojnë pëllëmbët dhe grushtat mbi faqet e një të gjalli, apo edhe rripi i pantallonave mbi hijet e tjetrit.

Vendosja e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe forcave aleate të saj në pozicione opozitare prodhoi që me konstituimin e kësaj Legjislature një kontradiksion të vazhdueshëm me shfaqje të dhunshme, me dufma të sharash dhe shkulme lëvizjesh, të gjitha këto sa në seanca parlamentare dhe shesheve e rrugëve kryesisht të Tiranës, po aq edhe nëpër mediat televizive dhe të shkruara. Në mënyrë të përhershme vazhdoi të dëgjohej nga goja e Berishës dhe e pasuesve të vet rituali i zakonshëm i përgojimit të nuseve, motrave, prindërve dhe soj e sorollopit të politikanëve të shumicës në pushtet.

Në këtë tollovi të shfrenuar nuk u kursyen as dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga ky shtet për t’u bërë copë e thërrime, si edhe vendimet e hershme të shteteve të tjera ndaj ndonjë qytetari shqiptar, që sot është zgjedhur deputet nga listat e Partisë Socialiste. Pikërisht deputet, si Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, i cili mbylljen në burg e ka provuar jo shumë larg, por në këtë vend ku udhëheq protestat dhe mbulon ekranet.

Gjithashtu, nuk mund të mos rezultonte një pritje e kotë ajo e deputetëve të opozitës nga ana e kolegëve të tyre mazhoritarë në komisionin parlamentar të posaçëm për reformën administrative-territoriale, një prej pesë reformave të rëndësishme si kriter për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një pritje e kotë deri sa në ditën e fundit të sesionit të parë kuvendor të këtij viti, Ligji për ndarjen e re territoriale të miratohej me shumicë të cilësuar.

Prej atëhere, Partia Demokratike dhe ndonjë parti tjetër parlamentare opozitare zbuluan dhe aplikuan një formë “origjinale” të parlamentarizmit: “legjislaturën” paralele pa vendimmarrje dhe rezultate, por me shpresën e vetme për ta kthyer atë në realitet, sipas deklarimit kërcënues të udhëheqësit shpirtëror të tyre, rrëzimin nga froni të Edi Ramës pas disa muajsh, në përvjetorin e 24-t të datës kur u rrëzua shtatorja e bronxtë e Enver Hoxhës. Pra, nuk qenka thënë kot që çdo gjë e ka një kufi, përveç fantazisë...  

Sidoqoftë, ajo që ka tani më tepër rëndësi lidhet me zgjidhjen e krizës. Takime të ethëshme nëpër Evropë të liderit të Partisë Bemokratike, Lulzim Basha, si edhe të Kryeministrit, Edi Rama. Ky i fundit, në ligjëratat e tij bëri edhe një lapsus, kur tha se do të pranonte gjithçka që kërkon opozita, nëse ajo kthehet në Kuvend (mos vallë edhe dominimin pa kushte të sallës së parlamentit nga përfaqësuesit e opozitës, mos vallë heqjen dorë nga reformat integruese, si ajo administrative-territoriale, mos vallë edhe deri shpërndarjen e Kuvendit etj, etj?).

Kurse Basha tek pohoi se Partia që ai drejton është e gatshme të hedhë hapin për të dalë nga situata që ka krijuar bojkoti 6 mujor në Kuvend, gjithashtu la pa gojë shumicën e publikut, kur u bëri thirrje të majtëve të reflektojnë: “Topi është qartësisht në fushën e tyre!”. Të jetë vërtet kështu? Pastaj, në fushën e kujt qenka topi?

Fillimisht, nuk duhet harruar që pa marrëveshjen e fundit me Parlamentin Evropian, ndeshjen do ta kishte pasur të humbur pikërisht Partia Demokratike. Do ta kishte të humbur, sepse në kohën kur po afronte koha e djegies së mandateve të deputetëve opozitarë, jo të gjithë prej tyre do ta pranonin këtë penalitet kushtetues. Dhe, PD do të përçahej e tkurrej edhe më shumë, si edhe do të braktisej nga aleatët, që do të preferonin të ndiqnin më mirë rrugën drejt Kuvendit.

Me këtë pozicion, PD nuk do të mund të legjitimohej si subjekt parlamentar para Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e ankesave të veta, automatikisht do të humbte përfaqësimin në KQZ dhe do të zmbrapsej përherë e më tepër në fushatën për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore etj.

Të vijmë te pyetja e dytë, që ka zënë edhe vendin e titullit të këtij komenti: Në fushën e kujt qenka topi? Drafti me 5 pika, që u shndërruan si “garanci” të opozitës për kthimin në Kuvend, në më të shumtën e tyre janë pranuar nga mazhoranca jo urgjentisht këto ditë, nga presioni i PD–së dhe i parlamentarëve evropianë.

Në të vërtetë, respektimi i të drejtës së opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, ndryshimi i Rregullores së Parlamentit për të njësuar në Kuvend kohën e fjalimit të përfaqësuesit të opozitës me atë të kryeministrit, si edhe garantimi se mazhoranca nuk do të bëhej pengesë e drejtësisë për rastet e hetimit të deputetëve, pra të tria këto kërkesa janë miratuar prej kohësh me shumicë absolute të mazhorancës. Madje, për dy prej deputetëve të saj ka filluar gjykimi në Gjykatën e Lartë, pikërisht me kërkesë të vetë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Më e rëndësishmja në këtë draft, domethënë, hartimi dhe miratimi i një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit, gjatë 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, nuk do të kishte asnjë pengesë nga cilido krah, sigurisht nëse masat e marra me këtë ligj nuk do t’i tejaklonin parashikimet kushtetuese.

Në këtë kuptim, për shembull, Kuvendi s’mund të ndërpresë mandatet e anëtarëve të veçantë të tij, përveçse kur ata nuk bëjnë betimin; kur heqin dorë nga mandati; kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të përcaktuara në nenet 69 dhe 70 (paragrafët 2 dhe 3) të Ligjit Themelor; kur mungojnë pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohen me vendime gjyqësore të formës së prerë për kryerje krimesh. Të tjera parashikime mund të përmirësojnë Rregulloren e Kuvendit, por jo të Pjesës së Dytë dhe të Tretë të Kushtetutës, e cila është në vetvete një kontratë mes gjithë popullit.

Ndërsa për kërkesën tjetër, atë të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, vetë opozita, më saktë, Partia Demokratike është ajo që i vë një pikëpyetje të madhe ende pa u firmosur Pakti PS-PD, planifikuar për më 22 dhjetor në prani të dy reporterëve të Parlamentit Evropian. Pra, për hir të së vërtetës është Partia Demokratike ajo që qysh disa ditë më parë, kur Gjykata Kushtetuese dha një vendim të ndërmjetëm për mos pezullim të efekteve të ligjit të ndarjes së re territoriale, përfaqësuesit e saj në gjykim kërcënuan para kamerave dhe mikrofonëve, që po qe se organi i rishikimit kushtetues nuk do të vendosë ta shfuqizojë këtë ligj si të papajtueshëm me Kushtetutën, atëherë forca e tyre politike nuk do të përfshihet në zgjedhjet e pritshme për organet vendore.

Ky kërcënim u përsërit edhe dje nga selia e PD, në prag të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese ndaj ankimit të saj. Kështu, nëse një kërcënim i tillë është serioz, atëhere bojkotit të Kuvendit i shtohet edhe një bojkot tjetër nga Partia Demokratike për mosapjesmarrjen në nivelin e dytë të qeverisjes. Pra, jo vetëm që topi mbetet në fushën e Partisë Demokratike, por edhe me tingëllimin e bilbilit të gjyqtarit përfundon ndeshja, duke u skualifikuar humbësja nga çdo fushë politike.

Sidoqoftë, renditja e vlerave në sferën e politikës, të cilave iu drejtuam në fillëm të këtyre rradhëve, shpesh herë është më pak e kuptimtë si në shembujt e mësipërm. Sepse, edhe nëse do të kishte një interes të përbashkët të të dy krahëve politikë për disa rregulla lidhëse, me gjithë interesimin dhe ndërhyrjen e Parlamentit Evropian, ende nuk duket e sigurt që të gjithë janë një mendjeje, se në cilat fusha apo drejtime duhet të bazohen këto rregulla. Por, sidoqoftë, mirëkuptimi, veçanërisht gjatë proceseve politike është i nevojshëm.

I nevojshëm, në kuptimin e ngushtë të fjalës, për vlerësimin e vetë politikanëve nga publiku. Nëse ata, tani për tani, nuk e ndjejnë këtë nevojë, me siguri që do ta ndjejnë kur të ballafaqohen me mundësinë e mënjanimit të tyre nga jeta politike. Ndërsa në kuptim më të gjerë, mirëkuptimi si nevojë e mënjanimit të përplasjeve brenda proceseve politike, në Shqipëri ka shansin të mund të vendoset përfundimisht drejt perspektivës evropiane; këtij shansi, askush prej politikanëve “me peshë” nuk mund t’i kthejë dot krahët, përveçse atëhere kur këta të jenë braktisur dhe harruar nga i gjithë publiku shqiptar.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS