Në kohën e gabuar?

Në kohën e gabuar?
Në bisedë me një gazetar gjerman që mbuloi zgjedhjet në Shqipëri mora një pyetje, për të cilën e kam gjithnjë e më të vështirë të përgjigjem. A kanë respekt shqiptarët për dijen dhe librin? Në tekstet shkollore jemi rritur duke thënë PO. Në konferenca, botime apo aktivitete me ngjyrë patriotike gjithashtu themi PO. Dhe ilustrojmë etërit kulturorë të Rilindjes apo para-rilindjes, ata që krijuan shkrimin e librin shqip, ata që më vonë bënë emër në krijimtarinë e tyre profesionale, deri tek brezi i Kadaresë apo disa dhjetëra krijuesve të rinj që kanë arritur sukses në shoqëritë e sotme perëndimore ku jetojnë!

Një bilanc i bukur për alibi! Por për gazetarin gjerman kjo nuk mjafton, madje sjell rritim. Ai të sjell shembullin e të disa deputetëve të rinj në Elbasan, në Tiranë, në Lezhë, në Shkodër, dhe në Fier, të cilët të pyetur prej tij në ditët e fushatës mbi përmbajtjen e Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës i ishte përgjigjur pothuajse me të njëjtën gjuhë: nuk është puna e jonë të lexojmë ligje e libra. Do kenë staf për këtë punë. Ata vetëm sa do kujdesen që të paguajë një stafe të mira. Ndaj hulumtimi i tij ndalon tek pyetja e raportit të shqiptarëve me librin, me dijen, me vlerat, me meritat dhe me sensin e përgjegjësisë.

Sot kur rikthejmë kokën në histori dhe kujtojmë ditët më të vështira dëgjojmë të thuhet: Esat Pasha nuk dinte të shkruante shqip, firmoste me gisht; Haxhi Qamili kishte urrejtje ndaj dijes; as Zogu, as Enveri dhe as Alia nuk mbaruan shkolla të larta të plota, K.Xoxe ishte këpucar dhe urrente intelektualët, H.Lleshi dhe një turmë drejtuesish të tjerë ishin pa shkollim cilësor, etj, etj. Dhe mund të jenë 100% të vërteta. Por që mund të thonë shumë për ne, jo për ata.

Sepse princin perëndimor dhe shqiptarin më të arsimuar i dëbuam brenda 6 muajsh nga pushteti, sepse elitën e arsimuar të viteve 30-40 e detyruam të emigrojë ose e dënuam përpara togës së pushkatimit, sepse institucionet fetare me rol thelbësor në formësimin e dijës kombëtare i mbyllëm dhe i shndërruam në magazina e qendra sportive! Vendin e mendimtarëve e zuri modeli i njeriut të ri, bujkut të dalluar që u bë deputet, mjelëses së dalluar që u bë sekretare e Komitetit Qendror, karrocierit të dalluar që u bë anëtar në Byronë Politike, shoferit të dalluar që u bë zv/kryeministër! Rezultati dihet, falimentim fatal i sistemit, i shtetit, i vlerave shoqërore dhe burimeve njerëzore e kulturore.

Më 1990 erdhi shansi historik, kur për herë të parë një elitë politike do të vinte nga auditorët akademike dhe universitare. Shumica e atyre që u vendosën në krye të partive të djathta e të majta gëzonin arsimim cilësor, madje të dërguar nga regjimi në universitete perëndime kur qytetarit të thjeshtë shqiptar kjo i ndalohej me kushtetutë! Ata premtuan një sistem të ri vlerash, që funksionoi ca kohë, më pas pjesërisht dhe që mori fund tërësisht brenda 6-7 viteve të para të pluralizmit politik. Ngjarjet e vitit 1997 deformuan cilësinë e përfaqësimit, tek të gjitha palët politike. Vendin e elitave e zunë “qendrestarët”, “militantët”, të cilët u zgjodhën dhe rizgjodhën në parlament, qeveri dhe poste të larta drejtuese më shumë se një herë.

Më 2001 socialistët premtuan pa sukses meritokracinë, më 2005 PD e rimori këtë temë fillimisht me sukses, më 2009 u fol u harrua tërësisht dhe sot, më 2013 jeta politike heq dorë konsensualisht nga sistemi i meritës dhe vlerave përfaqësuese. Etja e madhe për rotacion politik nga njëra anë dhe etja e madhe për qëndrestarë memecë e besnikë nga ana tjetër çoi në produktin më pak cilësor përfaqësues të 22 viteve pluralizëm. Nëse shihen pjesa e prurjeve të reja parlamentare të krijohet përshtypja se nuk kemi zgjedhur parlament, por jemi zgjedhur shoqatën e biznesit të lojërave të fatit, shoqatën e biznesit të ndërtimit, shoqatën e shkollës së ri-edukimit, pra një produkt tranzicioni, pa asnjë lidhje organike me pritshmëritë dhe nevojat e mëdha që ka shoqëria dhe shteti shqiptar.

Është folur shumë për emrat e veçantë dhe CV e tyre të pasur në raportet me organet e drejtësisë jo vetëm në Shqipëri. Është folur shumë për dyndjen e biznesit politik në fushata dhe në krye të listës së partive politike, siç është folur shumë për rezultatet surprizë të shit-blerjeve të votave, zgjedhësve, komisionerëve, medieve, etj, para dhe gjatë fushatës elektorale. Të gjithë folën, me përjashtim të prokurorisë, KQZ-së, drejtorisë së tatimeve, të doganave, të pastrimit të parave apo të interpolit. Ata duhet të kenë pasur arsyet e tyre, natyrisht jo ligjore.

Në këtë klimë zgjedhore e politike qytetarët morën pjesë masive në votime dhe me votën e tyre vendosën se kush do t’i përfaqësojë në katër vitet e ardhshme. Kur sovrani flet nuk ka diskutim – thuhet në politikë, dhe parimisht kjo sentencë vlen. Siç vlen edhe përmbajtja cilësore e fjalës së sovranit! Ai e tregoi në formën më të ashpër zhgënjimin e tij me politikën qeveritare, ndaj arrogancës së pushtetit dhe sistemit piramidal të kryeministrit ende në detyrë. Dhe shkoi për ti rrëzuar me votë masive, me 1 milion vota. Për këtë sovrani meriton respekt, siç meritoi më 1992 apo 2005 kur rotacioni erdhi për palët e tjera politike.

Por për pjesën tjetër, kur një pjesë e sovranit vendosi ta shkëmbejë sy-mbyllurazi apo me para besimin e pushtetin e vet kushtetues – nuk ka shumë vend për respekt, sa ka vend për reflektim dhe alarm në krizën e identitetit, mendimit dhe kulturës politike të shoqërisë shqiptare. Asnjë motiv i mirë politik nuk është arsye e mjaftueshme për të votuar e mbështetur kandidatë skandalozë në listat elektorale! Asgjë nuk përbën alibi të besueshme për të zëvendësuar një sistem arrogant politik me një sistem përfaqësues nën mesataren e inteligjencës publike. Gjë që ndodhi. Dhe sot shteti shqiptar hyn në shekullin e ri shtet-formues me parlamentin më pak cilësor, më pak të ndershëm, më pak dinjitoz dhe përfaqësues sesa çdo parlament tjetër të periudhave të zgjedhjeve konkurruese.

Fama është e shkurtër, turpi jeton gjatë – thuhet në raste të tilla edhe kur bëhet fjalë për njerëz të pushtetshëm nga të cilit, nuk është sekret, duket të kemi frikë. Sepse përveç pushtetit të parave dhe forcës sot u kemi dhënë edhe pushtetin politik, legjislativ dhe ekzekutiv. Ata do zgjedhin gjykatësit, kryeprokurorin, kryekontrollorin, presidentin, kryeministrin, ministrat dhe do të miratojnë ligjet me ndikim me jetën, liritë dhe sfidat tona në katër vitet e ardhshme! Ata nuk lexojnë libra, nuk lexojnë ligje, por kanë pushtet e lidhje që u lejojnë të kthejnë në shërbëtorë të synimeve të tyre media e universitete, krijues publikë në krizë identiteti social dhe grupe të shumta klientele, folklorike e populiste që mbijetojnë duke kërkuar padronë të rinj për tu shërbyer.

Kolegu gjerman ka të drejtë: tek ne ende shihet si fajtor dhe i huaj nëse thua që merrem me libra dhe botë akademike, tek ne fatkeqësisht nuk ka vlerë fjala dhe as kontributi publik, nuk kanë më vlerë vendimet morale dhe as ndershmëria profesionale. Sepse ne ndodhemi në krizë identiteti shoqëror, në krizë të vlerave morale dhe sistemit të meritës, në krizë përfaqësimi dhe reagimi. Ndaj midis të gjitha alergjive një numër i madh qytetarësh zgjodhën rrugën më të shkurtër, mbështetjen e produktit më dinjitoz të sistemit të turmave dhe tranzicionit, - një klase të re politike, që nuk është aty për politikë dhe as ligje, për programe zhvillimi dhe as projekte integruese, por për veten, miqtë, familjen, shefat, biznesin, partnerët, imunitetin, statusin social dhe garancinë e mbajtjes në këmbë të sistemit të pashallarëve, - i rrëzuar formalisht nga shqiptarët rreth 100 vjet më parë.

Cila është zgjidhja? Nëse do flisja për zgjidhje afatgjata do të imitoja të gjitha këshillat e rilindësve më shumë se një shekull më parë apo elitës intelektuale të viteve 30-40. Receta është e njëjtë pavarësisht viteve dhe rrethanave. Në planin afatshkurtër zgjidhje do të ishin institucionet e garancisë publike: institucionet kushtetuese përballë produktit populist e klientelist të turmës, institucionet ligjore përballë turmës që kërkon imunitet përballë ligjit, institucionet e edukimit demokratik përballë kioskave universitare të pushteteve, institucionet e demokracisë direkte përballë pazareve klienteliste të çdo pushteti, institucionet e partive politike demokratike përballë partive-piramida personave të kryetarëve të radhës, institucionet e reagimit civil përballë ofertës së heshtjes, institucionet e presionit të jashtëm për reforma përballë presionit të brendshëm për të mos ndryshuar, ndryshim thelbësor në Kodin Zgjedhor, në sistem përfaqësues kushtetues, në raportet midis shtetit dhe pushtetit të radhës, si dhe presion pozitiv të përditshëm ndaj fituesve e humbësve nominalë të zgjedhjeve për tu ndarë nga bota informale e përfaqësimit, për transparencë në vendimmarrje, për hapësira reale ndaj prurjeve të reja elitare dhe universitarë, mbështetje të gazetarisë së pavarur, medias investiguese, mekanizmave të kontrollit dhe sistemit efektiv të drejtësisë.

Ky vend, kjo shoqëri, këta miliona njerëz evropianë të ndëshkuar në vite nga udhëheqësit e tyre nuk mund të jenë përjetësisht të lindur në kohën e gabuar. Ata mund të kërkojnë shans dhe shpresë, besim dhe inspirim, - gjë që politika nuk mund tua ofrojë, por të paktën ata meritojnë një qeverisje normale, demokraci normale funksionale, shtet normal që përpiqet të ndryshojë, politikë normale që mendon edhe për qytetarët, pra meritojnë diçka ndryshe nga oferta e përhershme e zhgënjimit. Sepse, duke cituar Presidentin Obama në adresimin e ambasadorit të tij Arvizu mbi Shqipërinë “ndryshimi nuk vjen nëse presim për një tjetër person ose për një tjetër kohë. Ne jemi ata për të cilët kemi qenë në pritje. Ne jemi ndryshimi që kërkojmë”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)