TIRANE- Kushtet higjeno-sanitare të tregjeve që shesin produkte ushqimore në kryeqytet vazhdon të jetë problematike.Edhe pas kontrolleve të shumta të ushtruara në terren, në shumë prej lagjeve dhe rrugëve në Tiranë, shitësit ambulant vazhdojnë të tregëtojnë jashtë çdo standarti mallra ushqimore. Në zonën e “Tregut Elektrik”, prej vitesh qytetarët në mungesë të një tregu me standarte e kërkuara janë të detyruar që produktet e tyre ushqimore t’i blejnë në rrugë. “Edhe pse i shohim se në çfarë mënyre tregëtohen ushimet që blejmë nuk kemi zgjidhje tjetër.

Bashkia duhet të krijojë tregje me standarte për ne, që të mos konsumojmë ushqime të mbuluara nga pluhuri i rrugëve.”, shprehet për Shqiptarja.com  një prej banoreve të zonës. Sipas saj, mungesa e kontrollit nga ana e autoriteteve nuk vlen vetëm për çështjen e higjenës por edhe për çmimet që tregëtarët vendosin. Nga ana e tyre tregëtarët ambulantë tregojnë se nuk është përgjegjsia dhe dëshira e tyre për të shitur në rrugë. “ Unë dalë sa për të fituar bukën e gojës për fëmijët e mi.

Bashkia duhet të na sistemojë dhe të na vendosi në një zonë në të cilën edhe ne të tregëtojmë me standartet e kërkuara edhe qytetarët të jenë të sigurt për ato që konsumojnë”, sqaron për Shqiptarja.com një prej shitësve të këtij tregu. Agjensia Kombëtare e Ushqimit ka vijuar me kontrolle për gjobitjen e të gjithë tregëtarëve që nuk respektojnë kushtet higjeno-sanitare, por megjithatë gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë. Shumë prej tregëtarëve shprehen për Shqiptarja.com se edhe pas gjobave të vendosura nga AKU-ja, ata vazhdojnë të shesin produktet e tyre në trotuare.

Sipas specialistëve të shëndetit, tregëtimi i disa produkteve ushqimore në të tilla kushte mund të ndikojë drejtëpërdrejtë në shëndetin e konsumatorëve. Ndërkohë Bashkia e Tiranës ende nuk ka një plan konkret për ndërtimin e një tregu të ri në standartet e kërkuar në këtë zonë. Qytetarët edhe pse koshient për mallrat ushqimore që konsumojnë në mungesë të një tregu, janë të detyruar që ushqimet e tyre t’i blejnë në rrugë.

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)