Në Teatrin Kombëtar paguhen
aktorë që s'punojnë prej 10 vitesh

Në Teatrin Kombëtar paguhen <br />aktorë që s'punojnë prej 10 vitesh
Akuzat e drejtorit të Teatrit të Komedisë. “Nuk zbatohet ligji. Po të zbatohej Kodi i Punës, ata aktorë do të ishin në shtëpi sot...”

Në Teatrin Kombëtar ka aktorë që dalin në skenë një herë në dhjetë vjet. Ka të tjerë që prej 6 vitesh nuk janë ngjitur në atë skenë, siç ka edhe të tjerë që kanë mbushur moshën e pensionit e s’denjojnë t’u lënë vendin më të rinjve... Pse këto paga që jepen pa të drejtë, mos të kalojnë për Teatrin e Komedisë, i cili është më produktiv edhe pse me buxhet tejet të vogël?
Drejtori i Tetarit të Komedisë Kastriot Çipi i artikulon këto fraza me një pakënaqësi në kufijtë e padrejtësisë ekstreme. Ai ka hedhur një pyetje për debat publik dhe është gati të flasë gjerësisht për këtë çështje: A duhet t'i kalojnë Teatrit të Komedisë pagat e aktoreve që nuk punojnë prej vitesh në Teatrin Kombëtar? Në këtë intervistë për “Shqiptarja.com”, drejtori i Teatrit të Komedisë, Kastriot Çipi argumenton, pse e bën këtë pyetje dhe si do të duhej të ishte sistemi i pagave në institucione si Teatri Kombëtar për të pasur më shumë produktivitet, me tepër larmi interpretimi, konkurrencë të ndershme, etj... Më tej ai flet për krizën financiare ku ndodhet institucioni që ai drejton për shkak të fondeve tejet minimale që janë dhënë, sikurse flet edhe për arsyen pse janë ndërprerë shfaqjet e teatrit të komedisë dhe borxhin që ai teatër ka, borxh që shpresojnë ta shlyejnë deri në maj...

A është e vërtetë që në Teatrin Kombëtar paguhen prej vitesh aktorë që nuk punojnë në teatër? Sa aktorë janë? A mund të përmendim disa emra?
Është absolutisht e vërtetë. Ka aktorë që dalin në skenë një herë në dhjetë vjet; ka aktorë që kanë më shumë se 6 vjet pa dalë në skenë dhe ka prej këtyre të fundit që kanë vite që kanë mbushur moshën e pensionit. Ju si media e keni për detyrë të publikoni listën e tyre. Kur kam qenë nëndrejtor i TK-së e kam bërë këtë gjë. Në pozicionin që kam tani, nuk është etike të merrem me lista emërore. Unë merrem me fenomenin, me problemin. Dhe problemi nuk janë emrat e përveçëm, por (mos)zbatimi i ligjit. Nëse do të zbatohej Kodi i Punës, ata aktorë do të ishin në shtëpi sot.

A e ushtrojnë këta artistë profesionin e tyre, mbase jashtë dyerve të Teatrit Kombëtar?
Në raste të rralla po, por kjo nuk justifikon pagën që ata marrin në TK, pasi atje ku punojnë, paguhen me kontrata të posaçme. Nuk di asnjë rast kur një aktor ka marrë rrogën në TK dhe për këtë arsye ka pranuar të punojë falas diku tjetër. Por tipikja është që këta “patricë” thjesht vegjetojnë dhe ushqehen me djersën e atyre të rinjve që quhen paturpësisht “të jashtëm”, që bëjnë role kryesore në TK dhe paguhen me honorarë sa dy rroga mujore. Ky është diskriminim i pastër, - më falni, i ndyrë, - për të cilin nuk ka asnjë alibi morale apo ligjore. E vetmja alibi që ka drejtori i TK është se të rinjtë, ata që janë viktima të këtij diskriminimi, shajnë kafeneve, por nuk bëhen bashkë t’i thonë stop kësaj padrejtësie.

Edhe në këtë drejtim, unë e kam bërë detyrën time. Si regjisor i dramës “Mallkimi i fukarenjve”, të miratuar prej dy vjetësh nga Bordi Artistik i TK, nuk pranova të nënshkruaj një kontratë pa afat dhe me një honorar qesharak, që më ofroi drejtori i TK-së. Vendosa të kërkoj të drejtën time në gjykatë. Këtë duhet të bëjnë të gjithë ata të rinj që sot, dashur pa dashur, me punën dhe nënshtrimin e tyre, mbajnë në këmbë këtë sistem parazitar e diskriminues, nëse nuk duan të jenë viça për lëkurë, si në vargjet e Brehtit “Viçat pas daulles hedhin hapin / Lëkurën për daullen vetë e japin”!

Sa mund të jetë dëmi që ata i kanë shkaktuar këtij institucioni për vitet që nuk janë angazhuar?

Paga mujore e një aktori të tillë është rreth 85 mijë lekë. E shumëzuar kjo për totalin e muajve në gjashtë vjet, është rreth 6,1 milion lekë. Fondi faktik i projekteve në Teatrin e Komedisë për vitin 2013, pasi zbriten detyrimet e vitit të kaluar, është 3,3 milion lekë. Besoj se shifrat nuk kanë nevojë për koment.

Ju keni shtruar një pyetje për debat publik: A duhet t'i kalojnë Teatrit të Komedisë pagat e aktoreve që nuk punojnë prej vitesh ne Teatrin Kombëtar? Cila është përgjigja juaj për këtë pyetje? Pse mendoni se duhet t’i kalojnë teatrit të komedisë?
Në Teatrin e Komedisë nuk ka aktorë që paguhen kot, pa punë. Këtu duhet të kesh punë, pra rol, të dhënë nga regjisori dhe jo nga drejtori, që të ofrohet kontrata. Sistemi që ne aplikojmë, që është tërësisht i bazuar në ligj, të mundëson të paguhesh 6 muaj dhe, nëse produksioni ku ti angazhohesh, ka sukses, është mundësia për zgjatjen e afatit të kontratës.

Ndërkohë pagat tona janë më të ulëta se ato të TK. Me përjashtim të drejtorit e nëndrejtorëve, të gjithë ata që punojnë në TK, në administratë, në teknikë, apo në kompaninë e aktorëve, përfshi edhe ata që kanë vite pa dalë në skenë, paguhen me paga pothuaj dy herë më të larta se ato që paguhen në Teatrin e Komedisë.

Paradoksalisht, ky teatër ku pagat janë më të ulëta, ka pasur 4 premiera, 76 shfaqje, 11,400 shikues dhe 2,3 milion lekë të ardhura nga shitja e biletave, të katër këta tregues janë më të lartë se ata të Teatrit Kombëtar.

Ajo që ne kërkojmë është shumë e thjeshtë: t’u hiqen pagat atyre që nuk punojnë në TK dhe t’u jepen atyre që punojnë në TKK.

A ka një zë në buxhetin vjetor Teatri i Komedisë? Sa është kjo shumë për vitin 2013?
Buxheti total i TKK për 2013-n është rreth 20 milion lekë, ose rreth 4,5 herë më i vogël se ai i TK.

Si duhet të funksionojë sistemi i pagave në një Teatër si Teatri Kombëtar, në mënyrë që të ketë produktivitet më të lartë, cilësi dhe larmi interpretimi?
Ashtu siç e kërkon ligji i shtetit shqiptar dhe ligjësitë e teatrit si art. Nuk ka në ligj dhe nuk duhet të ketë në praktikë aktorë “të brendshëm” e “të jashtëm”. Rolet duhet t’i ndajë regjisori, mes të gjithë aktorëve të botës që dinë shqip. Ata që ka zgjedhur regjisori duhet të punësohen me kontrata me afat, sipas kërkesave të repertorit.

Çfarë po ndodh këto kohë me teatrin e komedisë? Pse nuk ka shfaqje për publikun?

Teatri i Komedisë e filloi shumë mirë sezonin 2012-2013 me komedinë “Harroje dashurinë”. Kjo komedi u shfaq 25 herë me sallën plot, u prezantua në katër festivale mbarëkombëtare, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Serbi, fitoi madje edhe Çmimin e Publikut në Festivalin e Preshevës. Më 2 dhjetor u dha shfaqja e 25-të dhe kjo komedi u hoq nga repertori për mungesë fondesh. Në shtator 2012, Ministria e Financave na shkurtoi 1,7 milion lekë nga buxheti.

Ndërkohë 2,3 milion lekët nga shitja e biletave i shkuan po Ministrisë së Financave, megjithëse Ligji “Për të Drejtën e Autorit” dhe Ligji “Për Artin dhe Kulturën” sanksionojnë se këto të ardhura duhet të përdoren për të paguar artistët krijues dhe interpretues. Me fjalë të tjera, na u dhanë 5 milion lekë në fillim të vitit për projekte dhe na u morën, në formën e shkurtimeve dhe të mosakordimit të parave të biletave, 4 milion lekë. Tani na duhet të lajmë borxhet e 2012-s, deri në maj të këtij viti.

Cilat janë projektet për 2013-n dhe kur e keni planifikuar shfaqjen e parë?

Situata është ende shumë e paqartë. Duam të rikthejmë në repertor komedinë “Harroje Dashurinë”, por edhe kjo ka një kosto. Në javën e tretë të marsit TKK do të jetë shtëpia e Pranverës së Frankofonisë. Më pas duhet të kemi premierën e radhës por nuk e dimë ende cila do të jetë. Kemi shpallur konkurs projektesh për spektakle të gjinisë “stand up comedy”, por ende nuk kemi asnjë projekt. Kemi një marrëveshje me parim me Ambasadën Franceze dhe me shumë gjasë brenda pranverës do të kemi premierën e një komedie franceze. Jemi në diskutime edhe me Institutin Italian të Kulturës, për një shfaqje të përbashkët italo-shqiptare, në kuadrin e një programi rajonal me financim nga BE-ja.

Po i drejtohemi me propozime të ngjashme Ambasadës së SHBA-së, Këshillit Britanik dhe Ambasadës së RFGJ-së. Nëse nuk na përkrah MTKRS-ja, ky vit do të jetë shumë i vështirë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

SPAK i konfiskon 4 pasuri 'Zotit të drogës' Alket Hatija! Dy apartamente, një truall dhe një garazh, Italia e ka dënuar me 20 vjet burg për trafik droge

SPAK i konfiskon 4 pasuri 'Zotit të drogës' Alket Hatija! Dy apartamente, një truall dhe një garazh, Italia e ka dënuar me 20 vjet burg për trafik droge