Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i ka kërkuar Presidentit Bujar Nishani të emërojë nën kryetarin e KLD-së. Në një konferencë për mediat Naço tha se kreu i shtetit duhet të zbatojë ligjin dhe jo të veprojë sipas interesave. “Ka rënë në vesh të shurdhër kërkesa ime. Presidentit i bëj thirrje të emërojë zëvendës kryetarin e KLD. Ky këshill duhet të funksionojë normalisht”,­ tha ministri Naço.
 
Sipas tij me vendimet e sotme të KLD-së për pezullimin e gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu dhe shkarkimin nga detyra për gjyqtarin e Pogradecit, Dhimitër Pojanaku, kthyen integritetin e këtij institucioni. 

Megjithatë për ministrin Naço sërish ky institucion vepron i cunguar pa nënkryetarin, post i lënë bosh që prej shkarkimit të Elvis Çefës nga Kuvendi. Së fundmi Çefa fitoi betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkon rikthimin e tij në detyrë.

Numri një i drejtësisë ishte i drejtpërdrejtë dhe për gjyqtarët e tjerë. Ai i paralajmëroi gjyqtarët të mos fusin duart në xhepat e qytetarëve.  Naço tha se kjo mazhorancë është e vendosur në realizimin e reformës në drejtësi, duke i trajtuar të gjithë si të barabartë para ligjit.

“Në këto vite në nuk kemi patur gjyqtarë në bankën e të akuzuarve. Jemi të vendosur që të vëmë përpara drejtësisë të gjithë ata që shkelin ligjin. Ne mendojmë që në çdo rast korrupsioni duhet të dënohet për çdo vlerë, qoftë e vogël apo e madhe. Po të shihni deklaratat e pasurive të këtyre gjyqtarëve do shihni se as shifrat se sa pasuri kanë nuk dinë ta plotësojnë", deklaroi ministri Naço. 



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)