TIRANE - Minsitria e Drejtësisë thotë se rastet e vendimeve gjyqësore për ekstradimin e Arben Gropës, Arben Isufajt dhe Erjon Sadikajt, janë ndjekur në vazhdimësi prej saj dhe se më tej do të merren iniciativat e nevojshme, pas përfundimit të procedurave të tyre në gjykatat më të lartë.

Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Drejtësisë inkurajon Prokurorinë e Përgjithshme në evidentimin e rasteve që përbëjnë shqetësim për sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, dhe e përgëzon atë për interesin e treguar.

“Ministria e Drejtësisë, inkurajon Prokurorinë e Përgjithshme në evidentimin e rasteve që përbëjnë shqetësim për sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, dhe e përgëzon atë për interesin e treguar. Ministria e Drejtësisë gjen rastin të informojë se ka ndjekur në vazhdimësi ecurinë e rasteve të përmendura, dhe garanton që do të ndërmarrë çdo iniciativë të nevojshme, pas përfundimit të procedurës së gjykimit të tyre në gjykatat më të larta.  Ministria e Drejtësisë garanton se do të ndjeki me vëmendje dinamikën e këtyre rasteve, me qëllim rritjen e transparencës në vendimmarrjen e gjykatave, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë erdhi pas një kërkese që Prokuroria e Përgjithshme i drejtoi KLD-së dhe institucionit të drejtësisë të drejtuar nga ministri Naco, në lidhje me verifikimin e disa vendimeve gjyqësore për persona të akuzuar për krime të rënda.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)