Nadin vijon zbulimet për
Shqipërinë e 1500-s në Venecia

Nadin vijon zbulimet për<br />Shqipërinë e 1500-s në Venecia
TIRANE- Profesoresha Lucia Nadin ka zhvilluar dje një konferencë brenda temës “Java e Gjuhës Italiane në Botë”, që këtë vit i dedikohet shtypit, e ajo konkretisht pati si objekt shtypin e viteve 1400-1500 në Venecia. Konferenca u mbajt dje paradite në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë me titull “Botimet Veneciane në kohën e Aldo Manuzio-s dhe veprimtaria e Bernardino Vitali-t, publikues i Marin Barleti-t”.

Ajo mbajti një ligjëratë shkencore që u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në kuadrin e javës së XIV të gjuhës italiane në botë, që sivjet i kushtohet temës "Të shkruash në Evropën e re: botuesit italianë, autorët, lexuesit  në epokën dixhitale). Lucia Nadin, në kumtesën e saj, i është referuar shtypit në Venecia, duke e parë si “kryeqytetin europian të librit mes shekujve XV dhe XVI”. Ligjëratën e saj Lucia Nadin e shoqëroi me fotografi e faksimile, dhe u ndal në figurën e Aldo Manuzio-s, si dhe në veprimtarinë e Bernardino Vitalit, një venecian të cilit ajo i zbulon origjinën shqiptare, që ishte edhe botuesi i veprës së Marin Barletit. Lucia Nadin, veneciane, ka kontribuuar në Shqipëri një periudhë të gjatë mësimdhënieje dhe pune kërkimore.

Ka përgatitur botimin e "Statuteve të Shkodrës" duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies, tashmë një “monument” i historisë mesjetare të Shqipërisë. Shkodra i ka dhënë titullin qytetare nderi në vitin 2000. Nadin ka shkruar librin për emigrimin shqiptar në krahinën e Venetos “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552", etj. Por studimet e saj nuk kanë vlerë vetëm për shqiptarët. Vetë ambasadori Italian, Massimo Gaiani, tha dje se “librat e zonjës Nadin, që i kam lexuar me kujdes, më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë vlerat dhe historinë e shqiptarëve”. Ndërsa profesor Gjovalin Shkurtaj e ka e vlerësuar studiuesen Lucia Nadin si një figurë të dalluar si dashamirëse e shqiptarëve.

“Ajo është mike dhe ndihmëtare e palodhur e të gjithë albanologëve: historianë, gjuhëtarë, kulturologë etj., që ajo i ka njohur qysh nga viti 1995, kur ishte punonjëse e Institutit të Kulturës Italiane në Tiranë”, tha Shkurtaj. Përmes kumtesës, rezultatet e studimit më të fundit Lucia Nadin ia dedikoi “Javës së Gjuhës Italiane në Botë”, që ka nisur më 20 tetor dhe nesër të shtunën, duke filluar nga ora 9.oo, do të zhvillohet, pranë Sallës Nënë Tereza të Pallatit të Kulturës në Tiranë, një seminar formimi për profesorët e italishtes të Programit Illiria me titull “Vlerësimi i aftësive gjuhësore-komunikative të mësimdhënies të Italishtes si gjuhë e huaj”.

Seminari do të mbahet nga Prof. Sabrina Machetti dhe nga Dr. Anna Bandini e Universitetit të Siena-s. Nismave të programuara në Tiranë do t’i shtohen edhe ato të organizuara e Konsullatës së Përgjithshme në Vlorë dhe nga Konsullatat e Nderit në Shkodër, Gjirokastër dhe Berat, në bashkëpunim me lektorët dhe seksionet dygjuhëshe.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje