Nafta dhe politika…

Nafta dhe politika…
Në dy javët e fundit nuk ka mbetur askush pa folur për naftën, tregun global të saj dhe çmimet abuzuese të tregtarëve shqiptarë të karburanteve. Madje edhe për “pronësinë” e kompanive që importojnë e tregtojnë naftën dhe për qindjet që ata “ndajnë” me politikën e ditës, nuk ka mbetur njeri pa folur! Aq e lartë ka qënë kjo frekuencë deklarimesh sa edhe bursa ndërkombëtare e naftës, që ka qënë, për hir të së vërtetës, vërtet befasuese, nuk ua kalon këtyre deklarimeve. A ka të vërteta në ato që thuhen në media apo në konferenca politikanësh? Doemos që ka disa të vërteta, sikundër një mori e madhe thashethemesh e të pavërtetash është “shitur” mjaft lirë në tregun e karburanteve.
 
Partitë dhe nafta
Partitë politike kanë zhvilluar në “luftë” deklaratash si rrallë ndonjëherë për tregun e naftës. Befasia ka ardhur nga partia e opozitës. Ish sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti, pa “iu dridhur” qerpiku ka thënë në ligjëratë të drejtë: ““Çmimi i lartë i karburantit vjen si shkak i interesave financiare të dyshes Rama-Meta, të cilët sot sundojnë tregun në vend. Tregtarët e lidhur ngushtë me qeverinë, e blejnë naftën 40% më lirë dhe e shesin 40% më shtrenjtë për qytetarët. Me këtë skemë, çdokush varfërohet gjithnjë e më shumë, dhe pasurohen gjithnjë e më shumë klanet e naftës të lidhura me Edi Ramën dhe Ilir Metën”, - është deklarata e këshilltarit të  Grupit Parlamentar për Financat të Partisë Demokratike.

Sipas tij, nafta në Shqipëri është më e shtrenjta në botë dhe kjo tarifë bëhet katastrofike po të kemi parasysh se fuqia blerëse e jona është 3 herë më e vogël se mesatarja e Bashkimit Evropian. “Ky është një skandal i pa ndodhur më parë, një korrupsion i pashembullt qeveritar që vjedh drejtpërdrejtë çdo ditë ekonominë dhe çdo qindarkë të shqiptarëve. As në mesjetë, nuk kishte taksidarë kaq mizorë. Afera e pisët me naftën është tipari i kësaj qeverisje, fytyra e oligarkisë Rama-Meta”- thotë Teliti.

Cudi, sepse ky njeri ka qënë vartës i z. Ridvan Bode dhe duhet, të paktën, të ishte konsultuar me ish-shefin e vet, para se të bënte këtë deklaratë.  Ja kompanitë kryesore në tregun shqiptar: 1) Kastrati SHA; 2) Kaspetrol SHA; 3) Europetrol Durrës SHA; 4) Porto Romano Oil SHA; 9) Bolv Oil SHA; 6) Genklaudis SHA; 7) Everest Oil SHA; 8) Taçi Oil SHA; 9) ARMO SHA. Te QKR mund të klikoni për të parë se cilët janë pronarët apo administratorët e tyre dhe për të “kuptuar” deklaratën e Telitit (?!)

Naftë “crudo” dhe nafta në pompë
Politikanë, ish drejtues në qeverinë e mëparshme, kolegë gazetarë të njohur e me përvojë, kanë raportuar se, ndërsa nafta në tregun ndërkombëtar është ulur jo më pak se 40 % (?!), në Shqipëri ajo nuk është ulur më shumë se 8 %. Për këtë ata i referohen bursave ndërkombëtare ku kuotohet nafta “crudo”, pra nafta e papërpunuar, ndërsa krahasimin e bëjnë me naftën që shitet në pompë. Padituria sjell edhe llogaritje të gabuara.

Nafta “crudo”, pra ajo që kuotohet në bursë (dhe kuotohet vetëm në USD dhe jo në Euro, sikundër thoshte një “pedagog” i gazetarisë ekonomike), që të shitet, duhet të rafinohet, pra të dërgohet në rafineri. Çmimi i shitjes së saj varet nga kontrata me rafinerinë, pra nëse është kontratë afatgjatë shitet më lirë, nëse është afatshkurtër shitet më shtrenjtë, nëse e shit “x” kompani nxjerrëse e shet më lirë, nëse e shet “y” kompani e shet më shtrenjtë. Psh Bankers-i shqiptar nuk i shet me “TOTAL” italian as në Spanjë, por një sasi tani po ia shet ARMO-s!

Por, pasi e merr rafineria dhe e përpunon, nafta merr një tjetër çmim. Pasi del nga rafineria e do të transportohet. Nëse vjen në Durrës apo Vlorë, duke përfshirë çmimin e transportit (CIF) do të shitet “x” dollarë/toni, nëse vjen pa transport të përfshirë (FOB) do të shitet “y” dollarë/toni. Po edhe ky nuk është çmimi i barelës, që i referohen gazetarët dhe politikanët, është çmimi për njësi që merr një ton naftë duke përfshirë edhe përpunimin e një sërë taksash e tarifash të tjera. Pra, nuk mund të krahasohet çmimi i barelës në bursë (naftë e papërpunuar) me çmimin e naftës për konsum në pompë! Nuk po e zgjat me kursin e këmbimit dollar-lek, i cili sigurisht që ka ndikimin e vet në këtë treg dhe mund të llogaritet lehtësisht ndikimi i tij!
 
Shqipëria ka çmimin më të lartë të naftës në rajon!
Një numër i shumtë njerëzish nga fusha të ndryshme e përdorin këtë argument për të treguar pikërisht një treg abuziv të hidrokarbureve në Shqipëri, ku, sipas tyre, subjektet vetëm vjedhin! Ose siç thotë Teliti i PD se “nafta në Shqipëri është më e shtrenjta në botë dhe kjo tarifë bëhet katastrofike po të kemi parasysh se fuqia blerëse e jona është 3 herë më e vogël se mesatarja e Bashkimit Evropian”. Ja ku gjenden çmimet: http://www.globalpetrolprices.com/gasoline_prices/

nafta






















A është kështu? Florion Mima e shpjegoi me detaje se çfarë kishte ndodhur në tregun e naftës dhe iu referua për këtë gjë një nga site-ve më të rëndësishme ndërkombëtare ku matet “çmimi” dhe abuzimi me naftën. Mima dha edhe shifra në përqindje, sigurisht të ndryshme nga ato që kishte dhënë shefi i tij më parë. Por kjo ka pak rëndësi! Me rëndësi është të shpjegohet mekanizmi që “rrit” çmimin dhe e bën naftën “shqiptare” më të shtrenjtën në botë.

Atëherë, nafta do të blihet me çmim burse në një nga rafineritë e rajonit, do të transportohet në Shqipëri dhe do të depozitohet në një nga depozitat bregdetare, në Porto Romano apo Petrolifera në Vlorë. Do të sillet me anije, duke kontraktuar një sasi shumë herë më të madhe se sa sasia që sjell anija! Portet shqiptare ku janë depozitat bregdetare, nuk mund të pranojnë anije më të mëdha se 5 -10 mijë ton? Sepse investimi për “dallgëthyesin” e Porto Romanos (thellimi i detit tek pontili), psh, që duhet të kishte përfunduar në Maj 2009, nuk ka përfunduar ende. Porti është i pathelluar sa duhet, anija mund të zerë në cektinë dhe mund të mos dalë dot më kurrë nga cektina. Ju kujtohet çfarë ka ndodhur disa vite më parë, kur as batipal-i i Italisë nuk e nxorri dot një anije që “cofi” në ish- depozitat e Xhevar Rirës!

Pra importuesit e karburanteve nuk mund të sjellin në Shqipëri anije me kapacitet 35-50 mijë ton, e më shumë, me qëllim që të ulin kostot e transportit dhe të kapin një çmim më të lirë në rafineritë europiane. Ja që është çmimi i një ton-i naftë të kapur lirë në rafineri e “ha” deti dhe anija që nuk ka kapacitetin e kërkuar. Edhe kjo e rrit çmimin dhe e bën atë “më të lartin në botë”. Po përse qeveritarët nuk këmbëngulin dhe nuk detyrojnë kompanitë koncensionare të depozitave bregdetare që të realizojnë detyrimet e kontratës koncensionare, që përfitojnë miliona euro nga magazinimi i naftës?
 
A abuzohet me çmimin e naftës në tregun shqiptar!
Personalisht nuk do të thosha “Jo”. Por këtë duhet ta gjejnë autoritetet. Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka që në vitin 2010 që ka nisur një hetim paraprak për tregun e karburanteve. Tani ai quhet hetim i thelluar dhe nën hetim janë vënë të gjithë kompanitë që rreshtova në fillim të këtij shkrimi. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2010 - 30 Prill 2014.

AK heton “për kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës”, sipas parashikimeve të nenit 4 dhe 9 të Ligjit nr .9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. AK thotë se “struktura e ndërmarrjeve që mbajnë pozicion dominues në tregun e karburanteve, karakterizohet nga një integrim i lartë në të gjitha nivelet e tregtimit dhe shitjes nga një ndërmarrje tek tjetra. Kështu, psh kemi shitje të ndërmarrjeve në zonën e lire doganore, shitje me shumicë jashtë zonës së lirë doganore dhe pakicë, duke rritur ndjeshëm transparencën e tregut dhe duke sjellë gjithashtu edhe informacion mbi sjelljen dhe çmimet e konkurrentëve.

Ndërmarrjet Kastrati SHA, Kaspetrol SHA, Europetrol Durrës SHA, Bolv Oil SHA, Porto Romano Oil SHA, Everest Oil SHA dhe Genklaudis SHA, Taçi Oil SHA dhe ARMO SHA zotërojnë strukturat e linjave të depozitimit, transportimit, stacionet e shitjes me pakicë etj, që favorizojnë sjelljen e tyre dominuese. Ndërlidhjet e shumta në hallkat e ndryshme të sistemit të importimit,shitjes dhe rishitjes, shpërndarjes, shkëmbimit të karburanteve (përdorimi si mjet shkëmbimi me anë të kontratave të furnizimit në zonën e lirë doganore) kanë bërë që sjellja e ndërmarrjeve të humbasë pavarësinë dhe ato të sillen si një e vetme”.

Rezultati? Ja si e përcakton Autoriteti i Konkurrencës: ” Struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike, ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar…”

Një tjetër hetim të pavarur ka ndërmarrë këtë muaj edhe Ministria e Financave dhe një grup që udhëhiqet nga zëvendësministri i Financave po shikon se ku “fle lepuri”, që rrit në mënyrë abuzive çmimin e barburantit dhe e bën atë “më të shtrenjtin” në botë.

nafta
































Unë nuk po përmend këtu sistemin fiskal, me të cilin përballet tregu i shitjes me pakicë e shumicë të karburanteve, një sistem që nuk e ka asnjë nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Psh taksa e qarkullimit (27 lekë/litër+ TVSH) në asnjë vend të botës nuk merret te pikat e tregtimit me pakicë! Nuk dua të përmend të tjera taksa e tarifa, sepse këtë e kam bërë në një tjetër shkrim në këtë revistë, por është fakt se ato japin një ndikim të ndjeshëm në çmim.

Sa? Le ta gjejnë ata që po hetojnë! Nga rezultatet e hetimit sigurisht që do të ketë penalizim të kompanive që abuzojnë me çmimin në treg dhe ky penalitet llogaritet në miliona euro.
Ja pra pse politika dhe jo vetëm, duhet të flasë me fakte, ndërsa autoritetet publike përgjegjëse duhet të nxitojnë të shmangin ose të thellojnë tymnajën mediatike (dhe jo vetëm) të naftës dhe të çmimit të saj…

(Tabelat janë përgatitur nga “MONITOR”)


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Bardhi takim me strukturat e PD në Divjakë, thirrje dhe për protestën e të martës në Tiranë: Fermerët kanë mjaftueshëm arsye!

Bardhi takim me strukturat e PD në Divjakë, thirrje dhe për protestën e të martës në Tiranë: Fermerët kanë mjaftueshëm arsye!