Nafta, pasuria dhe kërkimi i drejtësisë

Nafta, pasuria dhe kërkimi i drejtësisë

Teksa dielli perëndon në Oslofjord në një mbrëmje dimri, kalimtarët ndalojnë jashtë galerisë së re 620 milion Euroshe të artit, Muzeut të ri Munch 300 milion eurosh, librarisë së re publike 240 milionë euroshe si dhe operës 550 milionë euroshe. Falë rezervave të naftës dhe gazit në ujërat pranë brigjeve të saj, Norvegjia është jashtëzakonisht e pasur – dhe po bëhet gjithnjë e më e pasur. Tashmë vendi i shtatë më i pasur sipas Bankës Botërore për PBB-në për frymë në fillim të vitit të kaluar, fitimet e vendit skandinav të pasur me burime u rritën në nivele rekord gjatë 12 muajve të fundit, pasi çmimet në tregjet e energjisë u trefishuan për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, dhe Norvegjia zëvendësoi Moskën si furnizuesi më i madh i gazit në Evropë.

Por pasuria e këtij vendi mund të jetë një çështje e paprekshme. Hakon Midtsundstad, 33 vjeç, nëna e tij, Elin, dhe motra e saj, Berit, janë ndalur në bregdetin e Oslos për të shijuar perëndimin e diellit. Të pyetur nëse Norvegjia është e pasur, ata tregojnë pallatet arkitekturore përreth tyre. Të pyetur nëse ndihen sikur janë bërë më të pasur vitin e kaluar, përgjigja është një “Jooooo”, e ndjekur nga ankesat për rritjen e faturave të energjisë elektrike.

Teksa qytetarët e prodhuesit më të madh të energjisë në Evropë përjetojnë krizën e tyre të kostos së jetesës, dhe aleatët e NATOs hedhin dyshime mbi drejtësinë që një shtet pasurohet prej fatkeqësisë së të tjerëve, Norvegjia po debaton se ku duhet të shkojnë të gjitha paratë e saj – dhe nëse një shtet duhet t’i mbajë të gjitha.

Sipas ministrisë së financave të vendit, shteti norvegjez ka gjasa të ketë mbledhur pothuaj 119 miliard dollarë nga shitjet e naftës deri në fund të 2022, që do të thotë se në letër, lufta e Rusisë e ka bërë çdo qytetar norvegjez të paktën 21 mijë dollarë më të pasur. Fitimet për vitin 2023 vlerësohet të rriten në 130 miliard Euro, një rritje pesëfish krahasuar me vitin 2021.

“Sigurisht, këto para nuk janë tonat; ato u përkasin viktimave të kësaj lufte”, thotë Kalle Moene, profesor i ekonomisë në Universitetin e Oslos. Në një editorial për gazetën ekonomike Dagens Nareingsliv, Moene bëri thirrje që fitimi i tepërt prej 100 miliard Eurosh i vitit që kaloi, të futet në një fond të ri ndërkombëtar solidariteti, për të ndihmuar Ukrainën dhe vende të tjera që vuajnë si pasojë e impaktit të luftës mbi zinxhirët globalë të furnizimit.

“Ekziston një traditë e gjatë filozofike, që thotë se një sistem i drejtë duhet të kompensojë ata që vuajnë prej fatit të keq, por të taksojë ata që përfitojnë prej fatit të mirë”, shkruante Moene. “Nëse nuk fillojmë të flasim se çfarë duhet të bëjmë me këtë sasi të jashtëzakonshme parash, vendet e tjera do të fillojnë të na urrejnë. Do të thonë se jemi të pangopur”.

Megjithatë, kur Moene bëri propozimin e tij, ai pak vëmendje mori në qarqet politike. Përkundrazi, në buxhetin veror qeveria e kryeministrit laburist Jonas Gahr Støre shpalli planet për të reduktuar buxhetin e vet të ndihmës, nga 1% e të ardhurave të përgjithshme kombëtare, në 0.75%.

Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve dhe një ish-koleg partiak i liderit të qeverisë, e përshkroi njoftimin si “një grusht në stomak” për një komb të mësuar ta shihte veten si një fener ndërkombëtar solidariteti.

“Ne filluam t’i jepnim ndihmë ndërkombëtare Keralës, Indisë, në vitet 1950, ndërkohë që vetë ende po merrnim para ndihme nga Fondi Marshall,” tha Egeland.  “Kjo është një betejë për shpirtin e kombit tonë.”

Ndërkohë që edhe buxheti i rishikuar i ndihmës nënkuptonte se Norvegjia do të dhuronte një përqindje shumë më të lartë të të ardhurave të veta kombëtare sesa mesatarja e OECD prej 0.3%, Egeland tha se reduktimi u dërgoi një sinjal donatorëve të tjerë që po konsideronin shkurtimin e buxheteve të tyre, si Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Hezitimi i qeverisë për të krijuar një fond nërkombëtar ndihme është pjesërisht politik. Që nga tetori 2021, partia laburiste e Støres ka udhëhequr një koalicion me partinë e Qendrës, një ish parti agrare me një agjendë ekonomike proteksioniste.

Por mosveprimi flet gjithashtu për një frikë se debati mbi etikën e fitimeve të naftës mund të vinte në dyshim një sistem, të cilin Norvegjia ndërmori një rrezik të konsiderueshëm politik për ta zbatuar.

Kur Norvegjia, ende një nga vendet më të varfra të Evropës në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, zbuloi vendburime nafte në territoret e veta në Detin e Veriut në fund të viteve 1960, ajo mund t’i kishte nxjerrë në ankand duke ua shitur kompanive private, siç bëri Danimarka, ose mund t’i kishte përdorur fitimet për të financuar ulje taksash, siç bëri Britania e Madhe.

Në vend të kësaj, Norvegjia përdori fitimet nga nafta e Detit të Veriut për të zgjeruar shtetin e saj të mirëqenies sociale. Kompania shtetërore Statoil eksploroi rezervat dhe fitimet u grumbulluan në fondin e pensioneve të qeverisë. Një rregull buxhetor i prezantuar në vitin 2001, Handlingsregelen, lejon që vetëm një përqindje e vogël – më parë 4%, tani 3% – e këtij fondi, të kthehet në buxhetin e shtetit.

Si rezultat, Norvegjia u bë një ndër të paktët vende i cili e largoi atë që ekonomistët e quajnë “mallkimi i burimeve”: fenomeni i shteteve me një bollëk mineralesh, që përfundojnë me rritje më të ulët ekonomike, më pak demokraci dhe më pak drejtësi sociale.

“Ne kemi marrë një burim të përkohshëm dhe kemi krijuar një fluks ndoshta të përjetshëm parash, nga i cili mund të përfitojnë brezat e ardhshëm norvegjezë,” tha Andreas Bjelland Eriksen, sekretar shteti në ministrinë e naftës dhe energjisë. “Me kalimin e kohës kemi pasur politikanë të mençur dhe largpamës, të cilët kanë menaxhuar balancimin e vështirë ndërmjet financimit të masave të rëndësishme në afat të shkurtër, duke kursyer për ditët e vështira.”

Fondi i naftës vazhdon t’i sigurojë vendit një rrjetë sigurie të fortë: arsimi është ende i lirë, universiteti falas edhe për të huajt, leja e lindjes paguhet e plotë për 49 javë. Jetëgjatësia është 83.2, 10 vite më e lartë se sa mesatarja globale.

Ndryshimi i një formule të tillë fituese, qoftë nga zbritjet e çmimit të gazit për shtetet në vështirësi apo ndryshimit të rregullit të buxhetit, mund të shkaktojë nervozizëm. “Unë nuk mendoj se është e drejtë të shihet Norvegjia si një vend që përfiton prej luftës,” thotë Bjelland Eriksen. “Ne nuk jemi kundër asnjë mase që mund të ulë çmimet e larta. Por nuk mund të zbatojmë masa që do të krijonin një situatë edhe më të vështirë.”

Por edhe ndërkohë që modeli i fondit të naftës që ka Norvegjia vazhdon të gëzojë një lloj konsensusi ndërpartiak, i cili është i rrallë në demokracitë perëndimore, lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj janë duke sfiduar siguritë e dikurshme.

Vetëm 15 minuta larg prej lungomares së Oslos, një radhë nis të formohet jashtë Kishës së Grønland, në një mëngjes të errët dhe të akullt. Nga ora 9 e mëngjesit, Kisha hap dyert për ata që kërkojnë ngrohje, apo një kupon me të cilin mund të marrin ushqime në një magazinë përkarshi.

“Dikur kishim 300 njerëz në ditë”, thotë Astrid Asdakk, një prej vullnetareve. “Tani vijnë më shumë se 600”. Shumica janë refugjatë ukrainas, shumë prej tyre e kanë të vështirë të depërtojnë nëpër burokracinë në vendin që i ka strehuar. Por të tjerë janë qytetarë norvegjezë, të cilit përballen me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, thotë Asdakk.

Faturat e energjisë elektrike për familjet, 90 përqind të të cilës Norvegjia e nxjerr nga hidrocentralet, u rritën në nivele rekord vitin që kaloi – një rezultat pjesërisht i sasisë së vogël të shirave në verë, si dhe rritjes së çmimeve në tregun evropian. Çmimet e naftës janë ndër më të lartët në botë.

“Norvegjia po pasurohet, por jo domosdoshmërisht norvegjezët”, thotë Lars Martin Dahl, pastori i kishës luterane. “Shteti po nxjerr fitime, por unë e kam të vështirë të paguaj faturat” – këtë e dëgjoj nga shumë njerëz këtu. Ndoshta është pjesë e etikës protestante të punës, që ne nuk duhet t’i shohim këto para”.

Në të majtën e politikës, kriza energjetike i ka shtyrë disa që të vënë në dyshim kufizimin e fitimeve që shkojnë në buxhetin kombëtar. Të tjerë duan të rishikojnë shkëmbimet e energjisë me Evropën, për të ulur çmimet. Por kjo nuk ka çuar në thirrje për të braktisur solidaritetin ndërkombëtar.

Ideja e një fondi të ri solidariteti është mbështetur nga partia e Gjelbër e Norvegjisë, partia e vogël kristian demokrate dhe e majta socialiste, mbështetja e të cilave është kritike për qeverinë e Støre.

“Pikëpamja jonë është që ne duhet që të paktën të ndajmë një pjesë të fitimeve”, thotë Ingrid Fiskaa, zëdhënëse e Partisë Socialiste. Kryesisht si rezultat i trysnisë së partisë së saj, parlamenti debatoi për një mekanizëm të ri solidariteti që mund të nënkuptojë se Norvegjia do i qëndrojë targetit historik prej 1%.

“Fatkeqësisht, lufta është e mirë për industritë e naftës dhe gazit”, thotë ajo. “Ka një heshtje kolektive në lidhje me këtë fakt në Norvegji. Por kjo ndodh sepse njerëzit nuk mund të ndihen fajtorë, për fitime që ata nuk i shohin. Nëse çdo norvegjezi do i jepeshin 20 mijë Euro, sigurisht që do të ndjenin faj”.

Philip Oltermann, The Guardian – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s