Ish-kandidati për deputet, Azmer Duleviç, i ka quajtur të turpshme zhvillimet e fundit në Kuvend, ku gjatë seancave plenare plas sherri mes ligjvënësve të opozitës dhe mazhorancës.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Duleviç tha se duke qenë se vijnë nga lista të mbyllura, deputetët nuk ndiejnë asnjë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe kësisoj e kthejnë seancën në arenë përplasjesh të pakuptimta.
Kritika Duleviç kishte edhe për Partinë Demokratike, për të cilën tha se shkon në zgjedhje me të njëjtët njerëz që e çojnë nga humbja në humbje.
“Në politikë, sa herë ka dhunë, kjo është një shenjë e mungesës intelektualë apo që kanë mendim. Pra nuk kanë mendim për shqetësimet që kanë qytetarët. A kanë probleme votuesit e këtyre personave, të këtyre deputetëve që shkaktojnë këto seanca turpi? Unë besoj se po. Këta kanë vetëm një problem, këta nuk e dinë kush i ka votuar. Këta kanë qenë në lista të mbyllura dhe nuk e dinë kush zona i kanë votuar. Dhe prandaj shkaktojnë skena turpi në Parlament. Duke qenë PD e shkatërruar, është një opozitë e dobët. Po të jetë një opozitë e fortë, ka një demokraci më të fortë. Por duke qenë se opozita është në këtë situatë, ne duhet të shqetësohemi sepse qeveria nuk pyet fare. Nga zgjedhja në zgjedhje, PD shkon me të njëjtit njerëz që të çojnë nga humbja në humbje. Pra si pret ti të marrësh rezultat të ndryshëm”, tha mes të tjerash Duleviç.
Nga ana tjetër, ish-kandidati për kreun e PD-së, Bujar Nallbani, ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të cilët tha se kanë vjedhur miliarda euro pasuri të popullit shqiptar.
Për Malltezin, Nallbani tha se njihet ndryshe edhe si ‘disident i djathit’, pasi sipas tij dhëndri i Berishës kishte deklaruar në vitet 90-të se kishte ngritur zërin në një dyqan për mungesë të djathit. Në vijim të batutave dhe sulmeve të tij ndaj Malltezit, ai deklaroi gjithashtu se dhëndri i Berishës ka qenë spiun i nomeklaturës komuniste.
“Zëholli, ose disidenti i djathit, se kështu i thonë atij, sepse në fillimet demokratike, pa marrë akoma vajzën e Saliut për grua, pasi ja dhanë, tha ‘unë kam qenë disident pasi në dyqanet e komunizmit thashë se s’ka djath dhe më morën me sy të keq’. Ky ka qenë vetë spiuni i atyre, sepse ky është i ardhur në Shqipëri nga familja. Edhe i ngeli disidenti i djathit. Të tjerët ishin pushkatuar, ishin nëpër burgje, nëpër internime, ndërsa ky doli disident vetëm me një fjalë që s’ka djath. Vetëm me ish-kompleksin Partizani ky ka miliarda, jo miliona. Po sa pasuri ka nëpër botë. Në kryeqytetet kryesore të Europës ka vila, dyqane dhe pasuri, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut. Nga ana tjetër LSI është e tmerrshme fare. Që nga kryetari që pretendon se ka vetëm 80 milionë lekë pasuri. Këta kanë miliarda, aq sa edhe në Kongo thonë se kanë blerë miniera ari”, tha mes të tjerash Nallbani.
Komente












