Tërbuni i Pukës është fituesi i Kategorisë së Dytë. Pasi doli kampione e grupit të Veriut dhe siguroi kualifikimin për Kategorinë e Parë, ja doli të mposhtë Devollin falë penalltive në finalen e Kategorisë së Dytë .
Në ndeshjen e luajtur në ‘’Tofik Jashari’’ të qytetit të Shijakut, Devolli i Stavri Nicës do të kalonte i pari në avantazh. Të ekzaltuar nga kualifikimi i së djelës, juglindorët do të shënonin me një gol 'alla' Pirlo të mesfushorit Fabjan Nallbati, i cili me një goditje nga 40 metra la pa fjalë portierin kundërshar dhe kampin pukjan.
Në minutat shtesë të kohës së rregullt, atëhere kur u mendua se gjithçka do të përfundonte do të ishte Metani i cili barazoi rezultatin. Në Extra Time nuk u prodhua gol ndërsa ekipet ishin të lodhura prej angazhimit në fundjavë.

Tërbuni do të fitonte falë penalltive me rezultatin 4-1. Pukjanët do të ishin të saktë në katër penalltitë e ekzekutuara ndërsa për devollinjtë do të gabonin Cane dhe Fifo.
Për nënkampionët zyrtarë të kësaj kategorie, kjo do të ishte humbja e parë sezonale, por jo në kohë të rregullt. Bardheblutë mbeten të pamposhtur në 90 minutat e këtij sezoni.
/Shqiptarja.comKomente

