Sulmet ndaj gjyqtares Irena Gjoka nuk kanë të bëjnë me debatin juridik apo ligjor, por ato e kanë pikënisjen, janë ushqyer dhe janë çuar përpara nga presioni i politikës që beson se shantazhi publik dhe frikësimi janë rruga e duhur për të arritur qëllimim e synuar.
Këto sulme nuk kanë synuar asnjëherë të sqarojnë të vërtetën, por delegjitimimin e një gjyqtareje që pa dëshirën e saj është gjetur në qendër të disa masave penale, të cilatn duhet thënë, janë dhënë prej saj, por që gjykohen nga të tjerë në themel.
Mirëpo, inatet dhe shantazhet, me sa duket, kanë gjetur fijen më të dobët të sistemit dhe aty marrin zemër dhe sulmojnë.
Rasti i gjyqtares Gjoka nuk është i vetmi, por tregon se kur drejtësia prek sadopak interesa të mëdha, politika aktivizon mekanizmin e vjetër të frikësimit, të sulmit, të shantazhit, të fyerjes dhe të përbaltjes.
Kemi parë këto kohë riciklim dokumentesh, keqinterpretim faktesh dhe ndërtim ligjërimesh që janë shndërruar në instrumente për të goditur jo një vendim, por vetë autoritetin e gjyqtarit. Pra, nuk kemi të bëjmë me përpjekjen për standarde, por jemi përballë një tentative për asgjësim total të një emri konkret që në karrierën e saj është përballur me krimin e organizuar, duke dhënë ndaj tyre vendime të guximshme.
Vlen të përmendim se nga dokumentet e publikuara në media është e qartë se për autoritetet greke çështja "Gjoka" nuk ekziston si proces penal.
Ndërkohë që kemi të njëjtët aktorë që për vite kanë relativizuar krimin dhe kanë sulmuar reformën në drejtësi, që sot shfaqen si mbrojtës të “pastërtisë ligjore”, duke goditur pikërisht për interesa thellësisht vetjak dhe në konflikt të hapur interesi një gjyqtare që është përballur me ta, ashtu siç është përballur me krimin përpara tyee.
Të mbrosh sot Irena Gjokën nuk do të thotë t’i japësh imunitet, por do të thotë të mbrosh parimin se verifikimet bëhen nga institucionet, jo nëpërmjet shantazhit dhe presionit publik, sepse që drejtësia të funksionojë nën shantazh është shumë herë më e dëmshme se sa një drejtësi që nuk funksionon.
Nëse sot pranohet linçimi i një gjyqtareje, nesër çdo gjyqtar do të mendojë dy herë para se të marrë një vendim që prek pushtetin apo krimin. Dhe në atë moment, drejtësia nuk do të jetë më e pavarur, por e frikësuar.
Pyetja nuk është nëse Irena Gjoka i pëlqen politikës, por pyetja që duhet të shtrohet është nëse Shqipëria do të ketë një drejtësi që mbrohet nga shteti, apo një drejtësi që digjet sa herë që prek interesat e gabuara, prandaj nëse sot shteti nuk mbron një gjyqtare, nesër nuk do të ketë më drejtësi për askënd.
Komente








