‘Prokurorët në të gjithë Shqipërinë vazhdojnë të punojnë për të bërë drejtësi në kushte sfiduese, duke shërbyer si mbështetje thelbësore për qytetarët e thjeshtë viktima të krimit’.
Kështu është shprehur ditën e sotme gjatë vizitës së saj të parë në Gjirokastër, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn e cila u takua me kreun e Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Cano dhe kolegët e tij prokurorë.
VanHorn shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë anëtarët e Prokurorisë së Gjirokastrës për përpjekjet e tyre të përditshme.
‘Së bashku edhe me përfaqësues të Ambasadës së ShBA VanHorn u takua gjithashtu me disa organizata në Gjirokastër, përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Caritas Albania dhe përfaqësuesin e Avokatit të Popullit, të cilët punojnë së bashku për të ofruar shërbime për imigrantët që kalojnë në Shqipërinë jugore, si dhe në mbështetje të autoriteteve në procesin e shqyrtimit paraprak’, njoftoi Ambasada Amerikane.
Ajo i falënderoi ata për punën e tyre të rëndësishme në ofrimin e këtyre shërbimeve thelbësore për këta individë të cenueshëm. Këto angazhime theksuan përkushtimin tonë të përbashkët ndaj drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, mbështetjen për popullatat e cenueshme dhe rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese për të rritur sigurinë për qytetarët e Shqipërisë.