Kur duhen edhe tre javë nga fundi i Serisë A , Napoli është matematikisht i dyti pra nënkampion i Italisë. Djemtë e Ancelottit edhe me Hysajn titullar fituan me përmbysje ndaj Cagliarit në “San Paolo” me shifrat 2-1. Pavoletti kaloi sardët në avantazh ndërsa për Napolin shënuan Dris Mertens që me 107 gola me fanellën e Napolit parakalon Maradonën dhe Insigne me penallti shënoi golin e fitores.
Ndërkaq gara për dy vendet e tjera të mbetura për në Champions vijon të jetë e ashpër. Sonte Milani ka në dispozicion trenin e fundit për të mbetur të paktën në garë. Djemtë e Gatusso presin Bologna ku opsioni i vetëm është fitorja. Momentalisht në Champions janë dy ekipet zikaltër Interi dhe Atalanta. Interi ka ngadalësuar shumë pasi në 5 ndeshjet e fundit ka barazuar 4 dhe rivalët janë afruar megjithatë skuadra e Spalletit është e favorizuar pasi vendi i katërt është 4 pikë larg. Goditjen dhe surprizën më të madhe po e bën Atalanta .
Bergamaskët janë të katërtit pasi mundën 3-1 Lazion në “Olimpico” dhe bën që bardhekaltërit të dorëzohen në këtë garë të ashpër. Genoa, Juventus dhe Sassuolo janë pengesat e fundit për skuadrën e Berishës dhe Gjimshitit që po ndjek një ëndërr. Roma bëri hap fals pasi barazoi 1-1 dje ndaj Genoas. El Shaaraëy i dha avantazhin verdhekuqve dhe barazoi Romero në shtesë duke i dhënë pikë mbijetesë Genoas ndërsa Roma mbetet tre pikë larg zonës Champions. Duke qënë se Lazio u vetpërjashtua janë plot 5 ekipe për dy vendet e zonës Champions dhe tre javët e fundit premtojnë luftë./ Përgatiti Andi Kapxhiu