Nata e Sfinksit nga Ismail Kadare

Nata e Sfinksit nga Ismail Kadare
Dje shkrimtari Imail Kdare shënoi 81-vjetorin e lindjes. Për lexuesit sjellim këtë tregim të shkruar me 6 shkurt 1986 dhe i botuar për herë të parë në vitin 1991…

ISMAIL KADARE
Të gjithë e dinë se gjithkush dridhet nga frika prej meje.
Po ndoshta askujt s'i shkon nëpër mend se si dridhem unë vetë. Ashtu si ata nga frika.

Kur tisi i parë i muzgut e terratis fushëtirën, nis edhe ankthi im. Çdo hije kalimtari që duket larg, çdo hije tjetër e shkaktuar prej territ, prej ndriçimit të hënës, apo prej ndonjë gjallese, nis e më kall datën. Dyshimi i mallkuar se mos ajo hije është njeriu që po vjen drejt meje me atë pyetjen fatale, që unë s'do t'i përgjigjem dot, më mpin të gjithin.
Nuk e mendoja kurrë se t,erri që do t'u shkaktoja njerëzve do të më shpërblehej me të njëjtën monedhë.

Veç, nund ta them pa e tepruar, se tmerri që provoj unë është shumë më i madh e sfilitës se sa i tyre. Sado e pabesueshme të tingëllojë kjo, për fat të keq është e vërtetë. Ndërsa tmerri i tyre është i përqendruar mbi qenien time, ankthin tim mund ta shkaktojë secili prej tyre. Dhe nuk ka gjë më të llahtarshme se ankthi me burim të panjohur, tmerri i anonimatit.

Njerëzit më quajnë "sfinks". Domethënë mbytës, asfiksues. Ata besojnë vërtet se, duke mos qenë në gjendje t'u përgjigjen pyetjeve të mia, mbyten prej meje. Në të vërtetë unë u bëj pyetje fare të rëndomta, por ata kaq shumë janë të tmerruar qysh më parë nga ato ç'kanë dëgjuar për mua, saqë ngatërrohen me vetveten, u merrët fryma, u bie të fikët.

Kuptohet se as që vjen puna që edhe ata të më bëjnë pyetje mua, ashtu siç ka qenë parashikuar në marrëveshjen tonë të parë, kur më pranuan si sfinks. Ky ishte në fakt edhe thelbi i marrëveshjes: unë do të kisha të drejtën t'i ndëshkoja ata në rast se nuk do t'u përgjigjeshin pyetjeve të mia por, nga ana tjetër, ata gjithashtu do të kishin të drejtën të më pyesnin dhe të më ndëshkonin në rast mospërgjigjeje. Merret me mend që kjo e fundit dalëngadalë u la mënjanë (hakmarrja ime për ata që guxuan e bëri punën), dhe kështu mbeti vetëm e drejta ime për të pyetur e për të ndëshkuar.

Po lënia mënjanë s'do të thotë harresë. Unë e di fare mirë se diku, gojë më gojë kalon kujtimi i marrëveshjes sonë të parë dhe, pavarësisht se gjer më sot askush nuk e ka vënë atë në zbatim, ideja e saj jeton te njerëzit. Dhe kur jeton ideja, herët ose vonë prit frytet e saj.

Këto të gjitha më shkojnë ndërmend, sidomos kur afron mbrëmja. Sado që përpiqem ta heq mendjen, nuk rri dot pa përfytyruar njeriun e parë që do të kapërcente frikën e vet për të ma bërë i pari pyetjen. Ciladoqoftë ajo, unë qysh tani e ndjej se do ta humb aq shumë toruan, saqë s'do të jem në gjendje t'i përgjigjem. Dhe ky do të jetë fillimi i katastrofës.

Rrënimi im ndoshta s'do të vijë përnjëherë, rrufe në të kthjellët, por ky është një ngushëllim i vogël. Rrënimi i ngadalshëm është më i pashpresi. Murmurima do të kalojë gojë më gojë, më tepër se një tërmet ajo do të gërryejë themelet e mia. Më vonë, kur kjo histori do të kujtohet nga brezat e ardhshëm njerëzorë, ka mundësi që periudha e gjatë e rrënimit tim të përmblidhet brenda pak çastesh, ashtu siç është e prirur t'i dëndësojë shpesh ndodhitë mendja njerëzore. Të them të drejtën, unë do të parapëlqeja rroposjen e beftë, në krahasim me torturën e ngadaltë, shumëvjeçare, po kjo, ashtu si shumë gjëra të tjera, s'varet nga unë.

Hijet e muzgut sa venë e dendësohen. Bashkë me të ftohtin e natës ndiej ankthin gjithaq të ftohtë të më kapullojë krejt. Është ankthi që unë e krijova vetë, duke kujtuar se, sa më shumë t'i shtyp njerëzit me të, aq më tepër do të çlirohem prej tij. Po fati e deshi që të ndodhte e kundërta.
6 shkurt 1986


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre