Nata jote është dita jonë Gudar!!!

Nata jote është dita jonë Gudar!!!
Kur Akademia e Shkencave e një shteti 100 vjeçar përfundon të ketë fytyrën dhe mendësinë e Gudar Beqirajt, detyrimisht eruditi, albanologu, figura poliedrike prej studiuesi, kritiku, shkrimtari, eseisti, kurajozi atdhetar si Akademiku Rexhep Qosja, nuk do të ftohet në Akademinë solemne që do të mbahet në 26 nëntor 2012 me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kur anëtari i KQZ-së së vitit të zi 1996, Gudar Beqiraj vendos t’i lëpijë për të mijtën herë shollën e këpucës pushtetit të radhës, padyshim që nuk mund të ftojë mendimtarin Rexhep Qose, pavarësisht se është njëri ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, i cili me punën e vet shkencore ka arritur të ngjisë në majat e shkencës shqiptare albanologjinë si një vlerë identiteti që na bën të dallohemi dhe identifikohemi në dynjanë kaotike dhe mistrece ballkanase.

Servilat përherë ja kalojnë shefit dhe ky është një fakt i njohur botërisht, por të poshtërosh intelektin tonë kombëtar në mënyrë të skajshme pikërisht në 100 vjetorin e shtetit TONE dhe jo shtetit të Gudarit, është e pafalshme të heshtësh!!

Ligji organik udhërrëfyes i Akademisë së Shkencave nr.9655, datë 11.12.2006, në nenin 3 të tij thotë “Akademia është institucion autonom, i cili e mbështet veprimtarinë në të vërtetën shkencore dhe në interesat kombëtarë” gjithashtu edhe në Statutin e Akademisë ritheksohet “ajo në veprimtarinë e saj udhëhiqet nga interesat kombëtarë”, por ndoshta si qindra ligje dhe institucione “të pavarura” edhe Akademia e Shkencave tashmë ka surratin tonë më të shëmtuar, atë të antivlerës pasi si nga do edhe në Akademinë e Shkencave në atë që presupozohej të ish kupola e shqiptarizmës dhe elitës kombëtare të mendimit, ka rënë damllaja.

Prej vitesh kjo Akademi Shkencash hesht duke u llaçkavitur në ujin e vet të ndenjur dhe në trajtimet e majme financiare duke ulur turpazi kokën përballë agresionit ballkanik të mirëorganizuar që po i bëhet shqiptarizmës, sidomos kur pararendës të këtyre sulmeve janë pikërisht Akademitë e Shkencave të Serbisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera ballkanike.

E të mendosh që pikërisht këto Akademi Shkencash janë pararoja e krijimit të identitetit shkencor të një kombi, janë foleja e shkencëtarëve, eruditëve dhe atdhetarëve të një kombi, janë pararoja e agresionit elegant dhe mendimtar që i bëhet kombeve të tjerë për t’i treguar se ti ke të ndenjura, se ti ke kohë që je shkëputur nga majmuni, që ke doket, zakonet, mendimet, ekspertizat, të shkuarën ndaj dhe të ardhmen tënde.

Pavarësisht ndryshimeve ligjore (si përherë skllavëruese) që ndërmori Berisha në 2007-ën duke e kthyer Akademinë në një vatër parazitare me qark të mbyllur, duke shkatërruar një seri institucionesh shkencore elitare, sërish është e pafalshme heshtja e intelektualëve dhe Akademikëve dhe ish’ Akademikëve kundrejt kësaj katrahure që ka përfshirë mendimin shkencor dhe shqiptarizmën elitare.

Kush bën pjesë në Asamblenë e Akademisë Shkencore, po në Këshillin Ekzekutiv të kësaj Akademie fantazëm?

Po si është e mundur që Gudari si ish-shtangist karriere nxiton dhe dekoron me medaljet e Akademisë së Shkencave Erkandin e dopingut të turpit shqiptar dhe vendos bashke me Korkutajn dhe Bushatin e pushteteve të përjashtojnë një ndër simbolet e shqiptarizmës, profesor Rexhep Qosen, kush janë këta “elitarë” që përçajnë kombin, çfarë përfaqësojë aty, kë përfaqësojnë?!

Pavarësisht mendimeve dhe analizave shumëplanëshe të Akademikut Rexhep Qosja kundrejt Ismail Kadaresë, Ibrahim Rugovës, Sali Berishës dhe performancës së këtij të fundit si shtetar, është e paimagjinueshme që hakmarrja, vëllavrasja dhe miopia të çojë kaq egër ujë në mullirin e antishqiptarëve duke mos ftuar një ndër simbolet e shqiptarizmës. Dhe mos harrojmë që vlerë e një intelektuali është dhe vërtetësia dhe pavarësia në gjykim ndaj quhet dhe i tillë.

Megjithëse për të qenë e sinqertë jam e bindur që po të ish gjallë edhe Ismail Qemali, Gudari dhe Saliu do e kishin lënë të hidhëruar dhe të paftuar bedenave të Kaninës!!!

Thuhet që Rexhep Qosja është Viktor Hygoi shqiptar, thuhet që stili i tij elegant dhe i pashpirt i ngjan Dostojevskit, për të ardhur keq që Gudar Beqiraj i shkolluar në Paris në kohën e egër të diktaturës hermetike nuk ka arritur të dalë përtej bregut tjetër të Senës, të shkëputet nga qenia më mizore dhe varrmihëse brenda llojit që ngriti ai sistem, nga Njeriu i Ri. Gjithsesi kurrë shqiptarëve si i nderuari Rexhep Qosja s’mund t’ju vijë vdekja nga sytë e pushtetit, pasi sytë e shqiptarizmës se njohin miopinë!

Marre nga Tema
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?