“Natën e 23 nëntorit ‘44, te Monopoli i Duhanit në Tetovë, UDB-ja ekzekutoi rreth 300 shqiptarë të pafajshëm”/ Historia e panjohur e masakrave ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi

“Natën e 23 nëntorit ‘44, te Monopoli i Duhanit në Tetovë, UDB-ja ekzekutoi rreth 300 shqiptarë të pafajshëm”/ Historia e panjohur e masakrave ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi

Në një referat të publicistit shqiptar, Eugen Shehu, të cilin e paraqiti në nëntor të vitit 2004, në një simpozium shkencor të mbajtur në Tetovë, për herë të parë trajtohej një temë e ndaluar deri më atëherë nga regjimi komunist, që kishte të bëjë me ngjarjet që ndodhën nga fundi i nëntorit të vitit 1944, në Monopolin e Duhanit në Tetovë. Atëherë, nga partizanët maqedonas ishin grumbulluar në Monopol mbi 10 mijë burra, pleq e të rinj shqiptarë, një numër i të cilëve ishin keqtrajtuar dhe masakruar. Mirëpo, terrori antishqiptar kishte filluar edhe më herët, sidomos nga shtatori i vitit 1944, para së gjithash në rajonet e Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Shkupit dhe Kërçovës, por shumë shpejt ishte shtrirë në mbarë viset e banuara me shqiptarë të Maqedonisë veriperëndimore.

Monopoli i Tetovës në vitin 1944

Shtabi kryesor i të ashtuquajturës; Ushtri Nacionalçlirimtare Jugosllave për Maqedoninë, kishte filluar terrorin e vet ndaj shqiptarëve etnikë, aq më shumë se raporti i forcave në terren shkonte në favor pikërisht të dhunës shoviniste. Forcat gjermane, ishin tërhequr pothuaj plotësisht nga viset e Maqedonisë shqiptare nga fundi i gushtit 1944, ndaj dhe aradhet partizane, kishin dorë të lirë të vepronin ndaj shqiptarëve, të cilët në vitet 1941-1944, patën treguar me fjalë dhe me vepra se kërkonin t’u bashkoheshin trojeve amtare.

Situata që i parapriu gjenocidit antishqiptar

Më 8 shtator të vitit 1944, sekretari i Komitetit Qarkor Nacionalçlirimtar për Maqedoninë, Vidoe Smilevski-Bato, me letër dërguar Shtabit të Përgjithshëm të “Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare”, kërkonte që të dërgoheshin trupa shqiptare për të lehtësuar veprimet luftarake. Ai në mënyrë tinëzare, do të lavdëronte rolin e madh të aradheve partizane shqiptare, në mënyrë që të ndihmonte planin e forcave maqedonase, për likuidimin e “mbeturinave reaksionare” të Xhemë Gostivarit dhe Mefail Zajazit.

Ndonëse pritej që komunistët e Tiranës të mbanin një qëndrim qortues ndaj reprezaljeve sllavo-maqedonase mbi shqiptarët, ata me servilizëm politik e pa moral, do të dërgojnë aradhe partizane në viset shqiptare jashtë kufijve politikë, si në Tetovë dhe qytete të tjera të Maqedonisë shqiptare, duke nxitur luftën vëllavrasëse.

Në anën tjetër, Shkupi, në koordinim me Beogradin, më 24-25 tetor të vitit 1944, do të rrëmbejë me forcë në fshatin ortodoks Vollkovi të Tetovës, rreth 40 djelmosha, me pretekst se do t’i armatos dhe do t’i dërgojë në frontin e Sremit, në luftë kundër gjermanëve. Mjerisht, disa ditë më vonë, ishin vërejtur kufomat e tyre brigjeve të Vardarit.

Në fillim të muajit nëntor të vitit 1944, repartet e OZNA-s jugosllave, në mbështetje të një ankese të një fshatari maqedonas, gjoja kishte qenë kërcënuar nga Aqif Reçani, do të shkojnë në fshatin Reçan të Gostivarit, ku do të pushkatojnë 21 persona dhe do të djegin 14 shtëpi. Kështu kanë vepruar edhe në fshatin Debreshë. OZNA jugosllave, po përpilonte edhe disa lista të tjera të likuidimit të shqiptarëve, të cilët as që kishin luftuar kundër tyre, por vetëm pse kishin respektin ndaj forcave të Ballit Kombëtar të Xhemë Gostivarit, Mefail Zajazit, Gajur Dërrallës etj.

Kampi i dhunës ndaj më se 10 mijë shqiptarëve

Aradhet partizane maqedonase, duke qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të OZNA-s, më 19 nëntor 1944, kishin rrethuar ndërtesat e Monopolit të Duhanit në Tetovë, ku brenda pak ditëve grumbulluan mbi 10 mijë shqiptarë nga qyteti i Tetovës dhe fshatrat përreth. Përqendrimi i një numri kaq të madh njerëzish brenda pak ditësh, ishte bërë me masa dhune dhe terrori të paparë deri atëherë në këto anë. Burra, pleq e të rinj, rrëmbeheshin nga shtëpitë e tyre dhe nën kërcënim të armëve, përcilleshin për në kampin e përqendrimit, në Monopolin e Duhanit në Tetovë.

Gjatë qëndrimit në kushte më çnjerëzore të mijëra njerëzve në dhomat e errëta të Monopolit, kishin gjetur vdekjen shumë njerëz, ndërsa shumë të tjerë, sipas listave të përgatitura të krerëve komunistë, ishin likuiduar pa gjykim dhe pa kurrfarë faji, duke i hedhur trupat e tyre pa jetë. në disa kanale jo larg magazinave të këtij Monopoli. Të gjithë ata që ngrinin zërin ndaj një gjenocidi të këtillë, merrnin plumbin në kokë.

Pikërisht në këto ditë të vështira të masakrave kundër shqiptarëve, jo vetëm në objektin e Monopolit në Tetovë, por edhe në Gostivar e Kërçovë, po shndërroheshin në kampe të vdekjes masive për shqiptarët e pafajshëm, ndërkohë që disa nga krerët shqiptarë të aradheve partizane, kishin ngritur zërin përballë kësaj gjendjeje, por autoritetet më të larta politike në Maqedoni, sidomos Shtabi i Korparmatës së Parë Maqedonase, deklaronte se fati i shqiptarëve të burgosur dhe të torturuar në Monopolin e Tetovës, si dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë, ishte vetëm në duart e OZNA-s jugosllave.

Ekzistojnë disa dëshmi se përfaqësuesi i Shtabit Suprem i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, Svetozar Vukmanoviç-Tempo, jo vetëm që nuk ka dashur të ndalë këtë shfarosje masive, por në cilësinë e të dërguarit nga Beogradi, ka kërkuar spastrimin sa më të shpejtë të “armiqve”.

Sipas disa dokumenteve arkivore, më 20-21 nëntor 1944, ndonëse në objektet e Monopolit në Tetovë, nuk ka pasur vend nga turma e madhe e njerëzve të mbyllur brenda dhomave, aty ishin përplasur edhe nja 700-800 shqiptarë të tjerë të pafajshëm. Jo larg këtij kampi të përqendrimit, më 23 nëntor 1944, ka disa dëshmi se ishin pushkatuar në orët e natës, rreth 300 burra e të rinj shqiptarë të fshatrave të Tetovës.

Me gjithë masat e rrepta të mbajtjes së fshehtësisë për veprimet barbare të OZNA-s jugosllave në Monopolin e Tetovës, nacionalistët shqiptarë, përsëri kishin kuptuar se çfarë tragjedie po ndodhte brenda këtij kampi, ndaj dhe kishin bërë disa përpjekje për ndonjë veprim luftarak, për t’u afruar këtij kampi shfarosës, por kjo ishte e pamundur për shkak të përqendrimit të forcave të mëdha të drejtuara nga gjenerali Iliç, komandant i Divizionit të 48-të jugosllav, i cili kishte rrethuar Tetovën me 17 mijë ushtarë të armatosur dhe të autorizuar të hapnin zjarr kundër çdo shqiptari.

Në ditët e para të janarit të vitit 1945, oficerë të reparteve ushtarake maqedonase, kishin hyrë në kampin e Monopolit në Tetovë dhe kishin zgjedhur rreth 500 të rinj shqiptarë të aftë për pushkë, të cilët do të luftonin në formacionet e Brigadës së Shtatë Nacionalçlirimtare në frontin e Sremit. Në kundërshtimin e parë që treguan dy të rinj shqiptarë nga Tetova, ata hapën zjarr.

Autoritetet politike dhe ato ushtarake maqedonase, bënë çfarë ishte e mundur që ngjarjet në kampin shfarosës të Tetovës të hidhen në harresë dhe asnjëherë mos të komentohen. Masakra e Monopolit të Duhanit në Tetovë, megjithatë, edhe sot nuk mund t’i amnistojë autorët e gjenocidit. Organizatorët e kësaj masakre, edhe pas kaq dekadash të kaluara, duhet të jenë në gjyqin e ndërgjegjes së tyre, por edhe në historinë e krimeve ndëretnike.

Nexhat Agolli, ndihmoi lirimin e shqiptarëve

Nexhat Agolli nga Dibra, i cili kishte një post të lartë në hierarkinë komuniste dhe në pushtetin e ri, bashkë me vëllanë e tij, Qemal Agollin, si dhe me komunistët e tjerë, si Haqif Lleshi, Sali Lisi etj., kishin ngritur zërin tek udhëheqësit serbë e maqedonas, si tek Svetozar Vukmanoviq-Tempo dhe Lazar Kolishevski, për lirimin e dhjetë mijë shqiptarëve që mbaheshin të mbyllur dhe nën tortura në objektin e Monopolit të Duhanit në Tetovë, pa shpresë shpëtimi.

Sipas disa të dhënave, brenda një nate nga Monopoli, ishin marrë më shumë persona të burgosur dhe ishin likuiduar në afërsi të Tetovës, ashtu siç kishte ndodhur edhe në Gostivar, Kërçovë, Dibër e gjetkë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe akuzoheshin nga pushteti i ri maqedonas si ”bashkëpunëtorë të fashizmit”.

Ndërhyrja e Nexhat Agollit te kreu politik serbo-maqedonas ishte mjaft e guximshme dhe ishte një akt i madh atdhetar, sepse kishte shpëtuar mijëra jetë shqiptare nga vdekja e sigurt. Shumë familje shqiptare, nuk do ta harrojnë kurrë këtë gjest të tij, duke e quajtur shpëtimtar të jetës së tyre.

Për një veprimtari të këtillë atdhetare të Nexhat Agollit, pushteti i ri komunist, kishte marrë në sy këtë patriot sypatrembur. Shumë shpejt UDB-ja serbe-maqedonase, do ta arrestojë në banesën e tij, duke e vënë nën tortura më çnjerëzore, për ta detyruar që ta tradhtojë çështjen e shenjtë kombëtare dhe bashkëluftëtarët e tij ilegalë, që kishte në Prishtinë dhe Shkup.

Nexhat Agolli, s’ishte nga ata që mund të qëndronte indiferent, as ndaj akuzave e as ndaj krimeve antishqiptare. Ai kishte një vizion të gjerë kombëtar dhe vërente gjithçka që po ndodhte kundër popullsisë shqiptare. Kishte ngritur zërin që shqiptarëve t’u jepen të drejtat dhe liritë e premtuara, barazia kombëtare dhe simbolet e veta historike, e drejta e përdorimit të gjuhës dhe e drejta e arsimit të masave shqiptare në gjuhën amtare, barazia e përfaqësimit në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjuhësor.

Me përkushtim të veçantë, siguroi hapjen e kursit pedagogjik shqiptar në Shkup, krahas atyre që hapeshin në Prizren e Prishtinë dhe merrnin në ndihmë disa dhjetëra arsimtarë nga Shqipëria. Më 1945-ën, hapi shkollën fillore “Liria” në gjuhën shqipe, ndërsa më vonë në bashkëpunim me bashkëluftëtarët e vet, do të nxjerr në dritë gazetën në gjuhën shqipe; ”Flaka”.

Figura e Nexhat Agollit, bëhet edhe më madhore përmes konfrontimeve me pushtetin mes viteve 1946-‘49, duke qenë në brendinë e planeve antishqiptare të qarqeve sunduese serbo-jugosllave. Mendimet dhe qëndrimet e tij, nuk ishin të mbyllura në vetvete, ato gjenin pasqyrimin e tyre edhe në organizimin e veprimtarisë ilegale e të programuar, thelbi i së cilës ishte dhe mbeti bashkimi mbarëkombëtar shqiptar. Nexhat Agolli duke pasur lidhje të fuqishme me atdhetarët e tjerë të shquar në Kosovë, kishte tërhequr vëmendjen e UDB-së qendrore të Jugosllavisë.

Për këtë shkak, në maj të vitit 1948 do të shkarkohet nga funksionet ekzekutive të pushtetit maqedonas, kurse në mesnatën e 15-16 prillit të vitit 1949 do të arrestohet në banesën e tij, përderisa dhjetë ditë më vonë, më 27-28 prill, do të ekzekutohet në mënyrë tinëzare dhe barbare në burg, ndërsa pas mesnate do të nxirret trupi i tij i pa jetë në sheshin e Shkupit, ku policia sekrete do të zbrazë breshëri plumbash gjoja se kishte vrarë në arratisje, për çka do të bëhet një proces-verbal formal për ngjarjen që kishte qenë e montuar, do ta kujtojë me një rast këtë figurë të ndritur, luftëtari dhe profesori Shaban Braha nga Tirana, në një simpozium me rastin e 56-vjetorit të vrasjes së Nexhat Agollit./ Nga Skënder Murtezani Memorie.al

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën