KOSOVE- NATO nuk do të lejojë përshkallëzimin e gjendjes së sigurisë në veri të Kosovës. Ky ka qënë mesazhi që kanë përcjellë përfaqësuesit e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjatë vizitës së tyre në Kosovë.

Kjo vizitë vjen pas përplasjes së dhunshme mes komuntetit serb në veri të kosovës dhe ushtarëve të Kfor më 1 qershor, , kur mbetën të plagosur dy ushtarë të KFOR dhe 3 qytetarë serbë gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Gjenerali Knud Bartels, udhëheqës i Komitetit Ushtarak ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e KFOR-it për punën e madhe që po bëjnë në Kosovë prej 13 vjetësh për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ndërsa ka bërë apel për dialog.
“Armët e zjarrit asnjëherë nuk mund të zëvendësojnë dialogun konstruktiv pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë gjendja”, ka thënë Bartels.

Ai tha se KFOR-i do të vazhdoj të sillet mbi mandatin që ka me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit duke qenë i kujdesshëm dhe i paanshëm dhe duke siguruar lirinë e lëvizjes dhe qarkullimit për të gjithë. Gjenerali Bartels tha se NATO e çmon rëndësinë që ka dialogu që po vazhdon e që sponzorohet nga BE-ja. Një nga qëllimet e vizitës së Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kosovë u tha se ishte që nga afër të njihet me punën e KFOR-it dhe më pas do të njoftohet Këshilli Veriatlantik të NATO-s me të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe rajon. 
(jd/shqiptarja.com)