Si organizatë ndërkombëtare e themeluar me Traktatin e Washington-it të 4 prillit 1949, NATO është subjekt i veçantë në të drejtën ndërkombëtare. Lidhur me çështjen e shumëpërfolur të shkatërrimit në Shqipëri të arsenalit sirian të armëve kimike, nuk ka asnjë të dhënë që Këshilli i Atlantikut Verior, organi vendim-marrës i NATO-s, të ketë diskutuar apo të ketë marrë ndonjë vendim. Kuptohet, që nëse NATO të angazhohet në problemin sirian, asaj duhet t’i bëhet kërkesë zyrtare nga OKB-ja. Nuk ka asnjë të dhënë që kjo të ketë ndodhur.
Nga faqja e internetit e NATO-s mësojmë se deklarata më e fundit zyrtare e Sekretarit Rasmussen për Sirinë është ajo e 14 shtatorit 2013, ku ai shprehu mbështetjen për marrëveshjen Kerri-Lavrov në bisedimet dypalëshe SHBA-Rusi, e arritur jashtë kuadrit të NATO-s. Edhe nëse kërkesa vjen para Këshillit të Atlantikut Verior, dihet se Shqipëria është një ndër 28 vendet anëtare, dhe vendimet aty merren në bazë të unanimitetit dhe marrëveshjes së përbashkët. Edhe nëse bëhet ndonjë propozim, Ambasadori i Shqipërisë në NATO, duke patur parasysh politikën qeverisë për ndalimin e importit të çdo mbetjeje, madje pa pritur instruksione, s’ka pse të mos u deklarojë kolegëve të tij se Shqipëria nuk mundet ta pranojë këtë arsenal në vend.
Për sa më sipër, vërehet se emri e roli i NATO-s dhe kontributi i Shqipërisë në të, nuk po trajtohen me vërtetësi në debatin e gjerë që ka lindur në lidhje me propozimin krejt të pavend të sjelljes dhe shkatërrimit të arsenalit kimik sirian në Shqipëri. I përcjellë në mediume dhe forma të ndryshme, në thelb, mesazhi i dhënë nga disa politikanë të të dyja krahëve, diplomatë, analistë dhe gazetarë, është se për shkak të detyrimeve që Shqipëria paska ndaj Aleancës NATO, u dashka të pranojë arsenalin sirian për shkatërrim dhe depozitim në territorin e saj. Shkurt, armët kimike të Sirisë do të vijnë në Shqipëri sepse ajo qenka anëtare e NATO-s!?
Argumenti nuk qëndron. Nëse vërtet ekziston ndonjë lidhje midis NATO-s dhe çështjes së shkatërrimit të arsenalit kimik sirian, ajo – të paktën deri sot - është krejt periferike.
Përsa i takon eliminimit apo shkatërrimit të armëve kimike siriane, përveç Konventës së Armëve Kimike, burimet e posaçme të së drejtës janë: Marrëveshja Kuadër për Eliminimin e Armëve Kimike Siriane midis SHBA dhe Federatës Ruse, datë 14 shtator 2013: në këtë dokument të rëndësishëm bilateral NATO-ja nuk përmendet fare. Vendimi i Këshillit Ekzekutiv të ONAK-ut në Hagë, Nr. EC-M-33/DEC.1, datë 27 shtator 2013: as në këtë Vendim NATO-ja nuk përmendet fare. Rezoluta 2118 (2013) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së datë 27 shtator 2013: edhe në këtë Rezolutë NATO-ja nuk përmendet kund.
Pra, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, çështja e eliminimit ose shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë, si dhe të çdo vendi tjetër, është ekskluzivisht nën jurisdiksionin e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike [ONAK] me qendër në Hagë, dhe krejt jashtë objektit të NATO-s. Angazhimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me anë të Rezolutës 2118 është pasojë vetëm e situatës së jashtëzakonshme të krijuar në Siri. Neni 10 i kësaj Rezolute, që fton shtetet anëtare të marrin dhe shkatërrojnë armët kimike siriane, ka vetëm karakter inkurajues dhe vullnetar. Shqipëria, si njëra ndër 193 shtetet anëtare të OKB-së, nuk ka asnjë detyrim në lidhje me këtë Rezolutë, dhe nëse merr diçka mbi supe, nuk mund të marrë më shumë se sa 1:193, çka është përpjestimi që ajo zë në kuadrin e OKB-së.
Shqipëria ka detyrime vetëm në raport me ONAK-un dhe Konventën e Armëve Kimike, e cila ndalon transferimin e armëve kimike në një shtet të tretë. Për rrjedhojë, pra pas hyrjes në valle të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në këtë rast krejt të jashtëzakonshëm, dhe pas konsultimeve midis Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon me Drejtorin e Përgjithshëm të ONAK-ut, Ambasadorin Ahmet Gömücü, më16 tetor 2013 u krijua Misioni i Përbashkët ONAK-OK. I kryesuar nga Ambasadorja hollandeze Sigrid Kaag, ky Mision ka mandate për t’u marrë posaçërisht me gjendjen në Siri dhe shkatërrimin e arsenalit të armëve të saj kimike.
Organi kryesor vendim-marrës në këtë çështje është Këshilli Ekzekutiv i ONAK-ut në Hagë. Brenda datës 15 nëntor ky Këshill Ezkekutiv do të miratojë planin e shkatërrimit të arsenalit kimik sirian. Siç kemi theksuar më përpara, ka gjasë që Shqipëria të mos ketë të drejtë përfaqësimi të plotë në ONAK për arësye të mospagimit të kuotizacionit të anëtarësisë. Kjo nënkuptohet nga fakti se vendi ende nuk ka deklaruar një Autoritet Kombëtar në faqen e internetit të ONAK, çka në vetvete mund të merret si shkelje e Konventës së Armëve Kimike. Kuptohet se sa absurd do të ishte vendimi për ta detyruar Shqipërinë të marrë në territorin e vet arsenalin sirian kur Tirana nuk përmbush dot as detyrimet e veta ndaj Konventës së Armëve Kimike.
Shkurt, aktorët e vetëm në këtë problem shumë të rëndësishëm dhe delikat sot janë SHBA dhe Federata Ruse si fuqi të mëdha, dhe OKB-ja dhe ONAK-u si organizata ndërkombëtare. NATO, pra, nuk duket të jetë e përfshirë në asnjë rol, fazë apo nivel. Deri më sot nuk ka asnjë informatë që OKB-ja apo ONAK-u t’i kenë kërkuar ndihmë NATO-s. Edhe sikur OKB-ja t’i drejtohet NATO-s, kërkesa duhet të bazohet në Rezolutën 2118 e cila, sikurse shpjeguam, thekson vetëm pranimin vullnetar të 193 shteteve anëtare të OKB-së. Rrjedhimisht, është po aq absurde të nxjerrësh apo të imponosh detyra apo detyrime individuale për Shqipërinë që rrjedhin nga anëtarësia e saj në NATO, kur vetë NATO - si organizëm kolektiv - nuk ka marrë dhe nuk mund të marrë përsipër detyrime të tillë para OKB-së apo ONAK-ut. Prandaj, mund të themi se përdorimi, apo më mirë, shpërdorimi i emrit të nderuar të NATO-s në mjediset mediatike në Shqipëri është i padrejtë dhe i pasaktë.
Agron Alibali, jurist, autor i librit “Kushtetuta, Europa dhe Minoriteti Çam”, Tiranë, 2013.