Në një mënyrë apo në një tjetër, jemi të gjithë rezultat i një proçesi shekullor gdhendjeje, përmirësimi, perfeksionimi. Natyra punon me përkushtim për këtë. E bën me të gjithë: me florën, faunën dhe me ne, humanoidët. Qëniet e mrekullueshme të pajisura me ndërgjegjen magjike. E ndërsa na formon, në vende të ndryshme, histori të ndryshme, kohë të ndryshme, nuk bën kapërcime. Nga brezi në brez ndodhin trasformime të rëndësishme, gati të programuara me saktësinë e lindjes dhe perëndimit të diellit, të natës me ditën, të ndërrimit të stinëve, të pjalmimit të luleve nga bletët, por, herë pas here, ndonjë prej nesh, për arsye të fatit, rastësisë apo të egos së pakufishme ndodhet në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, duke bërë zgjedhje tmerrësisht të gabuara.
Kështu po ndodh me Vladimir Putinin sot. Edhe pse ai gabimisht mendon se është kundër tij supremacia e Perëndimit mbi Lindjen, apo të tjera konspiracione, lidhje të mistershme, të nën dheshme apo qiellore që e luftojnë.
Kur profesori i Normales së Pisa-s, në sagën “Mikesha gjeniale” kërkon t’ja kujtojë këtë “ligj” të natyrës Elenës, që dëshironte të futej në rrethin Akademik, në vend të mësuesisë, duket në sipërfaqe si racist: Pra, një vajzë nga një lagje e varfër e Napolit, nuk duhet “të shtrijë këmbët më shumë se sa e ka jorganin”, ndërsa në të vërtetë kërkon ta mbrojë pikërisht nga trasformimet gjigande që ose të nxjerrin në bregun tjetër, ose, siç ai di dhe ka parë, të bëjnë dhe bëjnë viktima në këtë kalim. Nuk llogariten dëmet që mund të shkaktojë një person i papërshtatshëm që merr një përgjegjësi të papërshtatshme, në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar.
Vladimir Putin është pikërisht personifikimi i një kapërcimi gjigand të punës së natyrës. Në krye të një vendi me një kulturë, histori të pamatë, siç është Rusia, ndodhet Vladimir Putin: një njeri i vogël, me ambicje të mëdha. Dhe si rrjedhojë, dëmet, herët e vonë janë të pashmangshme. Nëse njerëzit apo natyra nuk e ndalojnë.
Duam s’duam, ky ligj është i pashmangshëm për të gjithë: siç ka politikanë të papërshtatshëm, ka dhe diplomatë të papërshtatshëm, gazetarë të papërshtatshëm, mësues të papërshtatshëm, mjekë të papërshtatshëm, këpucarë apo rrobaqepës të papërshtatshëm. Për t’jua treguar vendin e duhur, Natyra gjen mënyrat dhe mjetet (herët a vonë) si t’ja bëjë.
Populli yne eshte filozofi me i madh.Kujtoni thenien proverbiale: -Kerce sa te duash..Nuk mund te kecesh me lart se k*qet e tua!!
Përgjigju