Eksperti Mjedisor, Mihallaq Qirko, është shprehur se ndryshimet klimatike mund të jenë pjesë e problemit të përmbytjeve të shkaktuara në Shqipëri, por jo i gjithë problemi.
Komentet Qirko i bëri në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ku tha se problematikat klimatike duhet të kenë vëmendjen dhe kujdesin e plotë të institucioneve në vend, në mënyrë që problematikat të minimizohen.
Qirko shtoi se përmbytjet e fundit janë një hakmarrje e natyrës për dëmet mjedisore që i kemi shkaktuar vendit tonë gjatë viteve të fundit, me shpyllëzimet dhe dëmtimin e shtretërve të lumenjve.
Ai tha gjithashtu se një nga problematikat që ne ndeshim me lumenjtë është shtimi i sasisë së sedimenteve që vijnë nga erozioni dhe që ndodhen brenda tyre.
“Problemet me klimën janë në një diskutim të vazhdueshëm këto kohë dhe kërkimi për zgjidhje është diçka që na ka bashkëshoqëruar këto kohë. Ndryshimet klimatike mund të jenë pjesë e problemit, por jo e vetmja. Problematikat klimatike duhet të kenë kujdesin e plotë të institucioneve.
Një nga problematikat që ne ndeshim me lumenjtë është shtimi i sasisë së sedimenteve që vijnë nga erozioni dhe praktikisht brenda tyre edhe problemi i mbetjeve është i shtuar. Në ditët që krijohen probleme me përmbytjet, qoftë mbetjet që vijnë nga rrjedha e mesme apo e sipërme e lumenjve, transportohen në pjesën më të poshtme duke shkaktuar ndotje të mjediseve.
Patjetër që e kemi vrarë mjedisin. Ky është një dënim i natyrës që i bëhet keqtrajtimit të mjedisit që kemi bërë ne gjatë këtyre viteve. Problematika e ndeshur në Lezhë ku shpyllëzimi ka qenë me ritme të larta këto kohë, menjëherë projektohet në përmbytjen e tokave përreth“, tha mes të tjerash Qirko.
Ndërkohë nga ana tjetër, eksperti i Bujqësisë, Ilir Pilku, ka përllogaritur se dëmi i shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit përllogaritet në mbi 150 milionë euro. Ai propozoi një ristrukturim të plotë të bujqësisë, ku të zhvillohet edhe strategjia e riskut klimaterik.
Eksperti i Bujqësisë, Ilir Pilku, ka bërë një përllogaritje të dëmit të shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në vend, duke dalë në konkluzionin se ky dëm shkon në mbi 150 milionë euro.
Komentet Pilku i bëri në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ku tha se sot bujqësia ka nevojë për një ristrukturim të plotë, ku të zhvillohet edhe strategjia e riskut klimaterik.
Ai po ashtu renditi disa problematika që e kanë dëmtuar mjedisin, si ndërtimet pa kriter, apo mos-pastrimi i kanaleve kulluese, që sipas Pilkut çon në rritjen e dëmeve nga përmbytjet.
“Unë e kam thënë që bujqësia kërkon një ristrukturim të plotë, 360 gradë. Dhe një nga ato ndryshime apo strategji që ne duhet të kishim zhvilluar, është menaxhimi i riskut klimaterik. Dhe kjo për hir të së vërtetës, akoma nuk ka marrë vëmendjen e duhur, pavarësisht se ne çdo vit kemi nga 100 milionë dhe më shumë euro humbje nga bujqësia, por edhe në zonat urbane relativisht fatura është e lartë. Situata është shumë komplekse.
Është komplekse vetë bujqësia dhe menaxhimi i këtij sektori, por ashtu siç janë edhe vetë zonat urbane, ndërtimet pa kriter e studime. Ne shpesh herë kemi komplekse turistike që pas investimit nuk përmbushin nevojat për ujë dhe shkarkim të kanaleve dhe pastaj krijojnë problematika të tjera. Në vit Shqipëria duhet të pastrojë nga kanalet kulluese rreth 5-6 milionë metër kub llum dhe papastërti. Dhe kjo nuk mund të bëhet me 50 eskavatorë të dhuruar para 8 vitesh nga Banka Botërore. Situata është tejet e rëndë.
Duke gjykuar në sipërfaqet përkatëse, pasi ne kemi rreth 31 mijë hektarë të mbjellë me perime dhe sipërfaqja prej 58 mijë hektarë të mbjella me grurë, duke përllogaritur 2200 hektarë me sera dhe një sipërfaqe të lartë me ushqim për blegtorinë, unë përllogaris që dëmi në bujqësi duke përllogaritur edhe një sasi që ka kaluar në treg muajt e fundit (jo e gjitha e dëmtuar), është rreth 150 milionë euro. Kjo pa përllogaritur edhe dëme të tjera në vreshtari. Jemi në një katastrofë shumë të madhe”, tha mes të tjerash Pilku.
Komente










