Naum Mara: Paçrami e Todi
Lubonja nuk ishin disidentë

Naum Mara: Paçrami e Todi<br />Lubonja nuk ishin disidentë
Lexova dy pjesë të një relacioni të Behar Shtyllës (në Shqiptarja.com) rreth reagimit të shkrimtarëve dhe artistëve të Korçës, ndaj veprimtarisë të Todi Lubonjës në Korçë prej 1969 deri më 1972, vit në të cilin filloi si drejtor i RTSH në Tiranë. I kujtoj mirë ato kohë, sepse gjatë në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve bëheshin mbledhje të pafund dhe babai im Andon Mara, ishte gjithnjë i shqetësuar dhe e përcillte shqetësimin edhe në shtëpi.

Duhet të them, që relacioni i Shtyllës më duket  i saktë, gjë që dëshmon për korrektesën e njërit prej studentëve më të dalluar të Liceut të Korçës.
Në lëvizjen krijuese dhe artistike të qytetit të Korçës, ka pasur një përplasje të brezave, menjëherë pas Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror dhe Fjalës së Shkurtit të Hoxhës, për revolucionarizimin e jetës së vendit. Në atë kohë, për arsye që nuk i kuptova kurrë deri në një bisedë që bëra me Teodor Laçon më 2004, letrarët dhe artistët e rinj filluan një “luftë“ ndaj brezit të vjetër për t’i zëvendësuar në drejtim, në Degën e Lidhjes.  Kristo Konoja ishte kryetar i degës dhe babai sekretar i saj.

Çuditesha më vonë me zellin e tij, se ajo ishte një punë vullnetare, e cila  jo vetëm i merrte kohë, por mbi të merrej edhe me botimin e një Almanaku letrar “Korça e Re”, (me krijime të shkrimtarëve dhe letrarëve të rinj korçarë) i cili shtypej në shtypshkronjën e qytetit me një tirazh të kufizuar. Laçoja ju përgjigj pyetjes sime për "luftën" duke thënë, që drejtimi i degës kishte të bënte me antarësimin në Lidhje, i cili sillte edhe oraret e reduktuara, lejet krijuese si dhe përfitime të tjera p.sh studio për artistët a Arteve Figurative, piano për muzikantët etj etj. Më kujtohet në kulmin e vitit të Fletë-Rrufeve, një e tillë e madhe kundër Konos e babajt nga Guri Miçinoti, ku i kritikonte se pengonin shkrimtarin shofer dhe të rinjtë e tjerë. Ndjehesha keq se sa dilja nga apartamenti ku rrinim, përballesha me stendën e Fletë Rrufeve pranë Pallatit të Kulturës ku s’kuqte emri i tim eti.

Kur Todi arriti në Korçë, e ashtuquajtura Lufta e Brezave, e pompuar nga më të rinjtë me Kadarenë në krye, kishte dy-tre vjet, që ndjehej në tërë atmosferën kulturore në Shqipëri. Sot mund të paraqitet si një Luftë e Modernes me Dogmatiken, por nuk është krejt kështu. Në luftën kundër të vjetrës goditeshin krijimtaria edhe e Kutelit, Poradecit, Spasses, Jakov Xoxes, Petro Markos në letërsi, A. Buzës, Mios, Tushit, Janaq Paços, Odhise Paskalit, Stamos, Zajmit e ndonjë tjetri në artet figurative, Konos, Trakos e Jakovës në muzikë etj. Ishte një lëvizje e të rinjve të talentuar dhe të patalentuar për të marrë drejtimin dhe frutet e lëvizjes artistike në Shqipëri. Në rastin e arteve figurative apo teatrit dhe kinematografisë këto nuk ishin të pakta si vlera materiale.

Lëvizja e Todit në Korçë ishte disi e pazakontë, se për herë të parë një antari KQ vinte si sekretar i II në një rreth ku drejtonte një tjetër antar i KQ (Mihallaq Ziçishti). Të dy “bejlerët” e rrethit kishin cilësi të përbashkët kapadaillëkun, por Lubonja ishte edhe më i shkolluar dhe me më pak mëkate në ndërgjegje. I përkiste krahut të butë të Ramiz Alisë dhe ishte në më të  besuarit, se kishte drejtuar për një kohë të gjatë “Zërin e Popullit”. U duk açik një lloj mospërfillje e tij ndaj Ziçishtit dhe “futja e duarve” menjëherë në çështjet e Artit dhe Kulturës. Prirjet liberale, ala sovjetike të pas ‘57-tës, kishin filluar në Tiranë prej kohësh dhe i gjithë krahu i të studiuarve në BS me R.Alinë në krye, po ndiqnin gradualisht prirjet e artit dhe letërsisë ruse të viteve ’60. Lindja komuniste e moderuar po mbante një sy drejt tendencave të arteve europiane e sidomos të televizioneve franceze dhe italiane. Ishte koha e të Majtës kundër regjimeve të De Golit, Adenauerit apo të Djathtës italiane, se në Spanjë, Greqi e Portugali ishin ende në fuqi diktaturat e djathta.

Një orientim i tillë me një të ardhme të sigurt të së Majtës, nuk i vinte ndesh as E.Hoxhës edhe pse përkrah Kinës të Maos. Kjo ishte arsyeja, që ndryshe nga Revolucioni Kulturor ksenofob kinez, pas ’66-ës, tek ne vazhdoi një orientim drejt liberalizmit dhe jo kthim në një art të tipit “Detashmenti i Kuq i grave”. Në disa nga periodikët e kohës si Nëntori, Drita, Ylli e Zëri i rinisë filluan të botoheshin edhe autorë të huaj më parë të anatemuar, ose edhe vendas me prirje moderne apo edhe me "hije në biografi".

Ana negative në veprimtarinë e Todit në Korçë, ishte ndjekja e njëpolitike personale në sektorin e kulturës. I mësuar “të vriste e priste”, Lubonja, si të tjerët në Tiranë apo rrethe, kishte prirjen të favorizonte ata, të cilët i dukeshin atij të talentuar. Tipike ishte “ngritja në qiell” e një piktori mediokër, i të ndjerit Andrea Themeli, i cili nuk kishte as studime të plota, por as konsiderohej talent nga kolegët e tij. Grafikat e tij, të cilat pëlqeheshin nga çifti Lubonja, paraqiteshin si forma më e lartë e pikturës në Korçë.  Ishte koha kur të studiuarit jashtë vendit, Vangjush Tushi apo Rafail Dembo, (të cilët mbeten piktorët më të mirë korçarë pas Mios), ndjeheshin jo vetëm të plakur por dhe sikur i përkisnin një arti anakronik.

Dhe në atë kohë i pari ishte rreth 56 vjet dhe tjetri jo më shumë se 48. E njëjta gjë po ndjehej edhe në letërsi, megjithëse në atë fushë dora e Lubonjës nuk mund të ndikonte shumë, se botimet vareshin nga marëdhëniet personale të autorëve me shtëpinë botuese në Tiranë. Në muzikë u vu re një përpjekje për të goditur Kristo Konon, por ishin pak të rinjtë e talentuar në atë fushë. “I përkëdheluri” ishte Rikardo Jorganxhiu, pa ndonjë talent apo intelekt dhe gjithë krijimtaria moderne u kufizua në një kërcim modern shqiptar Alba, i krijuar nga koreografi nga Tirana Agron Aliaj dhe e eksperimentuar me të rinjtë në Korçë.

Sektori ku dora e Lubonjës u ndje për mirë, ishte ai i teatrit. Atë kohë, rastësisht ose me ndërhyrjen e tij, kishin ardhur Mihallaq dhe Edi Luarasi, të cilët sollën ndryshim shumë pozitiv në Teatrin Çajupi. Gjithashtu aktorët më të rinj si Vangjush Furrxhiu, Raqi Cili si edhe Minella Borova, Llazi Serbo dhe Jani Riza ishin në momentet më të mira të karrierës së tyre dhe krijuan një bërthamë, e cila vërtet i përgjigjej denjësisht nivelit të Teatrit Popullor. Më kujtohen diskutimet për “Njollat e Murme”, për të cilën fliste i gjithë qyteti i entusiazmuar para se të fitonte Flamurin e festivalit të teatrove apo të goditej me shkrimin famëkeq “Njolla të zeza”.

Por, le të kthehemi në finalen e vështirë dhe shkatërruese ndaj Todi Lubonjës, e cila po përgatitej në Komitetin Qëndror dhe për të cilën po përgatitej terreni duke mbledhur material në Korçë dhe Tiranë, e për të cilën bën fjalë edhe relacioni i Shtyllës. Dërgimi i tij nga Hysni Kapoja, duket i pazakontë, sepse Behari në Komitetin Qëndror atë kohë me siguri mbulonte marëdhëniet ndërkombëtare. Ndoshta, gjithë instruktorët e sektorit ideologjik të Ramizit ose konsideroheshin “të përlyer”, ose E.Hoxha kishte sugjeruar vetë Beharin, si një njeri më i shkolluar dhe më i ekuilibruar e që njihte disa nga artistët dhe krijuesit korçarë.

Interesant është fakti që ka kryer biseda private me Konon, Kristaq Cepën, Vangjush Tushin dhe Andrea Themelin. Duhet thënë, që asnjë nga të intervistuarit e Shtyllës nuk ishte anëtar partie dhe tre të parët në shpirt ishin kundër komunizmit. Sigurisht, në majë të piramidës nuk mund të prisnin një relacion nga M.Ziçishti, i cili nuk kishte kulturën e nevojshme, por ishte indirekt përgjegjës për veprimtarinë e vartësit të tij T.Lubonja. Vetë Ziçishti i kishte prirë Lubonjës me Luftën e Brezave duke vënë në postet e Kulturës dhe Arsimit pasues të tij, “të rinj kërpaçë“ nga Devolli i tij.

Raporti i Behar Shtyllës është më shumë deskriptiv dhe nuk i rëndon interpretimit të tipit “grup armiqësor” apo të tjera përfundime që do ishin të zakonshme më vonë për instruktorët e zellshëm të KQ, të cilët donin të varrosnin rivalët e tyre. Sigurisht të gjithë ata që kishin pasur fërkime me Todin e kishin kuptuar, që atij po i binin këmbanat dhe kanë patur më shumë kurajo për ta kritikuar. Ndjehej se pas "drejtorllëkut" në Lezhë mund të kishte pasoja më të rënda, por në atë kohë, kishte 12 vjet që kur ishte goditur i fundit nga partiakët e lartë dhe fryma liberale i bënte njerëzit të mendonin se Lubonja e Paçrami do “zhubraviteshin”, por nuk do përfundonin burgjeve, pasi edhe “mëkatet” që ju përmendeshn në shtypin e Partisë nuk ishin të rënda.

Kuptohet që relacioni i B.Shtyllës nuk mund të analizojë thellësisht jetën artistike dhe marëdhëniet midis shkrimtarëve dhe artistëve në Korçë në fundin e viteve ’70. Ai është i kushtëzuar nga ‘optika” e parimit Partia dhe shoku Enver mbi të gjitha dhe vetëm direktivat e tyre janë vija që duhet të ndjekin artistët. Për më tepër, në fjalimin e Enver Hoxhës në mars të atij viti ishte parë se si duhej të ishte qëndrimi i ri ndaj Letërsisë dhe Arteve.

Për mendimin tim, vetë mënyra e organizimit të krijimtarisë nëpërmjet një shoqate të Shkrimtarëve dhe Artistëve e cila ishte e vetme dhe e detyruar, sillte një pjesë të madhe të grindjeve dhe rivalitetit midis krijuesve. Për vetë natyrën e egos krijuese, fërkime të tilla ka patur në çdo kohë dhe në çdo sistem, por më të mprehta bëheshin në një sistem të “shoqërizuar”, kur veprat letrare dhe artistike do i nënshtroheshin jo vetëm gjykimit të publikut dhe kritikës, por edhe atij të kolegëve në mbledhje të zgjatura e të panevojshme. Thënia e Lubonjës se “Arti nuk bëhet me mbledhje”, është më se e vërtetë.

Nuk mund ta kuptoj edhe sot inatin e tij me Kristo Konon dhe Vangjush Tushin. I pari ishte kompozitor në krijimtari të lirë, dhe edhe nëse krijonte më pak në moshën mbi 60 vjet, përsëri ishte një muzikant, që kishte studiuar në Itali dhe kishte njohje të mirë të muzikës. Ndërsa i dyti, gjithashtu i studiuar në Perëndim, kishte formim të mirë profesional dhe ishte një pedagog shumë i mirë i të rinjve. Dukej që zemërimi i Partiakëve ndaj Tushit nuk do mbaronte me aq, se 4 vjet më vonë, piktori i vjetër u arrestua dhe u dënua me burg për pjesëmarje në një grup kundër Pushtetit Popullor.

Gjithashtu duhet thënë që Lubonja nuk ishte për një krijimtari krejt të lirë, por për një të tillë të diktuar prej tij dhe njerëzve që i vinin pas. As tregonte ndonjë interes për konkurimin e lirë të ideve në art dhe në atë kohë duhet thënë, që u injoruan disa fusha të kulturës dhe artit kombëtar por edhe botëror. U nxitën idetë se ne na mungonte tradita jo vetëm në letërsi,dramaturgji apo arkitekturë, por edhe pikturë dhe muzikë. Sot, po të krahasosh veprat e Onufrit, vëllezërve Zografi, Mios, Idromenos etj., qëndrojnë shumë më lart se veprat e krijuara në kohën e liberalizmit nga Edi Hila, Edison Gjergo, Vilson Kilica apo të tjerë piktorë modernë.

Në rastin më të mirë, lëvizja liberale e drejtuar nga sektori i ideologjisë me Ramizin në krye, mund të konsiderohet si një lëvizje për të përqafuar bashkëkohoren, por kjo bëhej duke shkelur forma të tjera më tradicionale të të bërit art. Në organet e shtypit por edhe RTV, kishte plot injorantë, të cilët tundnin flamujt e modernizmit, pa mësuar ende ABC-në e Letërsisë dhe Arteve. Ishte kjo, që krijonte tensionet më të mëdha mes krijuesve. Lëvizja për modernen kundër “arkaikes” nuk ishte gjithnjë në duart e më të mirëve dhe më të talentuarve.

Për të mos i ngrënë hakun Todit, duhet thënë, që gjatë qëndrimit në Korçë, pati shumë njerëz që i përkisnin “klasave të përmbysura”, të cilët u ndjenë më mirë dhe filluan të jenë më aktivë në jetën kulturore e artistike. Nuk ishte thjesht merita e tij, se e gjithë atmosfera, sidomos në Tiranë, ishte më liberale. Periudha prej 1966 e deri në mesin e 1973 ka qënë periudha më e çuditshme dhe më e mirë për njerëzit gjatë gjithë viteve të Diktaturës, edhe pse shpesh sot, njerëz që nuk e njohin mirë atë kohë flasin për ndikim të plotë të Revolucionit Proletar Kinez. Në Shqipëri veç mbylljes së institucioneve fetare, heqjes së gradave në ushtri dhe fletë-rrufeve, nuk pati asgjë kineze.

Lufta e klasave u zbut, ekonomia në sajë të ndihmës kineze u përmirësua, vlerësimi i Shqipërisë nga të huajt ishte më i mirë pas daljes nga Traktati i Varshavës dhe vetë Zeusi me bashkëpuntorët më të ngushtë ndjeheshin më të fortë se kurrë. Gjithashtu, si e përmenda më lart, lëvizjet e ekstremit të Majtë në Europë ishin të forta  dhe çdo gjë dukej se do shpinte përjetësisht ujë në mullirin marksisto-leninist. Ndaj edhe krahu më i moderuar i Nomenklaturës e shihte se transmetimi në TV i Bitëllsave apo ngjarjeve kulturore të botës europiane nuk e cënonte aspak pushtetin e tyre.

Shembull i qartë ishte Jugosllavia, e cila ishte edhe më e pavarur, edhe midis Lindjes dhe Perëndimit, edhe komuniste, edhe ekonomikisht më mirë se vendet e KNER-it. Sot, pasuesit e Paçramit apo Lubonjës mund të mburren si disidentë, por nuk kanë qënë të tillë dhe aq më pak të dy ish-antarët e Komitetit Qendror, të dënuar me burg të gjatë. Ishin pjesë e atij sisitemi të cilin donin ta ruanin të fortë deri në fund. Njerëzve u erdhi keq edhe në kohën kur i burgosën, edhe ju vjen edhe sot kur përmenden vuajtjet e tyre. Por më tepër se viktimë të Diktatorit nuk mund ta quash apartçikun e ndjerë Todi Lubonja.

Shkrimi u publikua sot (22.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës

Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës