Kukësi nuk po gjen qetësi këtë edicion futbollistik, pasi në një kohë shumë të shkurtër ka ndërruar dy trajnerë. Pas largimit të Cungut, këtë herë radhën e ka pasur Shensoji.

Pa kaluar 24 orë nga barazimi me Bylis, trajneri i Kukësit, Naxhi Shensoi nuk paraqitet në detyrë, duke braktisur detyrën pa lajmëruar, teksa skuadra ishte në pritje për të filluar stërvitjen në prag të sfidës së parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, pikërisht ndaj Bylis në “Adush Muca”.

Drejtuesit e klubit kanë deklaruar se largimi ka ardhur pa asnjë njoftim dhe për këtë shkak do të veprohet ligjërisht për prishje të njëanshme të kontratës. “Sot me datë 10,02,2014 z. Naxhi Shensoji , trajner i parë i FK Kukësi, nuk është paraqitur në punë duke braktisur në mënyrë të njëanshme detyrën dhe duke shkelur kontratën e nënshkruar konform gjithë bazës juridike me FK Kukësin. Nga ana e tij presidenti i FK Kukësit, z. Saft Gjici , i ka kërkuar trajnerit Shensoji të vazhdojë punën dhe të drejtojë ekipin sipas kontratës së nënshkruar.

Kjo kërkesë e presidentit Gjici, nuk është marrë në konsideratë nga ana e Shensojit , i cili ka refuzuar të paraqitet në punë. Theksojmë se klubi , ka përmbushur gjithë detyrimet ndaj Shensojit dhe kërkesave të tij në të gjitha drejtimet, dhe kjo është shkelje e njëanshme dhe krejt e papritur e kontratës ligjore mes dy palëve ,dhe e rregullores së klubit, prandaj ndaj tij do ndiqet dhe procedura ligjore e dhe penalitet e parashikuara në kontratë, dhe rregullore.

Shensoji erdhi në drejtimin e klubit në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar duke marrë përsipër objektivat që ka klubi. Nisur sa më sipër klubi ka emëruar në krye të ekipit si trajner drejtorin sportiv të deritanishëm z. Sulejman Starova” thuhet në deklaratën e klubit.


d.b/shqiptarja.com