Në një nga rastet e mia të para, kur punoja me terapinë e familjes në Tiranë, mbaj mend të më ketë kërkuar me insistim një grua e re. Ajo erdhi fiks në orar; e bukur, trupgjatë dhe me një pamje të frikësuar. Si gjithmonë psikologu në minutat e para të takimit me klientin do që të dijë arsyen pse ka kërkuar terapi. Mua nuk më la ta pyesja pasi ajo filloi të fliste menjëherë duke shpërthyer në ndërtime fjalish krejt pa kuptim. M’u duk se po fliste përçart dhe duart i dridheshin teksa mundohej të përqendrohej në historinë e saj.
U përpoqa t’ia kap shikimin por ajo po i përvidhej kontaktit me sy deri sa një moment më pyet “ju dukem e çuditshme?” – Jo, aspak, i them. Thjesht a mund ta marrim më shtruar? Kemi një orë kohë dhe s’kemi pse të ngutemi, unë jam këtu për ty dhe po të dëgjoj, me shumë vëmendje. Papritmas filloi të qajë. Iu afrova, i vura dorën në sup dhe teksa i drejtova një shami i thashë “do edhe një gotë ujë?” – A mund të më japësh një gotë helm më mirë? – ma ktheu – dhe lëvizi rrufeshëm e trembur a thua se dikush do ta qëllonte – Çfarë të shqetëson E., më thuaj një herë çfarë të ka ndodhur? Pse je kaq e brengosur? – “Dua t’i jap fund jetës” – më tha me një siguri në vetë aq sa u ndjeva vërtetë ngushtë.
Pas disa seancave me të kuptova se dhimbja e saj vinte nga dhuna që prej vitesh kishte përjetuar nga i shoqi. Nënë e një fëmije të vogël të cilin për shkak të dhunës e kishte neglizhuar, ndihej e paaftë për t’u kujdesur për të por edhe për veten. Gjatë terapisë mësova se bota e saj kishte kuptim vetëm kur sillej rreth të shoqit, atij që e dhunonte çdo ditë, dhe sërish ajo kishte kurajën që ta donte. Për dijeni, ajo ishte e dëshpëruar dhe donte t’i jepte fund jetës jo për shkak të dhunës por sepse mendonte se ai shkonte me një tjetër.
Historia e E-se, më ka ndjekur për një kohë të gjatë në të gjitha seancat e tjera. Në të shumtën e herëve kur një grua ka kërkuar terapi jam përpjekur të kuptoj nëse ka shenja dhune apo abuzimi tek ajo. Në fillim kur i pyet ato mund të të gjejnë pa fund arsye: probleme me fëmijët, shqetësime me gjumin, mungesë dëshire për ta jetuar jetën, mungesë vullneti për të punuar apo realizuar synimet e vëna më parë...; Janë të gjitha këto shenja që shfaqen natyrshëm kur takon një grua të dhunuar në terapi.
Por nuk më ka ndodhur as edhe një rast i vetëm që një grua të kërkojë ndihmë për shkak të dhunës. Ky problem ka dalë në pah vetëm kur kam filluar të aplikoj terapinë e familjes dhe natyrshëm kam kërkuar që të përfshihet edhe burri. Në rastin e E-së problemi i dhunës doli pas dy seancash kur së bashku filluam të eksploronim të shkuarën. Ajo e kishte njohur të shoqin kur ishte15 vjeçe, dashuri me shikim të parë sipas asaj, dhe jeta i kishte kuptim vetëm me të. Tani, e transformuar në një qenie mjerane, donte që t’i jepte fund jetës sepse ai nuk ishte më si më parë.
Prej vitesh po përpëlitej të mbante gjallë mitin e saj për një martesë fantazmë, e cila në fakt nuk ushqehej me dashuri por me dhunë. Me të tilla emocione negative, e mbërthyer në mendime irracionale rrezikon t’i japë fund jetës për shkak se ndihej e braktisur. Pra, gjithë çfarë i kishte dhënë kuptim jetës së saj kishte qenë kjo lidhje morboze me një njeri që e kishte keqtrajtuar gjithnjë. Në fakt, në historitë që po dëgjojmë çdo ditë në media, gratë viktima të dhunës nëse nuk vrasin veten gjenden të vrara nga bashkëshortët.
E-ja, pas disa seancave të rregullta që ndoqi u ndërgjegjësua se dhimbja e saj nuk vinte nga humbja e dashurisë së të shoqit, e cila në fakt nuk kishte ekzistuar asnjëherë, por për shkak të aftësisë që kishte humbur për të dashur veten. Kjo mungesë dashurie për veten e bënte atë të duronte dhunën dhe të vuante pasojat e saj. E-ja i shpëtoi kurthit ku bien shumë gra të dhunuara sepse mori ndihmë, por sa të tjera përpëliten duke mohuar pavetëdijshëm gjendjen në të cilën ndodhen deri sa një ditë gjenden të vrara ose të vetëvrara.
Nëse je një grua e dhunuar dhe ngurron të kërkosh ndihmë sepse ndihesh në faj apo të vjen zor nga vetja mund të na e rrëfesh historinë tënde këtu. Nëse ndihesh e frikësuar apo e kërcënuar nuk ka nevojë të tregosh emra dhe detaje, thjesht pyet dhe do të marrësh përgjigje.
Letrat tuaja mund t’i dërgoni direkt në adresën [email protected], psikologe Këshillimi
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com